Kolec Traboini: Tash që fjalët e gegënishtës janë bjerrun…

kolec traboini

Poezi nga Kolec Traboini

– Nuk ka dru- tha mësuesi i fillores.
ashtë dimën i ftohtë! Do ngrini!
Na pamë njeri-tjetrin në sy
e vjedhtazi edhe mësuesin
si të ishim fajtorë, por s’folëm.

I hollë, i gjatë, nevrik por i drejtë, Kol Alimhilli
na tha veç një fjalë:
– s’ka mësim, shkoni për cokla.
Oh-ooo, aq deshëm. Pa marrë vesh ç’na tha e pa ditë
ç’do banim, ikëm plot zhurmë e u gjëndëm
në Gjuhadol… tek dyqani ku shitej pistili.

Të nesërmen prap u gjëndëm në atë klasë
si të ishte një katakomb prej akulli
duart zbrazun e sytë për tokë…

Mësues Kola na pa, tundi kokën e me vete diç foli.
E mbylli regjistrin e u nis drejt Zallit të Kirit
mbas tij edhe na, rrugën përskaj Rrmajit morëm.
I egër ish lumi e mësuesi fort i rreptë.

Na kish thanë për coklat, por ne nuk dinim
ç’janë coklat; as fjalën e as kuptimin.

At botë mësues Kola në breg të lumit nisi të ligjërojë:
– Cokla asht dru e limume prej lumit, si alabastër
por nuk ashtë veç dru – ashtë edhe fjalë
e drunin do ta marrim për zjarr
e fjalën do ta shënojmë në fletore
që kur të vij dimni tjetër
të mos më vini në klasë pa cokla.

E mësuam atë fjalë. E shënuam në letër.
Kishim një fjalor doracak për secilin,
e thuj tana fjalët kjenë gegënishte
por vitet shkuan e na i harruam coklat
edhe si dru edhe si fjalë.

Tash që mësuesi s’asht mâ
e fjalët e gegënishtës janë bjerrun,
më duket se ndigjoj nji za në Rrmaj,

– mësues Kola t’u thotë gjuhëtarëve,
edhe në dimën edhe në verë, pa pra:
-ikni e më sillni cokla….

*Titulli i origjinalit: “Cokla”

ObserverKult

Lexo edhe:

MOS VDIS DASHURI, POEZI NGA KOLEC TRABOINI