Kosova hap pavijonin e saj në Bienalen e Venecias

Artistja Doruntina Kastrati po e përfaqëson Kosovën në edicionin e 60-të të Bienales Ndërkombëtare të Artit në Venecia me instalacionin e saj skulpturor “Heshtjet kumbuese të metalit dhe lëkurës”, kuruar nga Erëmirë Krasniqi dhe me komisionere Hana Halilaj.

Kjo ngjarje e organizuar nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit të Kosovës u bë pjesë e një prej ngjarjeve më të mëdha artistike të nivelit më të lartë botëror.

Tema e përgjithshme e këtij edicioni të Bienales “Të huaj kudo”, nën drejtimin artistik të kuratorit brazilian Adriano Pedrosa, ka mbledhur mbi 80 pavijone kombëtare dhe ka bërë bashkë rreth 300 artistë nga vende të ndryshme të botës.

Kështu ka njoftuar MKRS-, së fundmi nëpërmjet një njoftimi për medie.

Projekti artistik “Heshtjet kumbues të metalit dhe lëkurës” ka për fokus gratë në ekonominë e periudhës së tranzicionit ndërsa trajton punën e feminizuar, pabarazitë në vendin e punës dhe pasojat e tyre në një fabrikë llokumesh në Prizren.

Instalacioni përbëhet nga katër vepra skulpturore: dy të modeluara sipas gëzhojave të arrave që përdoren në prodhimin e llokumeve dhe dy të modeluara sipas protezave kirurgjike, të cilat reflektojnë operimet që u janë nënshtruar këto gra për shkak të orareve të gjata të punës në këmbë.

Në hapjen e pavijonit të Kosovës ndër të tjerë ishin të pranishëm u.d sekretari i Përgjithshëm i MKRS-së, Xheladin Krasniqi, këshilltaret e ministrit, Rozafa Imami, Gentiana Pallaska dhe zyrtarë të tjerë të MKRS-së.

Ndryshe bienalja Ndërkombëtare e Artit do të jetë e hapur për publikun deri më 24 nëntor 2024.



ObserverKult


Lexo edhe:

DORUNTINA KASTRATI PËRFAQËSON KOSOVËN NË EKSPOZITËN E 60-TË NDËRKOMBËTARE TË ARTIT NË BIENALEN E VENEDIKUT

Artistja Doruntina Kastrati do të përfaqësojë Kosovën në Ekspozitën e 60-të Ndërkombëtare të Artit në Bienalen e Venedikut në vitin 2024. Kjo me projekt propozimin e titulluar “Heshtjet Kumbuese të Metalit dhe Lëkurës”, të kuruar nga Erëmirë Krasniqi dhe me komisionere Hana Halilaj.

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, e ka shpërndarë këtë lajm në rrjetet sociale dhe artistëve u ka uruar shumë suksese në Bienale.

“Padyshim ky projekt ka potencial të madh për t’u bërë një hap i rëndësishëm në trajektoren e Pavijonit të Kosovës. Përgëzime dhe shumë suksese në Bienale”, ka shkruar Çeku.

Tekstin e plotë mund ta lexoni KËTU:


INAUGUROHET PAVIJONI I KOSOVËS NË BIENALEN E VENEDIKUT PËR VITIN 2021

Dje u bë inaugurimi solemn i Pavionit të Republikës së Kosovës në Ekspozitën e 17 Ndërkombëtare të Arkitekturës në Bienalen e Venedikut. Në këtë edicion Republika e Kosovës përfaqësohet nga artisti dhe arkitekti i mirënjohur Maksut Vezgishi, me projektin “Conteinporary”, ideuar dhe kuruar bazuar në temën e përgjithshme të Bienales “How will we live together”.

Sipas autorit të veprës ‘CONTAINER’ është një ‘objekt’ i madh i hapur, i destinuar për ngarkimin e ‘PËRMBAJTJEVE’ të ndryshme. Ka formë, funksion dhe dizajn të jashtëzakonshëm. Ndodhet në çdo komunë. Rreth këtij kontejneri mbetet i hapur peizazhi i ndërtesave të ndërtuara për të qenë të përjetshme.

Tekstin e plotë mund ta lexoni KËTU:

ObserverKult