“Kthehu nga drita“, libri i ri me poezi

Nga: Violeta Allmuça

Pas vëllimit të mëparshëm me poezi në gjuhën shqipe dhe gjermane “Kalëruese e dhembjeve jam“, Kimete Zahiti vjen me vëllimin e ri poetik, “Kthehu nga drita“. Ajo i qaset artistikisht me shenjën e “dritës“, vargjeve autentike në një botë të hapur, pikërisht në lëvizjen e saj drejt poezisë bashkëkohore që vjen nga ligjërimi letrar i autores dhe shpaloset në të përditshmen, duke na sjellë njeriun në kohë dhe hapësirë. A është kjo lëvizje kah “drita“ e krijueses për lexuesin, me shije estetike, ku ajo na ofron vargjet e saj, thurur me lëndë jetësore dhe shpirtërore?

Si bashkëkohëse e frymës lirike autorja na përcjell realen dhe ndjenjat e saj në këtë libër me poezi. Brenda këtyre vargjeve pasqyrohet në kuptimin më të gjerë, simbolika e një fenomeni që e sjell poezinë, po aq të vërtetë si “drita“. Produkti letrar duke qenë një formë e produktit shpirtëror shndërrohet në një strukturë të gjuhës artistike, në pothuajse të shumë prej poezive të librit, ku ekzistenca e lirisë, atdheut, vendlindjes, e bukura dhe shëmtia e kohës njerëzore përbëjnë çastet e dhimbjes dhe shpresës së autores. Nëpërmjet figurave artistike, veçanërisht metaforës dhe mjeteve shprehëse që përdor, ajo na zbulon me mjeshtëri një vepër të mirëfilltë letrare. Esenca e vargjeve të poezisë së Kimete Zahiti Tërnavës shënon bindshëm vlera ideoartistike, pra thjesht poezia e saj është art poetik.