Është një mrekulli që të shohësh një gjigand të letrave shqipe si Faik Konica të ketë si bazë një legjendë tjetër, Lord Bajronin. Kjo vërtetohet fare mirë nga dokumentet ku është Konica, ai që na sjell nëpërmjet “Albania-s” një episod të bukur nga jeta e Bajronit, gjeniut të Letrave klasike botërore, kur, rrethuar mes miqsh, ai këndon një këngë shqipe, gjatë një shëtitjeje me anije mbi lumin Rhin në Gjermani, në mes të Evropës.
Le ta përfytyrojmë një çast skenën: një perëndim dielli që flakëron valët e qeta të Rhinit; një anije e vogël që rrëshqet mbi të dhe, mes litarësh të një direku, një rini gazmore e gumëzhitëse. Dhe ja një Bajron – të cilin e përfytyrojmë edhe të veshur shqiptarçe – ulur bash këmbëkryq në bash të anijes, tek ia merr një labçeje… labçe me sa në kokë, që e ka mësuar mes trimave të tij shqiptarë! Një skenë e tillë përfytyruese, e denjë për pikturë murale nuk ka si të mos shfaqet po aq madhështore sa dhe vetë tabloja e Thomas Phillips që përjetësoi Bajronin veshur me kostumin shqiptar.
Bajroni na shfaqet si pika e fillesës së veprës koniciane që nga “Albania”, te “Dielli” e deri te “Shqipëria, kopshti shkëmbor…”
Fakti është se që në shkrimin e parë monumental hartuar në frëngjisht “Gjuha e bijve të shqipes“, që çel “Albania-n”, Konica i referohet Bajronit sepse, kush tjetër mund të ishte në atë vend, ashtu siç dhe ka përmendur vetë Konica “ai ka përshëndetur i entuziazmuar shqiptarët me vargje të pavdekshme”, në këngë “me burim hyjnor”.
Dhe, po në numrin e fillimit të “Albania”-s, në një shkrim të dytë, qëndisur përsëri në frëngjisht dhe posaçërisht për lexuesin e huaj, Konica jep “Udhëtimin e Lord Bajronit në Shqipëri”, duke përkujtuar kohën “kur Ballkani gjëmonte nga emri i një Shqiptari”, Ali Tepelenës, dhe kur lavdia e këtij Burri, nga brumë i moçëm pirrik “ishte shtrirë gjer në Perëndim”, transmeton ‘konica.al’.
Konica njihte vetëm një idhull, Shqipërinë të cilën ai e përjetësoi te “Albania” e vet. Ishte liria e Shqipërisë dhe Shqipëria moderne. Konica e filloi “Albania-n” me Bajronin, sepse edhe vetë Bajroni e filloi “Çajld Haroldin”, veprën e tij famëmadhe në Janinë, kryeqyteti i atëhershëm i Shqipërisë. Konica e filloi “Albania-n” me kozmopolitin fisnik Lord Bajron, sepse edhe vetë Faik Bej Konica rridhte nga gjaku fisnik i Ali Tepelenit, i atij Pashai që me trimat e vet u bë mburoja e Bajronit në Greqi. E filloi me Bajronin sepse ishin pikërisht vargjet e tij të fuqishme që shenjtëruan “Dheun e Shqipërisë që lindi dy Iskanderë”, Aleksandrin e Madh dhe Gjergj Kastriotin, si dhe bekuan “Shqiptarët që e pritën me mireseardhe në dyert e tyre të hapura”. Andaj dhe populli i këndon Bajronit, sa tund dhenë:
“Lord Baroni ill i rrallë, / Që kish mik Ali Pashanë, / Shkoi e luftoi për Elladhë, / Po trimat i kish shqiptarë, / Si besnikë e kordhëtarë.”
Lord Bajroni në një ndër udhëtimet e tij në Shqipëri, mblodhi disa këngë shqipe. Jo vetëm i mblodhi, por dinte edhe t’i këndojë. Në jetë të tij mësojmë se, duke qenë një herë me disa miq në të shëtitur në një anije mbi Rhin të Gjermanisë, u tha miqve: “Daleni, t’ju këndoj një këngë shqipe”. Të gjithë pushuan, thotë shkruesi i jetës së tij, e vjershëtori ia dha një mënyre ulërimit që i çuditi të gjithë (duket do të ish ndonjë këngë vajtimtare e Toskërisë). – Nga ato këngë që kish mbledhur, Lord Bajroni shtypi vetëm dy me notat [shënimet] që ia shtoi Çajld Haroldit. Por, ato këngë janë aq liksht të përshkruara, sa s’i merr dot kush vesh, përveç ca fjalë tej e këtej. Na u duk pra punë për t’u vënë re të shtypim nga një anë këngët ashtu si i ka shtypur Bajroni, nga ana tjetër të ndërtuara e të shkoqitura ashtu si na duket që duhen, transmeton ‘konica.al’.
Ja dy këngë të mbledhura nga Bajroni:
Kënga e ndërtuar: “Bobobo, bobo! / Na ç’arriva, po pusho. / Na ç’arriva, na çë vinj / Hape derënë të hinj. / Hape derën e shkretë / Të vinj të marrë xhebhanetë. / Kalariote (?) me serme / Eja hape se dua t’i ve. / Bobobo, bobo! / Digju shpirt u zemëro. / Kalariote vure funde, / Edhe vete tunde-tunde. / Kalariote me serme / Ti më puth e po më le. / Se të putha që t’i mora, / Zemërën vetë e dogja. / Vallenë e ke kadale, / Kalo moj, kalo në valle / Pluhëri……….? / Pluhuron…?
***
Në sevda tënde u llavosa, / Vetëmë u përvëlofsha. / Ah vashëzë më përvëlove / Si më rëndë më llavose. / U të thashë roba s’dua, / Sitë e vetullat dua / Robat… s’i dua, / Qumështinë vetë dua. / …………………….? / Robatë zjarmi t’i diegë. / U tërbova vashëzë / me zemrën të haptë, / E ti më bëre…….. / Si një dhëndrë të lartë .”/(Albania, tetor 1903, nr. 10, viti 7).