Gjithmonë mes librave por edhe njerëzve ish-ministrja Mirela Kumbaro rrëfeu për librin që sapo ka përkthyer, politikën dhe veten e saj. Një rrëfim ndryshe për Mirelën si përkthyese e një autori që ajo e adhuron por edhe për profesionin e saj i cili shpeshherë e ka përballur me sfida të mëdha.
Milan Kundera është një autor i veçantë për të, ndaj ajo ka sjellë në shqip disa libra të tij, ku i fundit është ‘ Ngadalësia’ ka pak fare ditë që ka ardhur tek lexuesi shqiptar i përkthyer nga Mirela Kumbaro. Ish-ministria e kulturës tregoi për lidhjen e veçantë me autorin, shpejtësinë e jetës në politikë dhe ngadalsinë që duket se ka humbur vitet e fundit:
“Është një autor të cilin e adhuroj, jo kështu në kuptimin idilik të fjalës, por për vrazhdësinë e saj, por Milan Kunderën me të cilin unë jam mpleksur në vitet 90’ sidomos mes viteve 90’ kur e zbulova sepse Milan Kundera ka qenë një autor I ndaluar para viteve 90’. Leximi dhe rileximi i Kunderës në vitin 97’ ka qenë për mua një lloj psikoterapie që më ka bërë shumë mirë dhe tundimi parë ishte që të mos mjaftohesha me kaq por të futesha brenda ‘ Shakasë’ këtij teksti të rëndë, të vrazhdë,në të njëtën kohë të pamëshirshëm. Mbas kësaj erdhën libra të tjerë, dhe sot pasi ka dalë ‘ Ngadalësia’ jam tek një libër tjetër i katërt që quhet ‘Një takim’”, u shpreh ajo.
Një nga temat kryesore në roman është edhe shpejtësia me të cilën jetohet jeta sot, por cilët janë ‘demonët e shpejtësisë’ që kontrollojnë jetonë tonë tashmë:
“Ky modernitet, ritmi i shpejtë i jetës, gjithë investimet që shoqëria njerëzore bën për ta bërë edhe më të shpejtë seç është jetën me teknologjinë, me ato piketat që i vendos gjithmonë e më të rrëmbyera kthehet në demonë. Moderniteti të zë poshtë”, tha ajo.
Por si e ka ndryshuar politika jetën e saj, shpejtësia me të cilën duhet të përshtatet tani:
“Në kuptimin e shpejtësisë, unë edhe në jetën time të mëparshme profesionale gjithmonë kam rendur. Kjo është çështje individuale por ndryshimi madh midis jetës që bëja më përpara kur isha vetëm në profesion dhe jetës që bëj tani kur jam në politikë tepër e ekspozuar është që atje e kontrolloja shpejtësinë, tani unë nuk e kontrolloj dot më shpejtësinë, që do të thotë nëse unë do të doja në një moment të ngadalësoja, apo ta fikja dritën e kisha këtë mundësi, tani unë nuk e kam më këtë mundësi sepse e tillë është përgjegjësia publike”, rrëfeu ajo.
Ndërsa foli edhe për faktin se përse është kaq e rezervuar me jetën e saj private:
“Jeta e një personi publik nuk është kopshti zoologjik, kur shkohet në kopshtin zoologjik të gjithë rrijnë tek kafazët dhe shikojnë kafshët sesi lëvizin, sesi jetojnë. Familja e një personi publik nuk është kopshti zoologjik i publikut. Fëmijët e mi janë të rritur, unë nuk kam asnjë të drejtë t’i përdor ata. Më duket gati perverse, më duket shkelje e të drejtave të njeriut dhe në fund përgjegjësia në raport me publikun është vetëm e imja’’ përfundoi ajo./shqiptarja.com