Komedia që pati fatin e “Mesharit” shfaqet në Tetovë

(Me rastin e shfaqjes së komedisë “Dredhitë e Patukut”, të Gjergj Fishtës, në Festivalin Ndërkombëtar të Teatrit të Tetovës, me regji të Kushtrim Bekteshit – Aspekte dramaturgjike, regjisoriale dhe aktoriale)

Nga Prof. dr. Vebi Bexheti

Festivali Ndërkombëtar i Teatrit të Tetovës, që tanimë tradicionalisht mbahet në këtë qytet, këtë vit solli një shfaqje të veçantë, që në historinë e dramaturgjisë shqiptare do mbahet mend për jetën e saj brenda pluhurit të harresës nga fshehja për të mbijetuar deri në kohëra, kur do evitohen rreziqet nga shfarosja e veprave të Fishtës. Kjo komedi, edhe pas fillimit të viteve të nëntëdhjeta, kur vepra e botuar e At Gjergj Fishtës e pa dritën e lirisë, ende mbeti e fshehur nën dyshemet e shtëpisë së shkodranit Luigj Baba. Shum vite më vonë, më 2005, ai  rastësisht e gjeti aty ku e kishin fshehur dhe duke ia ditur vlerën kësaj vepre, ia dorëzoi Bibliotekës Françeskane të Shkodrës. Edhe pas daljes në dritë, kjo komedi mbeti e paafirmuar sa duhet, mbase nuk kemi të dhëna për ndonjë shfaqje nga trupa profesionale e Teatrit të Shkodrës, apo edhe e ndonjë teatri tjetër profesional të hapësirave tjera shqiptare. Deri më tani për rrugëtimin historik të kësaj vepre dramaturgjike, të ngjashme me fatin  e “Mesharit” të Gjon Buzukut, edhe pse në rrethana krejt tjera, dihet e vërteta se autori Gjergj Fishta për hartimin e kësaj vepre u bazua në komedinë  “Les furberies de Scapin” të Molierit, por duke e ruajtur vulën e kohës me tërë vlerat autoktone, kombëtare, siç është gjuha e mrekullueshme e të folmes shkodrane me plot shprehje, fjalë të rralla, e frazeologjizma me kuptime nga filozofia popullore e kësaj ane, ku vërehen edhe disa shprehje e fjalë orientale, që nuk është karakteristikë e veprave tjera fishtjane, që gjithsesi  ishin të futura me qëllim, si dëshmi e mentalitetit të një pjese të popullatës qytetare shkodrane, që edhe pas shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë, e kishin   vështirë të shkëputeshin tërësisht nga një pjesë e kulturës perandorake osmane, gjë që vërehej edhe te disa  pjesë të veshjes, edhe me ngjyrim oriental, që mbase mund të jetë edhe ide e regjisorit. Nga shprehjet frazeologjike e proverbat popullore, në këtë rast po i përmendiim disa sosh: Si me kenë tuj nxjerrë ujë me çekrek nga pusi, Unë jam n’uj për vedi, Shumë herë jam da lagët, Pa ndi ujët nën qilim, Kur del mica lozin mijtë, Ma i fortë hatri se topuzi, Mos ja shaj gomarin kuj se t’poll te dera, Zemra e fryt pëlcet sytë, Po t’baj  be mi armtë e brezit, Me u msheh n’brij t’kaut, Mos ja shkul caranin e votrës, U bo me pi mizën, etj. Këto vlera etnolinguistike, dhe shumë nuanca tjera shkrimore, që i përgjigjen natyrës krijuese shqiptare  janë jashta korrnizës përkthimore, të komedisë së Molierit “Les Fourberies de Scapin”, që dëshmojnë se megjithate me përshtatjen e  komedisë “Dredhitë e Ptukut”, është ruajtur pasuria etno-kulturore e Shkodrës dhe rajonit, që komedinë e bëjnë më të afërt me këtë vepër, edhe si të lexuar edhe si të shfaqur. Ndërkaq huazimet  dhe shprehjet turke, apo edhe të gjuhëve tjera orientale, siç janë: sabër, vallahi, medet, berqavers, mukajet, demek, rixha, nafakë, allisxhveresh, xhanëm, kismet etj., Fishta i vë në shërbim të dialogeve të përsonazheve të gjeneratës më të vjetër, që këto huazime, apo  edhe fjalë të huaja, ende i konsideronin si pjesë komunikimi të traditës së gjatë të kulturës osmane.

 Nga ajo kohë e veprimit të Fishtës si dramaturg e teatrolog dihet edhe emri real i aktorit humorist shkodran, Zef Hilëgega që autori e emërton me fjalën shqipe, gaztor, me të cilin bashkëpunoi gjatë kohë. Ky aktor, me humorin e vet të veçantë, kishte pasur sukses të admirueshëm me rolin e Patukut. Ai nuk e pëlqeu gjuhën, që Fishta e kishte përdor në variantin e parë të komedisë “Dredhitë e Patukut”, me vërejtjen se ishte një gjuhë “tepër ala franga”, që duhet nënkuptuar si të largët nga e folmja shkodrane, vërejtje kjo, që edhe u pranua nga autori At Gjegj Fishta. Dihet gjithashtu se kjo dramë është shkruar brenda viteve 1910-1911 (Shih te Fishta-vepra 5, 2012: 288), dhe se ai ishte edhe autor, regjisor, edhe organizator për shfaqjet, që jepeshin nga priftërinj, brenda lokaleve të Kishës Françeskane dhe grupeve amatore të qytetit të Shkodrës. Në formimin e Fishtës dramaturg, pati ndikim edhe lëvizja teatrore mjaft e zhvilluar e këtij qyteti, e gjysmës së parë të shek. XX, kur edhe shkroi pjesë origjinale për nxënësit e shkollës françeskane. Dëshmi tjetër për shfaqen e kësaj komedie në Shkodër është edhe fotografia origjinale e aktorëve, me kostumet shkodrane të kohës, pjesëmarrës të shfaqjes. Vërtetohet gjithashtu se nga e tërë trupa amatore e shfaqjes së kësaj komedie në shkodër, deri më tani, përveç Zef Hilgegës, njihen  edhe emra tjerë, si: Lazër Gurakuqi, Kolë Kodheli, Kolë Kamsi, Ndoc Lezhja dhe Luigj Skanjeti. 

Për meritën e autorit, Gjergj Fishta, përkushtimin dhe mirësjelljen e tij edhe si regjisor, mësojmë nga regjisori i kohës, Andrea Skanjeti, i cili i kishte ndihmuar atij gjatë vënies në skenë të shfaqeve Juda Makabe dhe I ligu për mend, kur shprehet: “Kam parë regjisorë të ndryshëm, diletantë dhe profesionistë, të vendit dhe të huaj, por mënyra e regjisurës së tyre nuk më ka lënë mbresë të veçantë. Ai punonte me aq brishtësi me diletantët duke përdorur një humor të lezetshëm e tërheqës, sa të krijonte një mjedis gazmor, që e lehtësonte punën e rëndë të skenës dhe nxirrte në këtë mënyrë një rezultat interpretimi të drejtë dhe real në mes të një kënaqësie të plotë. (Po aty: 288). Përveç komedisë Dredhitë e Patukut, Fishta në reportorin e vet amator organizoi shfaqje  edhe të veprave tjera të Molierit, si: Nazeqaret qesharake, Tartufi, Borgjezi fisnik dhe një fragment me titull Familja e antikuarit, shkruar sipas Goldonit. At Gjergj Fishta veprmtarinë e vet në fushtë të dramaturgjisë e zgjeroi edhe përmes studimeve të,  autorëve tjerë të famshëm, siç janë Gëte, Haine, e sidomos Shekspiri, që dëshmohet edhe në letrën, që ai i shkruannjëmikunë vitin 1911, ku ndër të tjera i thot: Prej tre vitesh i jam vënë studimit të dramaturgjisë dhe, veçanërisht, Shekspirit (Po aty: 74).

Nga kjo veprimtari e begatë dramaturgjike e Fishtës, që e dëshmojnë shumë shkrime e studime të ndryshme, të botuara para dhe pas diktaturës komuniste, komedia “Dredhitë e Patukut” përmendët shumë  pak, ndërsa vështrimet kritike për te, thuajse janë simbolike. Tani vonë, një studim të thuktë e të zgjeruar për këtë komedi, e botoi studiuesi Gëzim Puka në revistën “Shejzat”, fletore periodike me peshë historike për arbëreshët dhe shqiptarët në përgjithësi. Në numrin 3-4 të vitit 2023 të kësaj reviste, autori  në studimin e vet të titulluar “Dredhitë e Patukut” e Gjergj Fishtës si “dredhi” tekstuale për prurjen e Molierit ndër shqiptarë (Shejzat, 2003: 117-141), në mënyrë të gjithanshme shkruan për përshtatjen e saj nga Gjergj Fishta,  krahasimin me origjinalin e komedisë së komediografit të madh frances, Molierit dhe shumë të dhëna tjera, që në masë të madhe e ndriçojnë ërrësirën e fatit të kësaj vepre, të njohur aq pak deri më tani. Mungesa aq e gjatë kohore e kësaj komedie dhe ndërprerja e komunikimit me lexuesin e shikuesin, ishte humbje madhe për dramaturgjinë shqiptare në përgjithësi e për komedinë në veçanti. Meritë të veçantë për rikthimin e kësaj vepre në skenën teatrore ka regjisori Kushtrim Bekteshi, i cili me kohë i kishte rënë në gjurmë kësaj vepre dhe duke e njohur historinë dhe vlerat e saj, i hyri punës që këtë projekt ta përgatis për Festivalin e Tetovës me trupën teatrore të këtij qyteti. Ky regjisor, tanimë shumë i afirmuar, me prirje për realizime moderne të shfaqjeve, edhe me këtë rast pati sukses, falë edhe aftësive për prurje imagjinative, pa ndërhyrë në tekstin origjinal, me tendencën për të sjellë diçka të re që gjithsesi do pëlqehej nga  publiku. Për t’u shfaqur kjo dramë, pas aq shumë vitesh harrese dhe me literaturë të kufizuar, duhej punë e lodhëshme, durim, hulumtime në terren dhe besim në vete se do ia dalë, dhe ashtu ndodhi. Teatri i Tetovës, si nikoqir i festivalit, këtë projekt e radhiti të parin, me të cilin edhe  hapi ditët e kësaj ngjarjeje të madhe kulturore. Interesimi i madh i qytetarëve për ta parë këtë shfaqje, e detyroi regjisorin, që sapo mbaroi festivali, pas disa ditësh ta japë edhe reprizën. Sukseset e këtij regjisori u dëshmuan edhe në Festivalin “Teatri shqiptar në Maqedoni”, që u mbajt në Dibër, ku për regji më të mirë u shpërblye Kushtrim Bekteshi, po me dramën pjesëmarrëse,” Dredhitë e Patukut “, ndërsa për rolin dytësor më të mirë të kësaj komedie, çmimin e parë e fitoi Sheqerie Iljazi.

Karakteristikë e kësaj shfaqjeje ishte koncepti regjisorial tjetërfare i regjisorit Bekteshi. Kësaj radhe këtë komedi ai e solli me plot risi, duke dashur që ta bëjë sa më të afërt me spektatorët, madje duke dhënë spjegime shtesë për historikun e fatit të kësaj vepre monument, që aq vite kaloi nën dërrasat e dyshemesë. Përveç këtij lajmëtari për gjetjen e veprës, që është fakt real, përmes narratorit regjisori i shpalon edhe idetë imagjinative, që fare nuk e dëmtojnë temën dhe idenë e autorit të dytë të veprës, do thoja, Gjerg Fishtës, por përkundrazi e mbulojnë zbrazëtirën e mungesës së të dhënave reale e konkrete, për fatin e trupës teatrore të kësaj komedie, gjatë lëvizjeve nëpër vende të ndryshme të hapësirave shqiptare.  Ideja imagjinative e regjisorit, e paraqitur përmës narracionit, që kjo komedi të shfaqet në venbanimin malor në Theth, ishte gjetje e zgjuar e tij, që na kthen në kohë dhe në vendbanimet rurale, me banorë që çonin jetë të pavarur në gjirin e natyrës, duke u marrë me veprimtari, që i ofronin kushtet e rrethanat, siç është edhe blegtoria. Shfaqjen në rrethana të këtilla dhe jashta korrnizës së veprës origjinale, që është ide e regjisorit, spektatorët e pritën me kureshtje të madhe. Kjo mënyrë e ndërhyrjes së regjisorit, për të krijuar bindje te spektatorët, se aktorët lojën skenike e zhvillojnë në një fshat të largët malor, nxit një zgjim kurreshtjeje për to, mbase kombinimi i një aktiviteti kulturor me zërin e blegërimës së deles, lehjes së qenit, e qarjes së fëmijëve, është jashta kohës, e që shpie në një të kaluar, kur për malësorët shqiptarë, një shfaqje teatrore ishte  diçka e paimagjinueshme, ashtu siç është e pabesueshme, dhe me dozë alegorie edhe vonesa e kryeplakut të kësaj malësie për të mbërritur në orën 12, kur duhej të fillojë shfaqja, e që filloi në orën 13,  meqë zonja e tij nuk kishte mundur që me kohë t’i rregullonte flokët.

Pagesa kinse me me vezë, pula, djathë, gjalpë, atj., e biletës për shfaqje, është gjithashtu ide e regjisorit, që shprehet përmes narratorit, për të treguar të vërtetën e mungesës së parave në fshatrat e thellë malorë të Shqipërisë së kohës. Zënka  mes aktorësh për gjoja vjedhjen e një sasie djathi, shkak për të cilin përkohësisht u ndërpre shfaqja, mendohej (kështu shprehet narratori) se e  rebeloi Gergj Fishtën, i cili ashtu i hidhëruar kinse paska thënë:  Le ta dijë bota mbarë se Gjergj Fishta nuk është më shqiptarë. Regjisori këtë deklaratë të supozuar të poetit tonë  kombëtar, vetëm sa e citon, në narracionin shoqërues të shfaqjes, pa e konstatuar si të vërtetë, por sipas  thënieve e shkrimeve qëllimkëqia, për ta njollosur këtë figurë  madhore të kombit, duke mos e ndriçuar të vërtetën, madje duke i  deformuar edhe vargjet orgjinale të poezisë së gjatë ”Metamorphosis”, ku në një varg shtohet me qëllim emri i Gjergj Fishtës, që në realitet mungon në vargjet origjinale që  duken kështu: Ta dijë Shqypnija /Pra, e sheklli mbarë,/ Se ma mbas sodit/ Un s’jam Shqypëtar (Fishta-vepra 7,2012:39). Në kontekstin e përgjithshëm të kësaj poeme duhet nënkuptuar mllefin e personazhit, të rebeluar, kundër disa shqiptarëve tradhëtarë, që nuk punonin e as  vepronin për të mirën e kombit, por vetëm për xhepin dhe mirëqenin e familjarëve të tyre.

Pjesë e imagjinatës krijuese regjisoriale është edhe dërgimi i njërit nga përsonazhet e kësaj komedie në Itali për ta mësuar gjuhën dhe për të fituar përvojë nga teatrot e atjeshëm. Përsonazhi i italianit, ose ltinit, i dërguar në Romë me harxhimet e aktorëve të grupit, për ta mësuar italishten meqë komunikimin gjatë lojës skenike duhej ta bënte në atë gjuhë. Ai me gjithë aventurat, që kishte bërë atje, e kishte mësuar gjuhën sa për nevojat e komunikimit, ndërkaq shfaqja Comedia dell arte, të cilën kishte pasur rastin ta shohë në rrugë, poshtë Bordelos, i shërbeu si përvojë e re, sidomos për mënyrën e nxehjëes dhe koncentrimit të aktorëve para fillimit të shfaqjes, përvojë kjo që u bë edhe pjesë e paraqitjes së trupës së Teatrit të Tetovës, në premierën e Festivalit. Pjesa shoqëruese e shfaqjes, që regjisori e solli përmes narracionit, gjithsesi është risi, por edhe traditë më e hershme, ndonëse jo me fuqinë e kësaj përmase, me ç’rast ky regjisor me talentin e tij krijues, u bë pjesë e shfaqjes, fillimisht si lehtësues i publikut për ta kuptuar më mirë ate, por edhe si plotësues i zbrazëtirës nga mungesa e të dhënave për aktorët e shfaqjes në periudhën e viteve të njëzeta, për  historikun e veprës në përgjithësi, dhe fatin e saj, fakt ky, që duhet vlerësuar, edhe pse ishte vetëm rezultat i imagjinatës së regjisorit autor, i cili për këtë kontribut thot se është  pjellë e imagjinatës dhe çdo ngjashmëri me ngjarjet apo personat realë të asaj kohe, është vetëm rastësi.

Edhe pse komedinë ”Dredhitë e Patukut”, Fishta e përshtati nga vepra dramatike e Molierit, ai gjatë shqiptimit të vet titullit, e ndryshoi emrin e dredharakut, francez duke e quajtur me emrin ”Patuk”, emërtim ky që në kulturën e begatshme shkodrane duhet të jetë i njohur me kuptimin e përafërt të dredharakut Scapin, të veprës së Molierit. Ashtu si personazhi i dredharakut  francez Scapin, edhe ai i personazhit të Patukut, nuk ishte i rastit, por i njohur në filozofinë humoristike shkodrane si personazh intrigan, shpifës, dhe burim i dezinformatave, që sillte huti në popull. Patukun shkodran dhe bëmat e tij i ka përfshrë edhe shkrimtari, publicisti dhe intelektuali i madh disident, Ernest Koliqi, në veprën e vet me novela ”Tregtar flamujsh”, të botuar  në vitin 1935 në Shkodër. Në novelën Një ngjarje në rrugicën Kezenaj, të këtij libri, ky personazh, me emrin Patuk Dedgusha vjen me tërë vetitë që e karakterizojnë. Në një rast festimi, me shumë të pranishëm, me të arritur ky mes tyre, solli lajme të pavërteta, kinse në Shkodër atë natë kishte pasur një zënkë të madhe, me të vrarë e të plagosur, që në realitet e tëra kishte qenë një mashtrim.

Ashtu si zakonisht, regjisori idenë dhe temën e dramaturgut e zbërthen sipas konceptit të planifikuar, por pa e prekur thelbin e mesazhit që jep kjo vepër. Ngjarja kryesore e kësaj komedie zhvillohet përmes veprimeve të tre grupeve të personazheve, dy vëllezërve tregtarë shkodranë, që ishin Gjoka e Tukja; djemve të tyre, Lecit (Kola) dhe Linit; dy shegërtëve; Patukut dhe Nushit, dhe të tjerëve si pjesë e tërë lëmshit, ku fijet i ka në dorë vet Patuku dhe i tërheq sipas momentit e nevojës për ta realizuar planin djallëzor. Përveç Gjokës dhe Tukes, fëmijët e të cilëve, në mungesë të prindërve, edhe pse për një kohë të shkurtër, kishin marrë rrugët e dreqit, do thoja, duke hyrë në borxh për aventura të ndryshme, dhe Ltinit, italianit që kishte ardhur në Shqipëri për të mbledhur artefakte të vjetra, të gjithë personazhet tjerë punojnë për interes të Patukut, kuptohet, duke e marrë hisen e vet nga haraçi i grumbulluar, falë aftësive të shefit të tyre, edhe pse ky është vetëm një shegërt i Tukes. Duke i njohur mirë rrethanat e familjes ku punonte, raportet mes Gjokës dhe Tukes, kopracinë, por edhe naivitetin e tyre, pati sukses t’i zhvasë ata, kinse për t’i shpëtuar fëmijet e tyre nga kërcënimet e borxhlinjve të sajuar nga vet ai.

Me gjithë kopracinë e prindërve, që fillimisht as që donin të dinë për kërkesën e tij, Patuku këmbëngulë në realizimin e planit grabitës, duke prek në ndjesinë prindërore të tyre për jetën e bijve, kinse të rrezikuar në çdo moment. Planin për këtë zhvatje, të dy prindërve, të Lecit dhe Linit, ai e realizoi edhe me pëlqimin e tyre, me të vetmin qëllim, të shpëtojnë nga baballarët e vet, të sapokthyer nga Trieshta, madje shumë më herët se sa e kishin planifikuar qëndrimin atje. Të gjitha trillimet që vijnë nga dredharaku Patuk, në bashkëpunim me bashkëpunëtorët aleatë,  për ta realizuar planin, u realizuan me sukses. Viktima e parë ishte babai i Lecit, Gjoka, njeri i dhënë pas rakisë, të cilin Patuku e bindi, që t’ia marrë të hollat për ta mbrojtur djalin e tij nga kërcënimet për jetën nga armiq të shpifur, ndërsa viktima e dytë ishte prindi koprac i Linit, Tukja, që përveç zbrazjes së xhepit për të bëmat e djalit të tij, ai edhe u rrah brutalisht nga një person i imagjinuar, që realisht ishte vet Patuku, i cili saherë që i mshonte thesit me ate brenda, bërtiste, kinse ai goditet nga kërcënuesi.

 Një viktimë tjetër që pësoi gjithashtu nga intrigat e Patukut dhe grupit të tij, ishte Lëtini, i cili  erdhi nga Italia për të mbledhë gjëra të vjetra, e që shumë lehtë u mashtrua për cilësinë e tyre, kinse me vlera antikiteti. Mashtrimi më i madh i tij ndodhi në momentin kur lehtë u bind duke menduar se gëzofi, që e bleu nga Keli, ishte i Lekë Dugagjinit, i vjetër katërqind vjeç. Për të gjitha këto mashtrime, ai fitonte para, por që i ndante me gjithë bashkëpunëtorët, përkahës të planeve mashtruese. Të gjitha këto plane për qëllime zhvatjeje të dy prindërve dhe Ltinit, nuk do kishin sukses pa përkrahjen e përsonazheve tjerë, që vepronin sipas udhëzimve të Patukut. Përveç djemve problematikë, që e shfrytëzuan  mungesën e prindërve të tyre, ideja mashtruese e Patukut fuqimisht u  përkrah edhe nga shegërti i Gjokës, Nushi, që njëherit ishte edhe  bashkëpunëtori më besnik i kolegut të tij, dhe Keli, i cili fillimisht hezitonte t’i nënshtrohet qëllimit grabitës të këtij njeriu, që në këtë vend kishte ardhur për qëllime krejt tjera.

Pas shthurjes së ngjarjes, kur Patuku demaskohet tërësisht dhe dy viktimat, Gjoka e Tukja, pasi i rrëfejnë njëri-tjetrit për atë çka kishin pësuar nga dredhitë e tij, duke e mallkuar për jetë e mot, vjen lajmi se Patuku është në rrezik për jetën, pas një aksidenti, që pësoi nga një gurë në kokë, deri sa kalonte poshtë objektit që po ndërtohej, intrigë kjo e trilluar po nga Patuku dhe përkrahësit e tij. Viktima e stisur nga vet ai, në bashkëpunim me ”klientët” , ashtu i shtrirë sillet pranë Gjokës dhe Tukes, nga të cilët kërkon t’ia bëjnë hallall për tërë atë që u kishte bërë, ndërkaq, ata duke qenë të sigurt se ai po vdes, ia falin mëkatet duke ia bërë hallall, siç ua falën edhe bijve të tyre, por intrigat e tij s’kanë të sosur. Në momentin kur Gjoka e fton Tuken për darkë, ndërsa Patukut i dëshirojnë qetësi, e dermanin ia dhashtë Zoti, në atë moment, ai pas gjithë atyre të zezave që ua kishte bërë, ngrihet në këmbë dhe i drejtohet Gjokës me fjalët: ”t’lumt goja zotni, por dermanin po vij e kërkoj edhe unë n’sofët tande”.

Regjisori Kushtrim Bekteshi, pasi i ra në gjurmë kësaj komedije, kuptohet pas shumë hulumtimeve edhe në terren, dhe duke e vlerësuar si prurje të re, që do sillte risi në këtë Festival me karakter ndërkombëtar, e zgjodhi si më të preferueshmen për pjesëmarrje në këtë ngjarje kulturore. Regjisori pasi e lexoi, e rilexoi dhe e studioi veprën e  botimit të plotë, ndoshta të parin e veprës, që gjendej në Bibliotekën Françeskane ”At Gjergj Fishta, Kolana e shkrimtarëve françeskanë, botuar në Shkodër, në vitin 2009, vendosi ta shfaqë në skenën e Festivalit të sivjetshëm. Duke e njohur mirë kronologjinë e zhvillimit të rrëfimit dramatik, regjisori i ndau edhe rolet, kuptohet, sipas vlerësimit të vet, dhe kështu duke i ndërtuar karakteret, që mund t’u përshtaten plotësisht personazhit, nuk  munguan as edhe rezultatet.

Trupa e Teatrit të Tetovës e pati fatin,  që komedinë ”Dredhitë e Ptukut” të Gjergj Fishtës, të shkruar sipas Molierit, ta realizojnë si të parën shfaqje të kësaj vepre me histori aq të veçantë nga një trupë profesionale. Aktorët e këtij teatri relativisht të rinj, por me një përvojë jo edhe të vogël, me këtë komedi shkëlqyen para publikut. Kryepersonazhin e komedisë, e realizoi me shumë sukses, aktori, tanimë i afirmuar, bartës edhe i shumë roleve kryesore, Arsim Fazlija. Ai në rolin e Patukut shkëlqeu në të gjitha aspektet, mbase karakteri aq kompleks i tij, me veprime të gjithanshme, kërkonte angazhim maksimal, përqëndrim, të theksuar, njohje të thellë të karakterit të personazhit, aftësi për t’u ballafaquar me momente të çastit dhe zhdërvjelltësi për t’u ikur situatave të paparashikueshme. Personazhin, që në skenë qëndron gjatë tërë kohës, duke e mbajtur pezull publikun, mund ta luajë aq bukur vetëm aktori me karakter të qëndrueshëm, të përgatitur fizikisht e me  botë të pasur shpirtërore, veti këto që në këtë rast nuk i munguan aktorit Arsim Fazlia. Dialoget e panumërta të Patukut me gjithë personazhet, aftësia e tij për të manipuluar me secilin, për t’ia arritur qëllimit, të përcjella me lëvizje skenike të shpejta dhe koncentrimi maksimal për zgjidhje momentale të situatave, ishin cilësitë e tij të përformancës, mbase edhe dhunti profesionale. Veçori tjetër e këtij roli është karakteri qendror i tij, rreth të cilit sillen veprimet e gjithë personazheve tjerë, prandaj aktori Arsim Fazlija para spektatorëve shkëlqeu më së shumti. Përveç lojës së tij, të përcjellë edhe me elementë regjisorialë, siç janë mimikat dhe akrobacione të ndryshme të lëvizjeve trupore, ajo që e vulos suksesin e tij në këtë rol, ishte gjuha specifike e të folmes shkodrane, karakteristikë kjo e tërë trupës teatrore, që humorin origjinal shkodranë e sollë para publikut tetovarë.

Dy rolet tjera gjithashtu të rëndësishme, që i luajtën aktorët e afirmuar të këtij teatri, tanimë me përvojë të gjatë në jetën teatrore, Arsim Kleci dhe Elmir Sejfullai, ishin poaq të rëndësishëm, meqë e tërë ngjarja lidhet me to, madje edhe roli i Patukut me tërë aventurat mashtruese, burojnë nga veprimi i dy prindërve, Tukes dhe Gjokës. Aktori Arsim Kleci që në rolin e Tukes vjen me peshën e një tregtari të pasur, fillimisht me qëndrim serioz dhe i pashqetësuar për sjelljet e  të birit, derisa ende nuk e kishte kuptuar të vërtetën për veprimet e tij. Ashtu si zakonisht, raportet e shegërtit, Patukut me Tuken, zhvillohen sipas regullave të relacionit mes shegërtit dhe padronit. Ky aktor, në rolin e përfaqësuesit të klasës borgjeze, shkodrane, me veshje qytetare me gjurmë nga e kaluara osmane, një koprac, që mbi të gjitha e vlerëson pasurinë, bie pre e zgjuarësisë së shegërtit të vet, i cili megjithate e bindi se rrezikun për jetën e djalit batakçi, nga kërcënues të ndryshëm mund ta eliminojë vetëm me para. Arsim Kaleci, edhe pse aktor serioz, i dëshmuar në shumë role të tij si i tillë, në mënyrë të shkëlqyeshme e luajti edhe rolin e viktimës derisa ishte i futur në thes nga shegërti i tij, për t’i shpëtuar kërcënimit nga ata që e kërkonin. Edhe ky aktor me shumë sukses i shprehu vetitë e kopracit  gjatë procesit të zhvatjes nga Patuku që  ishte më e theksuar se e vëllait të tij Gjokës, por që më në fund dorëzohet  kur mendon për rrezikimin e jetës së djalit, Linit.

Aktori Elmir Sejfullai  në rolin e prindit tjetër, Gjokës, lojën skenike ia përshtati plotësisht karakterit të këtij personazhi, që për ndryshim nga ai i Tukes, ky vjen me veshje ”alla franga” dhe nën ndikimin e rakisë. Lëvizjet gjatë ecjes me humbje drejtpeshimi dhe me të folmen e një pianeci tipik, që mezi kuptohet, ky aktor në skenë vjen plotësisht i tjetërsuar nga vetja, mbase kjo edhe është detyra kryesore e aktorit profesionist. Ai në mënyrë shumë të natyrshme e jetëson në skenë çdo situatë, qoftë edhe shpikje e regjisorit, siç e kemi rastin e paaftësisë së tij ta mbajë mend tekstin, që për shikuesit pranohet shumë mirë,  ide kjo e regjisorit, që vjen nga jeta teatrore, ku shpeshherë aktorët edhe e harrojnë rolin. Veprimi i tij në skenë, shpeshherë edhe në gjendje të dehur sipas rolit,  që nga fillimi i paraqitjes e deri në epilogun e demaskimit të Patukut, iu përshtat komedisë, madje duke i sjellë dimension të veçantë kësaj pjese të lojës, gjithsesi duke i ndejtur besnik të folmes së Shkodrës, që është edhe meritë e regjisorit dhe  përsonit të ftuar nga vet ai, për t’i trajnuar aktorët në aftësitë e përvetësimit të këtij dialekti, jo edhe të afërt me dialektin tetovar.

Personazhi i shegërtit të Gjokës u realizua gjithashtu me sukses nga aktori Sami Mustafa, i cili përveç se ishte më i ekspozuari në skene, pas Patukut, e bashkëpunëtori më besnik i tij, e luajti në mënyrë të përsosur edhe rolin e malësorit, të ardhur për hakmarrje. Ai edhe pse herë-herë në skenë luante naivin dhe njeriun e paaftë edhe për zanatin e vet, ia doli që ky rol t’i përshtatet në mënyrë të përkryer. Ky aktor i  kap shumë shpejt ndryshimet e momenteve të caktuara dhe kontrasteve, që i imponohen nga vet teksti e regjisori, prandaj do mbahet mend nga të pranishmit në sallë për ritmin e veprimit, nënshtrimin ndaj patronit të vet dhe zgjuarësisë për ta sfiduar dhe vepruar kundër tij, në mënyrën më mjeshtërore, kuptohet sipas planit të bashkëpunëtorit, kolegut shegërt, Patukut. I tërë ky  dimanizëm tronditës e emocional i lojës së tij realizohet në atmosferë plot humor, ku nuk mungojnë as goditjet satirike.

Dy personazhet tjerë, shumë të rëndësishëm, Leci dhe Lini, që e përbëjnë hallkën lidhëse mes Patukut dhe prindërve të tyre, u luajtën nga aktorët, Ermal Çanga dhe Arta Zejneli. Siç u pa edhe në shfaqje, rolin e Linit e realizoi një artiste me veshje tradicionale burrash. Përveç disa  ndërhyrjeve të regjisorit, në disa raste tjera të zhvillimit të ngjarjes, të parapara edhe në rrëfimin narrative të tij, edhe ideja që këtë rol mashkulli ta luajë një aktore femër, që gjithashtu është pjesë e spjegimit narrativ, është një risi, ndoshta për të prekur disa tradita të veriut të Shqipërisë, siç ishte edhe fenomeni i burrneshave. Sipas imagjinatës së regjisorit, prania e figurës së kësaj vajze në një shfaqje që duhej të jepej në Shkodër e kishte arsyen e vet, që është momenti kur njëri nga dy vëllezërit, aktorë, detyrohet ta ndërpres aktivitetin, meqë do nisej për kurbet, për ta zëvendësuar motra, që gjithashtu u tjetërsua në rolin e personazhit që iu ofrua nga regjisori, e që iu përshtat plotësisht. Ajo në rolin e Linit, para se të bëhet pjesë e aleancëes mashtruese të Patukut, nën kërcënimin e armës e detyroi atë t’i pranojë keqpërdorimet me paratë e familjes. Takimin me babain sapo të kthyar nga jashta shtetit, ajo diti ta luajë në mënyrë të përsosur, duke e përqafuar ate sikur nuk ka ndodhur asgjë, për t’u kthyer më vonë në anën e matrapazit Patuk, tek i cili e kërkonte shpëtimin.

Në rolin e Lecit u dallua edhe aktori Ermal Çanga, i cili  ndjenjën e fajtorit për veprimet aventuriere që kishte bërë, në mungesë të të atit, dhe frikën nga sanksionet, u lidh me Patukun. Dialoget me te dhe të tjerët që i zhvilloi, ishin tërësisht në përputhje me të riun  që për gabimet e bëra, kërkon shpëtim te ideatori i tërë kësaj tollovije, që e kishte sajuar për qëllime grabitëse, edhe pse  fillimisht shtirej se nuk do të hyjë në këso punësh, nga të cilat mund të pësojë.

Tandemi Ltini dhe Keli, që gjithashtu u bënë pjesë e lojërave  të fëlliqura të Patukut, që u realizuan nga Abdulla Osmani dhe Blerim Ismani, ishin gjithashtu të angazhuar maksimalisht, për ndërtimin e karakterit të personazheve. Aktori Abdullah Osmani, duke e njohur mirë përsonazhin, që fillimisht nuk ishte brenda skemave të planit të Ptukut, përmes dialogut me te, pasi i kuptoi dredhitë e tij, në mënyrë mjeshtërore, nga një shitës i zakonshëm, kaloi në taborrin e matrapazxhinjve për ineresa materiale, edhe pse fillimisht, nuk kuptonte pse Patuku insistonte në çmimin aq të lartë  të gëzofit, madje ky pranonte vlerën reale të asaj veshjeje. Tërë këtë transformim të karakterit, ai e bëri me mjeshtri, siç është edhe shtirja e tij kinse është një rumun, kur i maskuar luan rolin e dytë të një mbledhësi të gjërave të vjetra, ide kjo poashtu e Patukut, që si si konkurrent i Lëtinit, ta rrisin vlerën e gjërave që do ia shitnin atij. Edhe këtë kërkesë të Patukut për improvizimin e të folmes në gjuhën rumune e realizoi fare lehtë, me plot  tone kumori kur fjalëve shqipe ua shtonte disa mbaresa ose prapashtesa pa ndonjë kuptim. E tërë loja dhe pamja e tij se si ishte i veshur dhe ngarkuar me gjëra të vjetra, e shtonte fuqinë humoristike të shfaqjes.

Personazhi i Ltinit, më i veçanti nga të tjërët, meqë është një i huaj që kishte ardhur  në një mjedis shqiptar për grumbullimin e gjërave të vjetra, u realizua nga Blerim Ismani. Në rolin e një të huaji në një vend, ku  fillimisht vendasit nuk e kuptonin ardhjen e tij, madje as që kishin ide për rëndësinë e artefakteve, e as edhe Gjoka, me të cilin udhëtuan bashkë gjatë kthimit në Shqipëri. Ky aktor në mënyrë shumë të natyrshme e realizoi rolin e një të huaji, ku nuk mungonte as edhe fryma humoristike, sidomos kur tentonin të komunikojnë në disa gjuhë. I suksesshëm doli edhe qëndrimi i tij tjetërfare nga shqiptarët, që shoqërohej edhe me një dozë naiviteti, rrethanë e favorshme për mashtruesit vendës, të udhëhequr nga Patuku.

Një rol tepër i rëndësishëm për realizimin me sukses të shfaqajes, e sidomos në rolin e narratorit si imagjinatë e regjisorit, ishte ai i iaktores, Sheqerije Ilazi. Shfaqja edhe fillon me paraqitjen e saj, kur nën dysheme e gjen të fshehur dorëshkrimin e veprës “Dredhitë e Ptukut”. Ajo, në rolin narratorit u flet të pranishmëve në sallë, duke dashur tu ndihmojë, që shfaqen ta kuptojnë sa më mirë, edhe përmes spjegimit të shtesës imagjinative të  regjisorit. Paraqitja e kësaj aktoreje edhe pse fillimisht  jashta skemës së lojës skenike të komedisë, bëhet edhe pjesë e ekipit të aktorëve përmes rolit të Tutit, një personazhi, i cili i kërcënohet Linit për borxhin që i kishte. Aktorja Sheqerije Iljazi, nga spektatorët u prit me shumë  interesim, fillimisht duke e përcjellë rrëfimin e saj në gjuhën letrare  shqipe, ndërkaq në rolin e Tutit agresivitetin përmes të folmes shkodrane, siç vepruan të gjithë aktorët tjerë.

Me gjithë kompleksitetin e ngjarjes së komedisë dhe shfaqjes kaq impozante të kësaj vepre, për skenografin Betim Zeqiri, nuk pati ndonjë punë të madhe në përgatitjen e skenës, përveç një dyshemeje mbi dërrasat e hapësirës para publikut, prej nga u nxor kjo vepër e burgosur aq vite. Dsa fasha pëlhurash, në dukje si të vjetra e të lëshuara vertikalisht, prej nga hynin e dilnin në skenë aktorët, mjaftonin për të paraqitur imazhin e një sheshi në natyrë, mbase mund mendohej për shfaqjen kësaj komedie në Theth. Gjithsesi, pamja e fotografisë me aktorët e kohës, që mendohej se ishte e shkrepur nga Marubi, ishte dokumenti i vetëm origjinal, që shërbente si lidhëse e kohës së shfaqjes në Tetovë, me kohën kur kjo vepër ishte ende e lirë dhe shfaqej lirisht në Shkodër e rrethinë.

 Emira Ymeri, si kostumografe, çështjen e veshjes së aktorëve e kishte zgjedh në mënyrë profesionale, e në harmoni me kohën kur është shkruar vepra. Veshja qytetare shkodrane, që dallon shumë nga rajonet tjera shqiptare, madje edhe nga ajo e banorëve ë Malësisë së këtij rajoni, që karakterizohet me plisin e bardhë, tirqit, xhemadanin etj., në kohën kur sapo Shqipëria e kishte fituar pavarësinë, kishte edhe elemente orientale, siç është kapela e rrafshtë me ngjyrë të kaftë ose të kuqrremtë, i njohur si “fes”, dhe shallvarët në vend të tirqve të bardhë me gajtan të zi, fakt ky që e dëshmon edhe fotografia origjinale.

Muzika e zgjedhur nga kompozitorja Teuta Halimi Selmani, shfaqjes i jepte ngjyrimin e kulturës shqiptare, sidomos më këngën e bukur shkodrane, me të cilën edhe filloi shfaqja. Edhe në zhvillimet në vazhdim të ngjarjes, ku mbisundonte humori e satira, tonet muzikore ishin në përputhje me lojën skenike të aktorëve.

Një punë e shkëlqyeshme e regjisorit, që vlen të theksohet, është angazhimi i tij në përvetësimin e mrekullueshëm të së folmes shkodrane, nga aktorët, që e flitnin me aq origjinalitet. Për këtë sukses të madh gjithsesi meritë të madhe ka edhe konsulenti shkodran Enrik Shabani, që bashkë me regjisorin Bekteshi, të folmen e  Tetovës e shndërruan në atë shkodrane, që e realizuan me aq besnikëri.

Fishta me komedinë e përshtatur bëri jehonë, që në gjalljen e tij dhe disa vjet më vonë. Pastaj ndodhi harresa e plotë. Vet teksti u zhduk dhe Patuku nuk u ngjit më në skenë. Mbase me dredhitë e tij mund të vijojë, që të bëjë për të qeshur spektatorin. Në mos e arriftë këtë, së paku mund t’i bëjë të skuqen disa nga dredharakët e sotëm, përballë të cilëve Patuku i Fishtës duket si një engjëll (Shih te Gëzim Puka, “Dredhitë e Ptukut”… Shejzat, 2003: 138)

Dhe krejt në fund, këtë trajtesë desha ta përmbyll me konstatimin se qëllimi i dy autorëve, Molierit dhe Fishtës ishte i njëjtë, ashtu si edhe ngjashmëria e veprimeve të personazheve të veprave të tyre, Scapin-it dhe Patukut, të cilët  edhe pse prej një trungu të përbashkët, u takojnë dy kohërave dhe  traditave letrare të dy popujve, atij francez dhe atij shqiptar.

Literatura:

-At Gjergj Fishta, Dramatika 3, botimi I, Botime françeskane, Shkodër 2009.
-At Gjergj Fishta, vepra 5, Lezhë 2012 (Pasthënia, Fishta dramaturg, nga Tonin Çobani).
-At Gjergj Fishta, vepra 7, Lezhë 2012, poema ”Metamorphosis”.
-Revista ”Shejzat”, nr. 3-4 Romë 2003 (Gëzim Puka, ”Dredhitë e Patukut” e Gjergj Fishtës si ”dredhi”tekstuale për prurjen e Molierit ndër shqiptarë.

ObserverKult


Lexo edhe:

BESARTA MURTEZANI: NUK KA KËNAQËSI MË TË MADHE SE KUR NDJEN FRYMËN TËNDE TË “KLONUAR‘” NËPËR GJENERATA