Kriset nga brenda minareja e xhamisë së Et’hem Beut, ja çka thonë nga Instituti i Trashëgimisë Kulturore

Prej dy vitesh, xhamia e Et’hem Beut është në proces restaurimi nga Agjencia Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim, TIKA. Por, gjatë ditës së djeshme përfaqësuesi i Forumit të Komunitetit Mysliman, Roald Hysa denoncon dëmet që kanë ndodh në minaren e kësaj xhamie, përmes një video që ka realizuar ai vet.

“Fushata elektorale, s’ka lidhje me xhaminë e Et’hem Beut, unë me miqtë e mi mbajmë gjallë interesin e publikut për të. Video është bërë nga unë edhe kolegu im, ne kemi qenë brenda minares edhe e kemi kontrolluar nga fillimi deri në fund. Brenda janë bërë punime, por problem i madh është tek sherefeja sipër. Tek ballkoni që del muezini, pjesa e poshtme është në pjesën rrethore e plasaritur. E kanë parë këtë plasaritje, edhe e konsiderojnë që mund të mbaj. Minarja është rindërtuar në vitin 1945 dhe duken shenjat e llacit të vjetër, në ndryshim me llacin e ri që janë bërë kohët e fundit. Ne nuk kemi interes që të gënjejmë për këtë gjë”, tha Roald Hysa, përfaqësues i forumit të Komunitetit Mysliman.

Pas këtij publikimi drejtoresha e Institutit  të Trashëgimisë Kulturore, Arta Dollani, teksa pranon vërtetësinë e saj, shprehet se dëmet janë si pasojë e tërmetit edhe nuk kanë asnjë rrezik për strukturën e xhamisë.

 “Së fundmi, e kam inspektuar sot xhaminë. Të shtunën isha ne xhami, për shkak të një vije që u paraqit në trupin e minares, por që në fakt ishte material izolues që ishte vendos gjatë restaurimit për ta mbrojt nga kushtet atmosferike. Nga larg ky material dukej si vijë krisje, prandaj ndërmorëm edhe procesin e pastrimit që zgjati për pak minuta. Nuk ishte i plotë ky proces restaurimi. Edhe ishte lënë për më vonë. Kam parë objektin në vend, ku kemi konstatuar edhe parë, jo vetëm atë pjesë, por në momente të ndryshme, sidomos pas tërmetit, janë bërë inspektime peridodike nga grupet dypalëshe, turqit edhe shqiptarët, që supervizon xhaminë në mënyrë periodike. Sigurisht që pas tërmetit u konstatuan disa krisje në vendet lidhëse midis gurëve, edhe llaci lëviz aty ku kemi një lëvizje. Kjo është një ndër to, kemi një tjetër që u shfaq në suvanë e kupolës që kemi pikturat murale. Të gjitha janë të raportuara edhe të parashikuara, jemi në një kantier në proces edhe janë të gjitha të parashikuara për t’u zbatuar në momentin e vet. Nuk ka asnjë rrezik edhe asnjë dëm rikonstruktiv. Ky projekt i realizuar nga TIKA ka garanci dhe një vit pas punimeve. Shifra e punimeve do të dalë pasi të mbyllet kantieri. Kjo shifër është e ofruar nga donatorët, edhe nuk dimë as datën e fillimit edhe as të mbarimit. Pasi është kantieri shumë dinamik”, thotë Dollani, drejtoreshë e ITK.

Tri ditë më parë edhe kulla e minares së xhamisë  Et’hem Beu u bë objekt denoncimesh se në të kishte krisje, por Arta Dollani tha se nuk bëhej fjalë për krisje, por mbetje silikoni nga çatia mbrojtëse, gjë që u pastrua nga Bashkia e Tiranës pas pak orësh. Ndërtesa e Xhamisë së Haxhi Et’hem Beut ka nis të ndërtohet në vitin 1793 dhe përfundoi në 1830-’31. Është shpallur Monument Kulture i kategorisë së parë në vitin 1948.