Koçi Petriti: Pus, o pus i shpirtit tim trishtuar…

Pus, o pus i shpirtit tim trishtuar,
s’mban mend ç’sy ke larë gjer më sot,
po për dertin tënd të përvëluar
si nuk derdhe dot një pikë lot?

Ja, po ngreh kapakun tënd të rëndë
e që lart sheh hëna si kukudh,
duke shkundur shpejt dremitjen tënde
zbret një pamje vajze dhe të puth.

Befas ti, nga terr i zi mbështjellë,
kur që poshtë ia pi të kaltrit sy,
ndrit e shkëndijon e nxjerr që thellë
qiejt e përmbysur përmbi ty

Frymën mban ç’mendon mos të ta vjedhin,
do me të të të flesh përjetësisht,
sa një gur të vockël të të hedhin
faqen rreth i rrudhave ta prish.

Por pa pritur vajza ta nxjerr gjuhën,
tallja e saj të ngjeth e sa s’të çmënd,
ndaj po pret sërish të ta zërë udhën,
ta varrosësh thellë fundit tënd.

Pus, o pus i shpirtit tim shkretuar,
s’mban mend ç’sy ke larë gjer më sot,
po për dertin tënd të përvëluar
si nuk derdhe dot një pikë lot?

Korçë, 26 tetor 1962

*Titulli i origjinalit: Pusi