Është ndarë nga jeta në moshën 89-vjeçare aktori i njohur Fuat Boci. Miqtë flasin për një aktor unikal dhe të pavdekshëm për karakteret e tij. Aktori që njihet për rolin si “shoku i Belulit” ishte 89-vjeç. Aktori i njohur fierak Fuat Boçi, qe bërë i njohur për rolet e tij në estradën profesioniste të qytetit. Ish-elektricisti kinomekanik që u bë artist, i nderuar me disa urdhra e medalje, mbahet mend për karakteret e e veçanta që përjetësoi.
Kiço Londo, regjisor, që është rritur me rolet e tij në teatrin ‘Bylis’ të Fierit, e mban mend si një aktor unikal, që punonte gjatë me rolet e veta.
“Ai sot është në qiell dhe nga yjet e engjëjt, do të marrë duartroktitjet që i munguan në tokë. Është aktor kombëtar jo lokal. Brenga ime është se nuk punova me të si regjisor dhe nuk e duartrotkita si regjisor. Një prej regjisoreve që e ka njohur për më se 18 vite, në Fier ku punuan bashkë për pjesë të ndryshme, e kujton me vlerësim.
Pëllumb Kulla thotë se “Artistet vdesin ndryshe. Pjesë më e dobët, ajo fizike shuhet, por pjesa shpirtërore e artistike, ajo për të cilën artistët bëhen të njohur e duhen nga publiku, ajo mbetet ende. Ndaj edhe Fuat Boçi mbetet i pavdekshëm”.
Kulla, një prej emrave më në zë të regjisë, sjell në kujtesë edhe një prej roleve më të spikatura të Boçit, pasi ka vlerësuar punën që ai bënte me rolet, mimikën, plastikën e qëmtimin e karaktereve.
“Beluli ishte një rol që erdhi në kuadër të qëmtimeve që unë bëra në letërsinë e Dritëro Agollit, Shevqet Musarajt dhe më tej edhe të Qamil Buxhelit. Prej tij gjeta këtë personazh, Belulin, që duke dashur të fliste për shokun e tij, e dinte mirë që po fliste më shumë për vete. Atë e luajtën si rol dy aktorë, por Fuati pati fatin që e regjistroi dhe kjo pjesë i dha një popullaritet të madh e të merituar. Fuati qëmtonte karakteret, i punonte me kujdes, ishte sistematik dhe ishte në lartësi të madhe. Ka qenë një nga aktorët e mi të të pëlqyer, pikërisht prej cilësive që kishte”– tha Kulla./BW