Koçi Petriti: Pus, o pus i shpirtit tim trishtuar…

koci petriti

Pus, o pus i shpirtit tim trishtuar,
s’mban mend ç’sy ke larë gjer më sot,
po për dertin tënd të përvëluar
si nuk derdhe dot një pikë lot?

Ja, po ngreh kapakun tënd të rëndë
e që lart sheh hëna si kukudh,
duke shkundur shpejt dremitjen tënde
zbret një pamje vajze dhe të puth.

Befas ti, nga terr i zi mbështjellë,
kur që poshtë ia pi të kaltrit sy,
ndrit e shkëndijon e nxjerr që thellë
qiejt e përmbysur përmbi ty

Frymën mban ç’mendon mos të ta vjedhin,
do me të të të flesh përjetësisht,
sa një gur të vockël të të hedhin
faqen rreth i rrudhave ta prish.

Por pa pritur vajza ta nxjerr gjuhën,
tallja e saj të ngjeth e sa s’të çmënd,
ndaj po pret sërish të ta zërë udhën,
ta varrosësh thellë fundit tënd.

Pus, o pus i shpirtit tim shkretuar,
s’mban mend ç’sy ke larë gjer më sot,
po për dertin tënd të përvëluar
si nuk derdhe dot një pikë lot?

Korçë, 26 tetor 1962

*Titulli i origjinalit: Pusi

ObserverKult

Lexo edhe:

KOÇI PETRITI: PËR TY QË TË DUA…

koci petriti

Unë emrin tënd e zë rrallë në gojë
kjo do të thotë që në zemër e ruaj thellë
veç në ndodhtë të kthehem në rrënojë
do të dalësh si legjenda mbi një kështjellë.

Unë emrin tënd s’e kam vënë në asnjë vjershë
E s’do ta shkruaj as në vargun më me bujë
Kjo do të thotë që gjërat me peshë
rrinë në thellësi dhe është zor t’i ngresh mbi ujë.



Për poezi të zgjedhura, vizito faqen në Facebook : ObserverKult