“Dy vesh dhe një gjuhë, fol pak e dëgjo shumë”, 25 fjalë të urta shqiptare

shqiptare dasmorëve po dëgjoj fjale te urta shqiptari puna
Foto ilustrim

Fjalët e urta, janë fjalë ose norma të krijuara nga populli, të cilat me anë të kuptimeve figurative, tregojnë të vërteta nga jeta e përditshme, apo edhe gjykime të nxjerra nga përvoja popullore për ngjarje, dukuri e çështje të ndryshme.

Duke përgjithësuar praktikën shumëshekullore të punës dhe të jetës, ato paraqiten si të vërteta me vlerë të përhershme.

Në letërsinë folklorike quhen dhe proverba, por njihen edhe si fjalë të moçme, tematika e të cilave është shumë e gjerë dhe e larmishme.

Duke qenë se në fjalët e urta më shumë përdoret metafora, alegoria dhe krahasimi, vlerësohen edhe si enciklopedi e filozofisë popullore.

Në vazhdim ju sjellim disa fjalë të urta shqiptare:

– Gaca e baruti nuk rrinë bashkë.

– Ai që nuk rrihet me fjalë, s’rrihet as me hu!

– Çka bahet rrallë, bahet për mall.

– Zemra e gjanë e fiton dynjanë.

– Atij që s’i mjafton toka, i mjafton vorri.

– Drunin e shtremt e ndreq zjermi.

– Le të jetë oxhaku i shtremt, po tymi të shkojë drejt.

– Me njoft vetin asht urti, me urdhnue vetin asht trimni.

– Shtatin pyll e mendjen fyll.

– Zengjini tutet se fiket, fukaraja tutet se koritet.

– Zoti na ka dhanë dy veshë e një gojë, me ndigjue ma shumë se me fol.

– Dy kunguj nën një sqetull s’mbahen.

– Dy vesh dhe një gjuhë, fol pak e dëgjo shumë.

– Dhjetë herë mat, një herë pre.

– Gjella me kripë e kripa me karar.

– Kur hyp i ligu në pushtet, s’e njeh as babën e vet!

– Gjuha eshtra s’ka, eshtra thyen. 

– Mos luaj me gurë po e pate shtëpinë me xhama.

– Mos shkel në dërrasë të kalbur.

– Mos shko si breshka te nallbani.

– Mos shko si cjapi te kasapi.

– Mos u zër për degësh, po për rrënjësh.

– Nata është me barrë, s’dihet ç’pjell.

– Nga një vërë e vogël, rrjedh e gjithë fuçia.

– Nji shkëndi ndez nji mal.

Përgatiti: ObserverKult

———————–

Lexo edhe:

THËNIE NGA SHEKSPIRI: DASHURIA QË NUK MUND TA KEMI ËSHTË AJO QË ZGJAT MË SË SHUMTI…