Valbona Ismaili Luta: Kur i shkel të dyzetat… gati çdo ditë, zgjohesh me ndonjë dhimbje të re!

valbona ismaili luta

I kam dëgjuar të tjerët duke thënë se jeta fillon në të dyzetat. Ka një vit që kam shkel në to dhe, definitivisht gjëra të reja kanë filluar të më shfaqen. Por pak prej tyre janë që kishin për t’më dhënë ndonjë ndjenjë të një fillimi mbresëlënës.

Nga Valbona Ismaili Luta

Çfarë fillimi i mirë është ai kur sa zgjohesh në mëngjes ia nisë me ndonjë ofshamë që të vjen si prej qielli! Ndonjë dhimbje shpine, këmbe apo e ndonjë pjese tjetër të trupit.
Gati çdo ditë të re zgjohesh me ndonjë dhimbje të re! Dhe për t’i dhënë vulë tërë këtij “fillimi të jetës” ke kujtuesin më besnik që nuk të gënjen asnjëherë. Pasqyrën!

Harroi dhimbjet fizike, kur sapo i hedh sytë mbi pasqyrë i sheh vijat që nga jastëku të janë formuar gjatë natës në fytyrë, e të cilave ju duhet më shumë se gjysëm dite të zhduken. Këto të iritojnë gati më shumë edhe se rrudhat që të janë formuar prej vitesh. Fillon dhe e fajëson edhe pasqyrën: “nuk e di pse, por kjo po na qet… pak si shtrembër”. Shikohesh në të dhe vetja ta kujton ndonjë teze, fqinje apo ndonjë grua që nuk e ke pas as në farë e as në fis! Flokët të lëpira prapa koke thuajse ditë edhe natë e mban kokën të mbështetur diku. Me shumë përpjekje provon t’i japësh formë tjetër por… pa sukses.


Kur të gjitha gjërat fillojnë të shkojnë teposhtë (efekti i gravitetit), diçka e re po filloka?!!


Një prej gjërave që dikur, kur isha më e re e kisha të vështirë t’i besoja, ishin gratë kur bënin muhabet për preokupimin e tyre me të pamurit. Kisha bindje se këtë janë duke e bërë për çallëm! Të fillojnë e të mbajnë syza që të duken me të “sofistikuara” apo më “inteligjente”. Edhe sytë po e ditkan kur po hyjshe në të dyzatat a?! Jo sepse nuk më pëlqejnë se si duken të tjerët me syza, përkundrazi. Ata që i kanë për gjatë më duken më të hijshëm/e me to se sa pa to, por për shkak se organizmi im ka qenë “alergjik” ndaj tyre sa here që i provoja (edhe atë deri vonë), më duhej një kohë e gjatë që shikimi im të normalizohej.

I kam blerë një palë me dioptrinë qe ia kam caktuar vetes (me të njëjtin sistem siç kanë bërë edhe gjyshërit tanë). Më mirë po shoh me to – kur nuk po kam rrugëdalje nganjëherë – por më duhet ta pranoj askush ende nuk më ka parë me to.


Mos të flasim për ndryshime hormonale, kur fillon dhe ju hip njerëzve në qafë pa ndonjë arsye.

Pse më fotografove kaq afër se?! Ose, të lutem mos më zë me kamerë etj etj. Në fakt, sapo njoftohesh me dikë, vrapon ta marrësh albumin e fotografive e t’ju thuash, qe se si kam qenë! Apo ajo tjetra, me ata që nuk je takuar me vite dhe të kërkojnë ndonjë fotografi t’ua dërgosh me internet. Shkon dhe e kërkon ndonjë të vjetër. Mundohesh ta heshtësh faktin, se ajo fotografi është e kushedi sa viteve më parë.

Nuk di kujt t’i besosh: atyre që të thonë se po dukesh mirë, apo të tjerëve që të sugjerojnë se duhet të kujdesesh më shumë për veti. Kryesisht i dëgjon të tjerët. Ata që kanë më shumë “eksperiencë”. Sepse tani nuk je më e re dhe “duhet ta ripërtërish veten”. Jo se nuk dëshiron të provosh gjëra të reja, por ideja është se zakonisht ndahesh edhe më e zhgënjyer.

Shko dhe lyeje fytyrën me podër, çerpikët me ngjyrë të zezë, disa hije në çepallë dhe pas një kohe më mirë mos e këqyr veten fare në pasqyrë. Dukesh sikur e ke mbajtë fytyrën me orë në avull… Apo të ka zënë ndonjë shi i madh. Shkarravina që të kujtojnë aktorë cirku. Kështu, kam vendosur t’i mbetem besnike vetëm buzkuqit tim deri në fund.

Fillon më pak se kurrë më parë të marrësh komplimente, por kënaqesh duke i dhënë vetes (sa për t’ia bërë qejfin), për ato gjëra që njëmend i ke pasur dikur dhe t’i shtosh edhe 100 të tjera që nuk i ke pasur kurrë. E shikon bashkëshortin duke ju gëzuar komenteve që kanë filluar t’i bëhen atij për të mirë! Pa dyshim që gëzohesh edhe ti për të, por kjo nuk të ndihmon aspak se si ndihesh ti vet për veten.


Po si e kam paramenduar veten kur të plakem?


Ndoshta plakë që kam shtuar shumë peshë, e që mezi pret ta tubojë familjen për uikend e t’i impresionojë me gatime që i kam mësuar gjatë gjysëm shekulli. Apo si plakë ekscentrike, që do ta ngisja motoçikleten deri në fund. Ndoshta të tillë që këtë periudhë të jetës ta rezervoj për t’u marrë me shkrime. Diçka që kam dashur tërë jetën të bëj, por që gjithmonë e kam shtyrë për dikë, a për diçka… Por asnjëherë të tillë që të provojë ta fshehë gjithsesi dukjen time.

Harroje fillimin e të dyzetave, më tha një kolege. Edhe pak, e do të kesh frikë edhe të qeshësh, sepse organet urinare fillojnë të ta bëjnë me dije, se nuk e kanë kontrollin më ato. Pastaj me siguri fillon edhe mendja të luajë lojëra të tjera – jo që të kujtohet se si e ke paramenduar veten plakë, por me siguri e pyet veten a kam qenë ndryshe ndonjëhere se?!!

Na mbetet vëtëm që t’i lutemi Zotit për përkufizimin e urtë, që aq sa të jemi vetëm me qenë shëndosh e rehat. Ndërsa sa për nuancat që i sjell jeta me kalimin e kohës, si mëlmesa për ta dalluar një jetë prej një jetë tjetër, na mbetet vetëm ta përshëndesim. Salute!

ObserverKult


LEXO EDHE:

MOS PREK KU DHEMB, DASHURIA IME- POEZI NGA ELVIRA SASTRE