Kori Siparantum përfaqëson Kosovën në festivalin prestigjioz ‘Universitas Cantat ’ në Poloni

Kori Siparantum nga sot 14 maj e deri më datë 19 maj do ta përfaqësojë kulturën shqiptare në festivalin e njohur “Universitas Cantat”, i cili do të mbahet në Poznan të Polonisë.

Kështu ka bërë me dije përmes një njoftimi në llogarinë e tij Facebook, dirigjenti i Korit Siparantum, Memli Kelmendi.

“Duke udhëtuar sot me Korin Siparantum, ne jemi të përkushtuar për të përfaqësuar kulturën tonë në këtë ngjarje të rëndësishme kulturore.
Poznań, qyteti që po na pret, është një qendër e rëndësishme për artin koral në Poloni, me një histori të pasur në këtë fushë. Auditori kryesor i festivalit, Salla e Universitetit Adam Mickiewicz, është një vend i magjishëm për performancat kore dhe për akustikën e tij të jashtëzakonshme. Programi ynë fillon me një koncert në Cultural Centre në Pobiedziska më 15 maj në orën 19:00, ku do të prezantojmë kompozitorë shqiptarë dhe trashëgiminë tonë muzikore. Koncerti i dytë do të mbahet më 16 maj në AMU Concert Hall, ku korit nga vende të ndryshme të botës do të bashkohen për të shpalosur një spektakël të madh kulturor”, ka shkruar Kelmendi në statusin e tij në Facebook.

Në koncertin final “të gala-s”, sipas Kelmendit, Kori Siparantum dhe koret e tjera pjesëmarrëse do të shfaqen në AMU Concert Hall për të interpretuar veprën “INCANTATIO” nën drejtimin e Anna Duczmal-Mróz, bashkë me Amadeus Chamber Orchestra of Polish Radio.



ObserverKult


Lexo edhe:

MEMLI KELMENDI ZGJEDHET ANËTAR I KËSHILLIT BOTËROR TË KOREVE

Dirigjenti Memli Kelmendi është zgjedhur anëtar i Këshillit Botëror të Koreve apo “World Choir Council”. Anëtarësimi i Kelmendit nënkupton që Kosova për herë të parë do të ketë një përfaqësues në rrjetin më të madh të koreve, në mesin e 80 shteteve nga mbarë bota.

Këshilli Botëror i Koreve është bordi më i lartë ndërkombëtar këshillimor i rrjetit “Interkultur” për çështje artistike. “Interkultur” është një rrjet i organizatave jofitimprurëse që ndjekin një interes të përbashkët për të mbështetur kulturën në nivel ndërkombëtar. Është themeluar në vitin 1990 nga gjermani Gunter Titsch, një këngëtar kori i pasionuar, shkruan sot “Koha Ditore”.

Tekstin e plotë mund ta lexoni KËTU:


MINISTRI LAVDËRON KORIN SIPARANTUM: PO I SJELL VENDIT SUKSESE TË MËDHA

Kori Siparantum, në krye me dirigjentin e njohur Memli Kelmendi me punën e mrekullueshme që po e bën po e përfaqëson vendin në mënyrën më të mirë.

Madje po i sjell edhe çmime si në rastin e fundit, ku u shpërblye me medaljen e artë në ‘Grand Prix of Nations’ në Suedi.

E për të biseduar për projektet që janë duke punuar, e planet për të ardhmen, ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit të Kosovës, Hajrulla Çeku ka takuar së fundmi dirigjentin dhe udhëheqësin e korit Memli Kelmendi, të cilin e përgëzoi për suksesin e fundit.

Tekstin e plotë mund ta lexoni KËTU:

ObserverKult