Kohët e arta të publicistikës shqiptare

Mërgata shqiptare ka qenë ajo që ka mbajtur gjallë shpirtin tonë, kryesisht nëpërmjet gazetave e revistave dygjuhësore, si: ”Flamuri Arbrit” (1883, Napoli), “Zëri i Shqipërisë” (1882, Athinë), “Drita”  (1884, Konstandinopojë), “Shqiptari”  (1888, Bukuresht), “Albania” (1897, Bruksel), “Bashkimi i Shqipëtarevet”  (1900, Kajro), “Drita” (1901, Sofje), “Albanija” (1905, Beograd), “La Questione Albanese (1905, Buenes Ajres), “Dielli” (1909, Boston)…

Nga Fatmir Sulejmani

Ndër të përkohshmet në fjalë bën pjesë dhe revista albanologjike “Shejzat”, e botuar shqip e italisht në Romë ndërmjet viteve1957 -1978, nën drejtimin e poetit, tregimtarit, eseistit, dramaturgut, studiuesit, kritikut, përkthyesit, gazetarit, profesorit poliglot e erudit dhe veprimtarit të politikës së kulturës kombëtare Ernest Koliqit, i cili, në vitin1941, hapi shkollat shqipe, ringjalli vetëdijën e fjetur kombëtare dhe shpëtoi nga asimilimi i dhunshëm sllav gjysmën e kombit të mbetur nën thundrat sllave.

Përveç shkrimeve me pëmbajtje biografike, letrare, gjuhësore, historike, etnografike, politike…, “Shejzat” kishte dhe rubrikën Kronikë kulturore, nëpërmjet së cilës informonte publikun për personalitete, ngjarje e fakte të rëndësishme historike e aktuale.

Pikërisht nga kjo rubrikë po sjell në vijim ca njoftime interesante, ca gjurmë kohërash të perënduara, të cilat, pa titanët e dijes shqiptare si puna e Ernest Koliqit, që nuk priheshin nga fryma utilitariste e kohës sonë dhe që jetuan me brengën e të ardhmes së vendit dhe bashkëkombasve, do të harroheshin e vdireshin përgjithmonë.

Njoftimet po i jap kryesisht në mënyrë përshkruese, po me titujt origjinalë të tyre.

Kurs gjuhe dhe kulture shqiptare

Qendra Ndërkombëtare për Studime Shqiptare organizon kursin e gjuhës e të kulturës shqipe për mësuesit aloglotë të kolonivet arbreshe të Sicilis. Në dallim nga vitet paraprake, tani kursi, përveçse në Pjanë do të organizohet edhe në Palermë. Kursin e drejtuar nga profesor Karl Gurakuqi e ndjekin qindra kuadro të arsimuar, të cilëve diplomat e kursit u japin një gjymës pike për efektet e konkursit për emnim si mësues.

Mbyllet teqja shqipare në Kajro të Misirit

Mbyllet teqja shqipare në Kajro të Misirit, të cilën e drejtonte Baba Sirri Leskoviku – njëri prej personaliteteve të së shkuarës qi kishin për zëmër fatet e shqiptarizmës Ky tempull që u shndërrua në objekt ushtrie shërbente si vatër e rëndësishme fetare e kulturore për shqiptarët e emigruar në Misir. Ai ishte dhe vend strehimi për mërgimtarët e mjerë, sepse Baba Sirriu udhëhiqej njëkohësisht nga parimet e fesë dhe të Kanunit shqiptar, sipas të cilit: Shtëpia asht e Zotit dh’e miqve! Objekti i teqes ishte i rregulluar me shije të veçantë dhe ngjante në një copëz të vërtetë parajse, që vizitohej nga njerëz të etnive e besimeve të ndryshme. Aty organizoheshin aktivitete të rëndësishme kulturore, madje dhe koncerte simfonike…

Veprimtari albanologjike në Romë

Instituti i Studimeve Shqiptare Pranë Universitetit të Romës, po vjen tue u pasunue me theza doktorate nga lëmi i historisë , folklorit, letërsisë dhe etnologjisë shqiptare.

Nji talent shqiptar në muzikën arabe

Revista turke “Hayjat” (= Jeta) e Stambollit, nën titullin ”Lajme nga bota e gravet” botoi në faqen e parë të sajë fotografin dhe një përmbledhje të shkurt të biografis së nji vajze origjinet shqiptare e quejtun Mehtabe Spahija, e cila qenka mes’ e nji ish Majori dhe stërmes’ e një ish Generali shkodran t’ish ushtris s’perandoris Otomane qi shërbyeka në Radio’n dhe në Televizjon të Libanit. Shum e talentuemja artiste shqiptare Mehtabe (= Hana), me kangët q’i kompozon vet ose me ato arabe q’i melodizon dhe i harmonizon si mbas muzikës moderne Europjane ushqyeka të gjitha stasjonet Radiofonike të Damaskut, të Bagdatit, të Kajros dhe të qendrave të tjera t’orjentit t’Afërt e të Mesëm dhe pllakat e gramafonit q’i përbajnë këngët e saja kan shënue rekorde të mbëdha në përhapje dhe në shitje.

Kurse në shqiptarët, në vend se të mburemi me këtë talente të rasëc sonë që ka arritur kulmin e artit muzikor në botën Arabe, duhet të vajtojmë me lot gjaku që vendi i saj Shqipëria nuk përfiton asgjë nga fama e saj, kurse ajo, si shumë talentë të tjerë nëpër botë, do të tretet e do të shkrihet në gjirin e historive të të huajve, pa lënë asnjë gjurmë për vendin e të parëve…

Mbi Imam Vehmi Ismailin

Emni i Vehbi Ismailit nuk asht i panjoftun ne rrethin e letërsis shqipe. Kohnat e shqeta shkaktojnë  hallakatje edhe në mbretnin e Letrave të Bukura kështu qi të rijt kur përpiqen për zhvillim kulturuer t’onë tue shkrue e botue, gjejnë si nji frymë mos-përfilljeje në shumicën e Shqiptarve dhe kjo u shkakton nji lëshim zemre prej së cilës të gjithë dëmtohen. Mos-interesimi than çdo ngjethje nisjativash kulturore.

Në vijim thuhet se Imam Vebi Ismaili përktheu nga shqipja në arabisht disa novela shqipe të pritura shumë mirë nga qarqet letrare egjiptiane, me çka letërsia jonë nisi të njihet në një vend ku emri shqiptar kumbonte më shumë si tingull lufte se sa si tingull diturie. Qëllimi i Imamit në fjalë ishte që t’ua bëjë me dije të tjerëve vlerat e kombit shqiptar që po zgjohej me hov…

Pas vendosjes në SHBA, Vebi Ismaili vazhdoi misionin e tij për forcimin e mirëkuptimit fetar dhe bashkimin shpirtëror të shqiptarëve. Në pjesët e përkthyera të Kur’anit në shqip, Imam Vebiu udhëhiqej nga shembulli i rrallë i shqipes së Kristoforidhit. Ai besonte se gjuha e përbashkët shqipe duhet të krijohet në rrënjë të stilit të Kristoforidhit.

Djegia e klubit Kingswai në Toronto

Në Toronto të Kanadasë u dogj njëri ndër klubet më të zgjedhur, pronë e vëllezërve shqiptarë Seit, Ali e Sami Kerimi nga Bilishti i Korçës. Dëmi i pësuar është afër gjysmë milion dollarë. Vëllezërit Kerimi dallohen në veçanti me mirësjelljen ndaj bashkatdhetarëve dhe përkrahjen e çdo nisme që nderon e dihmon Shqipërinë e që tradicionalisht organizohen në Klubin e tyre, të mirënjohur si qendër atdhetarie të nxehtë të disaporës sonë.

Përkujtim i Abdyl Sulës

 Më 12 mars 1958, u mbushën gjashtë muej qi u zhduk ajo fëtyrë patriotike qi punoi me mish e me shpirt për të mirën dhe nalstin e atdheut deri n’orën e fundit… Sa jetoi në këtë botë Abdyl Sula nuk u-termb dhe nuk u-përkul kurr para furtunave dhe rrebesheve të kohës. E përbuzi çdo ofiq qi u-paraqit prej anmikut të kombit, i vuni kambën çdo përfitimi qi s’ishte për interresë t’atdheut, Dobin e atdheut e bani me ngadhnjye mbi dobin personale të vet.

Në vijim mësojmë se Abdyl Sula ishte njohës i thellë gjuhës dhe historisë sonë; se ndihmoi e punoi tërë jetën për bashkimin kombëtar, i bindur se vetëm të bashkuar mund të përballemi me rreziqet që na kanoseshin;  se u përgjigjej me shkrime të zjarrta e me fakte konkrete të gjitha shpifjeve që bëheshin në dëm të Shqipërisë; se veprimtarinë dhe shkrimet e tij i çmonin veprimtarët bashkëkohanikë si Mati Logoreci; se, fatmirësisht, shkrimet ia la zonjës së tij besnike Myrvet Sulës…

ObserverKult