Shoku im i bankës në shkollën fillore kishte gishta blu, buzët blu dhe një vrimë të pariparueshme blu në zemër. I shënuar me vdekje. I padukshëm. Ai vetëm ruante rrobat i ulur mbi një gur, jashtë fushës së lojës, asaj alkimie djerse dhe pluhuri.
I shënuari për të qenë mbret është i ftohtë, i gatshëm për një rënie të lirë, i lindur para kohe nga një mitër e palumtur.
Gruaja flokëkuqe që pret përnatë burrin e pirë do të vazhdojë ta presë kështu edhe njëqind vjet. Nuk është faji i alkoolit. Ajo ka pritjen t’vulosur në fytyrë. Dhe ai ndodhet krejt rastësisht në këtë akt, si spektatori i rastit që shiu e futi nga rruga në sallë.
Po kështu nuk është faji i luftës që i merr jetën djaloshit me sy të trishtë. Ai ishte i prerë për listat e rekrutimit. Melankolia është arsenali bazë i ushtrive.
Kurse ai që është vulosur me mbijetesë do të vazhdojë të ushqehet me këlyshët e tij, si ariu polar, pa e marrë kurrë vesh se moti është ngrohur.
Të gjithë të mbyllur si teoremat. Qielli i tyre është një shtëpi e marrë me qira, ku nuk mund të ngulësh as edhe një gozhdë më tepër.
Në pritje të një urdhri të dytë, të cilin do ta injorojnë gjithsesi, me krahët lidhur pas lopatave dhe veshët zënë me dyllë, si njerëzit e Odiseut në shtegun e sirenave.