Koncerti i Orkestrës së Harqeve çeli siparin e sezonit të ri artistik post-COVID

Koncerti i Orkestrës së Harqeve hapi siparin e sezonit të ri artistik post-Covid, mbrëmjen e kaluar në Elbasan.

E pranishme në këtë koncert ishte ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Evis Kushi njëherazi edhe deputete në Elbasan, kryetari i bashkisë, Gledian Llatja si dhe përfaqësues të tjerë të jetës publike e politike.

Kushi u shpreh se performanca e Orkestrës së Harqeve Elbasan dhe zërat e mrekullueshëm të Kastriot Tushës dhe Ulpiana Aliaj e shtuan më shumë magjinë e lagjes “Kala”.

“Performanca e Orkestrës së Harqeve Elbasan dhe zërat e mrekullueshëm të Kastriot Tushës dhe Ulpiana Aliaj e shtuan më shumë magjinë e lagjes “Kala” të qytetit tim të zemrës. Si gjithmonë, edhe me këtë koncert klasik, mjeshtrat tanë Blerim Narazani dhe Zeqir Sulkuqi dëshmuan se dinë të bëjnë vetëm më të mirën. Mirënjohje e respekt për punën tuaj”, tha Kushi.

Nga ana e tij, kryetari i bashkisë së Elbasanit, Llatja tha se virtuozët Kastriot Tusha dhe Ulpiana Aliaj performuan pjesë klasike për të ftuarit në Kishën “Shën Maria” në Kalanë e Elbasanit.

“Koncerti i Orkestrës së Harqeve hapi siparin e sezonit të ri artistik post-Covid. Virtuozët Kastriot Tusha dhe Ulpiana Aliaj performuan pjesë klasike për të ftuarit në Kishën “Shën Maria” në Kalanë e Elbasanit. Shumë suksese mjeshtrave Blerim Narazani dhe Zeqir Sulkuqi për programin e përzgjedhur’’, u shpreh Llatja./ATSH