Gjatë muajit shtator, tash e shtatë vjet Korça kthehet në nikoqire të komedive teatrore. Festivali mbarëkombëtar i komedisë “Koko Fest” çdo edicion ka mbledhur rreth vetes me qindra adhurues të teatrit për të përjetuar magjinë e inskenimeve teatrore. Mirëpo, për shkak të pandemisë, shkuarja në teatër nuk është e mundur. Në këtë formë, organizatorët e Festivalit kanë gjetur tjetër rrugë. Për edicionin e shtatë, që do të nisë më 8 shtator, do t’i shfrytëzojnë ambientet e hapura brenda qytetit të Korçës. Organizatorët e “Koko Fest” përmes pesë shfaqjeve synojnë të lehtësojnë situatën e krijuar për shkak të pandemisë.
“Nuk flas, nuk dëgjoj, nuk shikoj”, me regji të Donard Hasanit, është pjesë e pesëshes së këtij edicioni. Programi i plotë ende nuk është publikuar, por organizatorët kanë bërë të ditur se në mesin e shfaqjeve ka edhe të tilla që janë realizuara gjatë kohës së pandemisë. Këtë vit, “Koko Fest” do të mbahet në tri skena teatrore të improvizuara, e që edhe më herët kanë shërbyer si të tilla. Janë oborri i Muzeut Kombëtar të Arsimit, “Hani i Pazarit” dhe “Parku Rinia”. Festivali organizohet nga teatri “A. Z. Çajupi” në Korçë.
Drejtoresha e festivalit, aktorja Zamira Kita, njëkohësisht edhe drejtoreshë e Teatrit ka thënë se ata kanë dëshirë që Korça edhe gjatë këtij viti të ketë një javë festë./koha