Kompozitori i parë i muzikës së kultivuar shqiptare

Lindja e muzikës së kultivuar shqiptare është shumë më e vonë se ajo evropiane, por lidhja mes tyre nuk mund të mohohet.

Në të parat vepra të muzikës së kultivuar shqiptare shihen qartazi influencat e simotrave të veta më të mëdha evropiane, kompozime të Bahut, Hendelit e Bethovenit.

I pari kompozitor i kësaj muzike në Shqipëri njihet meshtari françeskan Atë Martin Gjoka. Ai lindi në Tivar në vitin 1890 dhe gjithë jetën ia kushtoi muzikës, për përvetsimin e së cilës i futet punës që në moshë të hershme. Në biografinë e botuar nga Marian Shestani si pjesë e librit “Shkodra, kontributet në traditat kulturore e artistike shqiptare”, thuhet se ishte nxënës i dirigjentit të mirënjohur të orkestrave frymore, Frano Ndoja.

Rezultatet më të mira, Martini i ri i arriti në studimin e pianofortes, por nuk la pas as studimin e violinës dhe flautit të cilat i përvetsoi gjithashtu shumë mirë.

Duke ndjekur shembujt e kompozitorëve të shquar evropian si Bah, Hendel, Hajden e Bethoven, nisi përpjekjet e para për të shkruar muzikë. Fillimisht, ai skicoi strukturat e dy fugave të Bethovenit, skicime të cilat u vlerësuan nga muzikantët e kohës. Pas kësaj, provon të kompozojë edhe ai vetë krijime që t’i përkisnin kësaj gjinie të ndërlikuar muzikore.

Kur vërehet kjo dëshirë e cila ndërthurej me aftësinë e tij për të kompozuar, superiorët e tij françeskan e çojnë me studime në në Salzburg ku mori kulturën e duhur muzikore e cila do t’i shërbente në gjithë krijimtarinë e tij.

Në vjeshtën e vitit të pavarësisë, rikthehet në Shqipëri dhe emërohet si mësues në shkollën françeskane, ndërsa, me hapjen e liceut “Illyricum” në tetor të 1921 emërohet mësues i histori – gjeografisë ku vihen në dukje aftësitë e tij pedagogjike, karakteristikë kjo për françeskanët.

Kur në vitin 1924 shkon për urim te shtëpia e Bajram Currit, ai e pret përzemërsisht dhe e përcjell me fjalë dhe lavdërime të mëdha: “Ju uratë vazhdoni me me punue pa u lodhë për idealin kombtar dhe përparimin e vendit!”.

Vdiq në 3 shkurt të vitit 1940 në Shkodër duke lënë pas me qindra kompozime me vlerë shumë të madhe muzikore dhe studimore.

Me ardhjen e komunizmit, gjithë krijimtaria e tij u sekuestrua nga biblioteka e Kuvendit Françeskan të Arrës së Madhe në Shkodër dhe u dërgua në Arkivin Qëndror të Shtetit në Tiranë duke u ndarë në 70 dosjet përbërëse të Fondit “Martin Gjoka”.

Pas viteve ’90, krijimtaria e tij është bërë objekt studimesh nga disa muzikolog serioz si Tonin Zadeja i cili ka botuar në vitin 2006 në “Jeta kulturore e Shkodres” edhe kapitullin “At Martin Gjoka – figurë e shquar e muzikës shqiptare” si dhe studiuesi Robert Prenushi i cili botoi për Atë Martin Gjokën një monografi të plotë sëbashku me veprën e tij muzikore.

Sipas Marian Shestanit, Atë Martin Gjoka radhitet një nga gurët e themelit të ndërtesës së traditës muzikore shqiptare.