Koçi Petriti, kalorësi i fundit i baladave të dashurisë

“Poetët e vërtetë kanë vdekje konvencionale, pa dyshim. Ekuacioni i lashtë –gati proverbial se ‘poeti vdes, por jo poezia’- nuk është ngushëllues për njeriun konkret, por i vetëmjaftueshëm dhe fisnikërues për poezinë”.

Në një kohë kur realizimi socialist i kishte vënë të gjithë shqiptarët brenda kallëpeve, kur letërsia ishte e detyruar t’u përshtatej kornizave.

Kur shkrimtari e poeti ishin të detyruar të bënin pakt me djallin në kurriz të krijimtarisë, për të mbijetuar, kur gjithçka ishte e denatyruar, Koçi Petriti e gjeti rrugën e tij, së cilës i ndenji besnik deri në fund. Ai zgjodhi lirikën, zgjodhi t’i këndonte dashurisë, të bukurës, vashës, puthjes… Gjërat e “mëdha”, politika, heroizmi, nuk bënin për të.

Dhe kjo zgjedhje e shpëtoi atë jo vetëm si njeri, por edhe si poet. Me këtë zgjedhje, nuk iu desh të bënte pakte. Pakti i tij i vetëm ishte me lexuesin, i cili e deshi dhe e lexoi Koçi Petritin si një pasues të denjë të Lasgush Poradecit. Vargjet e Petritit janë vlerësuar gjithnjë për thjeshtësinë dhe bukurinë e vargut. Freskinë, butësinë dhe një shpirt pranvere, që nuk i ndahet krijimtarisë së tij.

Talenti i tij spikati që në vëllimin e tij të parë

Talenti i tij spikati që në vëllimin e tij të parë në vitin 1962, “Lirikat e majit”, për të vijuar më tej me të tjera vëllime që e pozicionuan atë si një zë të rëndësishëm në poezinë shqipe, si “Përsëri në udhë”, “Firma e popullit tim”, “Të dashurova ty” etj.

Duke iu referuar përmbledhjes “Quaderni”, botuar pas vdekjes së poetit, studiuesi Ymer Çiraku shprehet: “Do të gjykonim se kemi të bëjmë me nga ato raste kur libra të tillë janë metodika të vërteta për të kryer studime të natyrës, p.sh., të sociologjisë letrare. Të kujtojmë në këtë rast djaloshin e zbritur nga një periferi fshati të largët – drejt Korçës, qytetit aq të njohur të liceut e të serenatave.

Pastaj shpirti i të riut gjimnazist robëruar nga fletorkat e poezive. Dhe rrugëtimi drejt kryeqytetit, që dukej aq i largët. Për të kontaktuar me ndonjë gazetë letrare ku të dorëzonte një grusht poezish e pastaj drejt një realiteti krejt të kundërt.

Të përmbysur, te dera e burgut për të takuar babain dhe pas tij për të takuar të vëllain.

Që ndodhej në një burg tjetër akoma më të largët. Ndërkaq, në shpirt do të gulçonte edhe për vëllain tjetër. Atë që kishte vdekur nga një lëngim i gjatë, prej sëmundjes që kishte marrë viteve të luftës si partizan (!).

Kjo ishte ajo loja absurd, ku endej njeriu e poeti, në kalvarin e përpjekjeve për të siguruar një të drejtë studimi, pastaj për një vend pune dhe sqarime nëpër zyra për të mos u penguar të botonte”.

Ky autor sqimatar iu blatua baladës

Ndërsa për studiuesin Moikom Zeqo, Koçi Petriti ishte një kalorës i baladës. “Koçi Petriti e ka një veçanti të lexueshme si dallim vetjak në lirikën tonë.

Që në hershmëri të krijimeve të frymëzuara të veprës së jetës. Poetin e tërhoqi magnetikisht struktura e baladës. Janë të rrallë poetët që janë mahnitur nga balada si zhanër, si institucion poetik, si mbijetesë, si Koçi Petriti.

Ky autor sqimatar iu blatua baladës, për t’u metamorfizuar në të, me një profilizim gati tërësor, krejt ndryshe nga të tjerët.

Duke rilexuar që në dorëshkrim koleksionin mbresëlënës dhe mjeshtëror të baladave të Koçi Petritit, mendoj i bindur se poeti përfaqësohet si baladisti më i suksesshëm në poezinë shqipe.

Ky klasifikim është i vërtetë dhe faktohet lehtë dhe qartësisht. Besoj se poetët e vërtetë nuk i shmangin. As i përbuzin strukturat e poetikës së shekujve. Shkatërrimi i zhanreve është i pamundur.

Madje, edhe shumë kritikë të sofistikuar nuk e kanë kuptuar këtë të vërtetë parake – aq më keq për ta. Koçi Petriti e njeh shkëlqyeshëm baladën. Në doracakët estetikë mund të informohemi për gjenezën (më saktë, gjenezat) e baladës”, thoshte Zeqo.

Teksa shtonte se baladat e Koçi Petritit janë një rivlerësim i traditës së baladave popullore në shtratin konceptual të baladave letrare. Të individualizuara sintetikisht nga poeti dhe vokacioni i tij vetjak.

POETI

Koçi Petriti u lind më 1941, në Sovjan të Korçës. Shkollën fillore e të mesme e kreu në Korçë. Pas një periudhe të shkurtër pune si arsimtar, fitoi të drejtën e studimit në Fakultetin e Historisë dhe Filologjisë në Universitetin e Tiranës.

Ku u diplomua (1967) për Gjuhë dhe Letërsi. Me mbarimin e fakultetit, pasi kreu shërbimin ushtarak 2-vjeçar, u emërua arsimtar në Librazhd. Në shënimet që ai ka lënë do të nënvizojë më së shumti dy data.

“Viti i Bardhë për mua ka qenë viti 1962”

“Në jetën e njeriut ka vite të bardhë dhe vite të zinj. Viti i Bardhë për mua ka qenë viti 1962. Viti i Zi ka qenë viti 1967. Në vitin 1962, në vjeshtë m’u pranua për botim libri “Lirikat e majit” që doli në pranverë 1963. Në vitin 1967 u dërgua në Librazhd në zyrë kuadri shkresa sekrete e dekanatit të Fakultetit të Historisë dhe të Filologjisë: ‘Në radhë të parë për origjinën e tij … të mos punojë arsimtar’.

Emërohem në një vatër kulture fshati, komandohem të punoj në Shtëpinë e Kulturës dhe të jap orë mësimi në gjimnaz. Përjashtohem nga zbori pasuniversitar që po e bënin edhe djem bejlerësh e tregtarësh korçarë të deklasuar të një kursi me mua. Merrem dhunshëm ushtar në Ndërmarrjen Bujqësore Ushtarake të Zall- Herrit që ishte repart pune me ‘të deklasuar’”, shkruan ai.

Më 1990 emërohet në departamentin e talenteve të reja pranë Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë.

Ndërsa në 1992 sekretar i përgjithshëm i këtij organizmi. Në 1993 emërohet dekan i Fakultetit të Historisë dhe Filologjisë të Universitetit të Tiranës. Prej vitesh pedagog pranë Fakultetit të Histori Filologjisë.

Ai ka mbetur në kujtesën e çdo studenti që pati mundësi të ndjekë kurset e tij. Për pasionin me të cilin transmetonte dijet dhe dashurinë për letërsinë. Ndërkohë, ka vijuar të krijojë poezi e të botojë vëllime poetike./panorama.com.al

ObserverKult

————–

LEXO EDHE:

KOÇI PETRITI: PUS, O PUS I SHPIRTIT TIM TRISHTUAR…

LEXO EDHE:

KOÇI PETRITI: MË PRIT KËSHTU SI JAM