Ernesto Sabato, shkrimtari i madh argjentinas me origjinë shqiptare, mbërriti në Shqipëri në një ditë të mesit të prillit të vitit 1996. Rinasi, i vetmi aeroport ndërkombëtar në veriperëndim të kryeqytetit shqiptar, priste pasagjerët e tij. Sabato zbriti thjesht, me kapelën e tij, vendosur gjysmë mënjanë, me syze të errëta dhe një pardesy hedhur shkarazi në supet e tij prej shkrimtari.
Mbërriti në Shqipëri në një moshë kur vitet nuk premtojnë ndërmarrje të tilla që duan guxim dhe aventurë. Shkronjësi i karaktereve të paharruar të Martin Bruno, Juan Pablo, kishte mbërritur në Tiranë, pasi kishte kaluar në Paris, ku ishte ambientuar me klimën e kontinentit plak për të qenë paskësaj i pranishëm në një ceremoni që do t’i dorëzonte çmimin ndërkombëtar “Kadare’ .
”Jam shumë i emocionuar që ndodhem këtu, sepse një e katërta e gjakut tim është shqiptar”, pati thënë Sabato për ATSH-në në atë ditë prilli.
Me prejardhje nga Kalabria e Italisë, i cilësuar si i barasvlefshëm me Borges, Marquez, Cortazar, atë ditë me re grindavece ai nuk harroi të tregonte se në studion e tij kishte një gravurë veneciane të heroit të madh të shqiptarëve, Gjergj Kastriot Skënderbeut.
Në fakt, kishin kaluar disa muaj që ai kishte pohuar se do të vinte në Shqipëri për të marrë këtë çmim dhe që atëherë e kishte konsideruar këtë vizitë në Shqipëri “një rikthim të lumtur tek stërgjyshërit e mi’.
“Unë e admiroj popullin shqiptar për qëndresën e tij në shekuj”, ishte shprehur njeriu i madh i letrave.
“Me cilët nga personazhet tuaj do të mund të identifikoheshit sot”, e pyetën. Bëhej fjalë për personazhe që e bënë të njohur në të gjithë botën me librat që ai shkroi, si “Tunel”, “Alejandra” dhe “Engjëlli i errësirës”.
Vështroi pak dhe tha: “Të gjithë janë mishërime të inkoshiencës sime, e cila asnjëherë nuk gënjen. Të gjithë jemi një përzierje e mirësisë, e së keqes, e ateizmit, e besimit, e bujarisë, e egoizmit, e mirësisë, e frikës dhe e trimërisë”.
I pyetur se çfarë e shtynte të shkruante, tha instinkti e jo arsyeja.
“Arsyeja nuk i shërben ekzistencës. Arsyeja i shërben teoremave dhe fabrikimit të aparateve. Shpirti i qenieve njerëzore në thellësinë e tij nuk është për gjëra të tilla”, tha ai.
Estet dhe filozof, kur ka shkruar shumë ese e kritikë mbi artin në përgjithësi dhe procesin krijues, Sabato tha paskësaj se përpara personazheve të tij ndihej si përpara qenieve me mish dhe me kocka dhe se e gjitha ishte një shprehje paksa e vështirë për t’u shpjeguar.
Matilde Kusminsky Richter ishte gruaja e tij. Por, ka thënë se ka patur edhe dashuri tjera, si çdo qenia njerëzore.
“Disa më të forta se të tjerat. E çfarë? Kultura të mëdha në lashtësi kanë qenë poligame. Vetëm në këtë shoqëri hipokrite dhe borgjeze fshihet tendenca natyrale e qenies njerëzore”.
Gjatë qëndrimit të tij disaditor në Shqipëri, Sabato, larg pranisë së gazetarëve, vizitoi Muzeun Historik Kombëtar në Tiranë, Muzeun Arkeologjik në Durrës, ku u mësua të ishte shprehur se kishte patur një rast të njihej me historinë e stërgjyshërve të tij.
“Unë doja të vizitoja edhe Muzeun Historik të Krujë”, ishte shprehur Sabato, “sepse ruaj një respekt të veçante për Skënderbeun, por ja që mosha bëka të vetën”.
Në një konferencë për shtyp ai u tha gazetarëve se “gjatë qëndrimit të tij në Shqipëri kujtova shumë nënën time, e cila është me prejardhje shqiptare. E gjithë Shqipëria më do shumë dhe unë i shpreh shumë mirënjohje”.
“Kur mora vesh se po qëndroja në vilën e ish-diktatorit Enver Hoxha, kërkova menjëherë të më largonin që aty. Unë nuk mund të qëndroja në atë tmerr”, tha Sabato, i cili kishte kaluar momente të vështira gjatë diktaturës ushtarake në Argjentinë. “Unë nuk kam ardhur në Shqipëri pikërisht prej kësaj diktature”, u shpreh ai.
Shumë vite më parë kishte qenë ‘politika’ e tij që e kishte distancuar nga një mik dhe njëherazi nga një emër i madh i letërsisë së Argjentinës dhe i botës, nga Borges.
“Unë gjithnjë kam qenë i veçantë për të bërë armiq”, kishte thënë atëherë Sabato , duke iu kundërvënë shkrimtarit të madh gjatë regjimit të Peronit.
Sabato vdiq në moshën 99-vjeçare në shtëpinë e tij në Santos Lugares, provinca e Buenos Airesit, ne qershor të vitit 2011. Dy javë më parë ai kishte marrë një bronkit dhe në moshën e tij kjo ishte fatale. Autori i “Tuneli” (1948), “Heronj dhe varre” (1961) etj. do mbushte 100 vjeç më 24 qershor të atij viti./ATSH
Lexo edhe: