Kur Lasgush Poradeci i shkruante Musine Kokalarit: E nderuar dhe e ndritur Zonjushë, besoj do ta keni marrë letrën t’ime të fundit…

Letërkëmbimi i gjatë dhe hapja e katedrës së gjuhës shqipe në Fakultetin e Letrave në Universitetin e Romës, kontributi i Musine Kokalarit e Lasgush Poradecit dhe korespondenca mes tyre.

Musine Kokalari ishte intelektualja e shquar shqiptare e gjysmës së parë të shekullit të shkuar që u burgos nga diktatori Enver Hoxha. Shkrimtare, veprimtare politike dhe intelektuale e shquar, Musine Kokalari, do të vihej shpejt në shënjestër të diktatorit , i cili urdhëroi të torturohej, burgosej e më pas të internohej, për ta mbyllur jetën në skamje e vetmi, në Rreshen të Mirditës.

Për ta kujtuar këtë grua të shquar të historisë tonë të shekullit të shkuar, kujto.al ka zgjedhur letërkëmbimin që ajo kishte me shkrimtarin gjithashtu të shquar, Lasgush Poradeci si dhe përpjekjet e tyre për hapjen e katedrës së gjuhës shqipe në universitetin e Romës, që u finalizuan në dhjetor të vitit 1939.

Musine Kokalari dhe Lasgush Poradeci, mundësuan hapjen e katedrës së gjuhës shqipe në Universitetin e Romës, në fillim të vitit 1940. Me gjithë vështirësitë që ndeshën në rrugën e tyre për të mundësuar këtë, Poradeci dhe Kokalari nuk pushuan përpjekjet derisa ia dolën ta çelin katedrën e gjuhës shqipe në Universitetin e Romës. Ka një shkëmbim letrash mes tyre ku flitet pikërisht për shqipen, në Universitetin e Romës. Më poshtë botohen disa prej tyre. Atje bien në sy shumë problematika të kohës, njerëz që nuk i duan Lasgushin e Musinenë dhe që përpiqen t’i pengojnë në rrugën e tyre. Por, spikat Ernest Koliqi si ministër i Arsimit në atë kohë dhe vlerësimet e mbështetja që kishte dhënë për Musine Kokalarin e Lasgush Poradecin. Një gjuhë e rrallë, vlerësime të jashtëzakonshme ndërmjet tyre, vërehet në letrat që këmbejnë Lasgush Poradeci me Musine Kokalarin të përmbledhura në ditarin e Lasgush Poradecit.

Tiranë, e mërkurë 20 Dhjetor 1939:

Sot vendosa t’a regjistroj Shqipen në Fakultetin e Letrave (Universiteti i Romës). Bleva pullat përkatëse, nesër duhet të shkoj në Durrës të marr Diplomën e saj dhe certifikatat.

Tiranë, e Ente 21 Dhjetor 1939:

Më ora 10 para m.d. u nisa për Durrës, që të marr Çertifikatat e lindjes dhe atë të sjelljes si dhe Diplomën e Shqipes, të nevojshme për nënshkrimin në Universitet. Në Bashki më thanë se duhen marrë në Pogradec. Tezja e Nafijes më tha se Nafija shkoj sot në mëngjes me t’ëmën në Shënavlash. Më orën 3 shkova në Tiranë. Më orë 4.45’ vajta në Ministri të Arsimit: Koliqi e kish mbajtur fjalën: e kish vënë Shqipen për transferim (prej Shënavlashi në Durrës) në ballin e listës (siç kish bërë e dhe me bursën e nipit tim, Todit të Zages). Shumë i kënaqur mbeta.

Tiranë, e mërkurë 27 Dhjetor 1939:

Më 9.30’ në mëngjes ardha prej Durrësi në Tiranë. Legalizova aktet e Shqipes për në Universitetin e Romës.

Tiranë, e Premte 29 Dhjetor 1939:

Paraqita dokumentet ne Mëkëmbësi për nënshkrimin në Fakultetin e Filozofisë dhe Pedagogjisë të Universitetit të Romës.

Tiranë, e Shtunë 30 Dhjetor 1939:

Ora 10.30’ shkova prej Tirane për në Durrës ne Shqipja për vitin e ri 1940.

Tiranë, e Premte 5 Janar 1940:

Më ora 10.15’ më thirri kavaljer Anton Lluka në Mëkëmbësi (konsullatë) për të ndrequr nënëshkrimin: “Nafije Mema” nënë kërkesën për nënshkrim në Fakultetin e Filozofisë dhe Pedagogjisë të Universitetit të Romës. E bëra: “Nafije Mema in Gusho”, sepse të gjitha aktet e saj ishin Nafije Gusho, përveç Diplomës së Institutit Nëna Mbretëreshë. Më ora 10.30 shkova në Durrës ne Shqipja.

Tiranë, e Enjte 6 Qershor 1940:

I dërgova Giovani Baldaçit (insp i stud shqiptarë në Romë) 600 lireta = 5 nap. Çek nr 4916190 B.K.SH per credito it, për taksat e inskripcionit të Shqipes në Fakultetin e Filozofisë dhe Pedagogjisë të Universitetit të Romës. I dërgova në Romë Musine Kokalarit letër për marrjen e nënëshkrimeve. Shqipja më telefonoj të vete të Shtunën se kanë vendosur darkën e dasmës. Më ora 19 vajta ne Shqipja.

Tiranë, e Mërkurë 26 Qershor 1940:

Mora letrën (më dt 17 Qershor 1940) e Giovani Baldaçi-t, inspektor i studentëve shqiptarë në Itali (Romë), mi pagimin e taksave të inskribimit të Nafijes. I ka paguar. Mbeten disa formalitete të vogla, që do t’i bëjë. Nga të 600 liretat 100 m’i dërgoj prapë.

Tiranë, e Premte 28 Qershor 1940:

I dhashë Nebil Çikës artikullin: “Musine Kokalari, Siç më thotë nënua plakë”.

Z.-shës Musine Kokalari,

8 via Gorfagnano int 12

Roma

Tiranë, 18 Korrik 1940

E nderuar dhe e ndritur Zonjushë,

Mbesoj se do t’a kini marrë letrën t’ime të fundit, prej saj kuptuat brengën që kam për të vënë në udhë çështjen e provimeve. Sot po Ju lutem të më ndjeni për këtë çqetësim të ri. Besimi që kam ne mirësija e zemrës s’Uaj më bën t’Ju sillem kësisoj dhe këtë m’a jep ndjenja se më jini shoqe e shkrimit. Ju lutem të bëni dhe një herë mundimin dhe të blini e të m’i dërgoni librat, si dhe dispensat e vitit të parë universitar 1939-1940 për magjisterin në Pedagogji dhe Filozofi.

Të më shkruani njëkohësisht (në është e mundur) dhe kur, në ç’muaj e ç’datë bëhet kërkesa për të dhënë provimet e sesionit të Vjeshtës 1940.

Këtu mbyllur po Ju dërgoj një çek prej 25 frangash shqiptare për çmimin e librave dhe të dispensave.

Nuk mund t’Ju them me shkrim mirënjohjen t’ime për shërbimet t’Uaja fisnike, vete me shpresë se do kem nderin t’Ju shoh një herë në kryeqytet.

Juaji me falenderime nga zemra ime

Lasgush Poradeci.

Z.-shës Musine Kokalari,

8 via Gorfagnano int 12

Roma

Tiranë, 24 Korrik 1940

Fort e ndritur dhe e dashur Zonjushë,

Përgjigjja j’Uaj më gëzoj shumë, ardhi shpejt siç e dëshironja dhe e kisha mendimin. Sapo e mora vajta në Durrës mpyeta Nafijen, ajo sgjodhi anglishten dhe më tha mos harroj t’Ju shkruaj dhe të falat e saj. Mirë kini vënë istori në vënd të latinishtes për degën e pedagogjisë, edhe lëndët e tjera mirë janë vënë. Kështu Ju lutem të m’i dërgoni librat dhe dispensat, vetëm që nuk dinë Ju mjaftojnë të hollat, mua më thanë 20 fr, unë i bëra 25. Mos harroni të më shënoni mungesën.

Kur Ju shkrojta letrën e parë disa veta në kopshtin e Kursal-it nuk Ju pranonin, i kundërshtova siç mendonja vetë, i-u bëri përshtypje, kur muar vesh se ato mendime po botohen. Dje ishim në një mbledhje letrare edhe me ministrin e arësimit, Ernest Koliqi. Ra fjala për Juve, Koliqi foli mirë, e dëgjuan dhe disa nga ata “mospranonjësit”. Një koleg i tha për recenzimin t’im, Koliqit i ardhi mirë.

Pranoni të falat dhe mirënjohjet e mija nga zemra.

Juaji

Lasgush

Romë, 30 korrik 1940.

I ndershmi Zoti Lasgush,

Pas letrës së fundit që mora këto ditë dhe në bazë të degës së zgjedhur Nafijes i bleva librat dhe dispensat e duhura.

Të shtunën në mëngjes libra shitësi postoi paketën. Duke marë parasysh se Tirana është e vogël dhe njihen njerëzit jam e qetë se pakua do të vijë edhe duke pasur adresën e shtëpisë gabim. Në vënd të 34 vuri 54. Ishte vonë, kur e mora vesh. Sidoqoftë më lajmëroni marjen, mbasi dua të dal nga meraku.

Ju falem nderit shumë për mendimet e mira dhe për përkrahjen që tregoni për mua. Në çdo gjë sundon pjesa e mirë dhe e keqe. Një gjë e tillë ndodh edhe në mendime. Si thoni dhe vetë janë disa që më pranojnë dhe disa jo. Gjith se kush ka arësyet e veta sipas mënyrës që shikon shkrimet. Kjo gjë më gëzon shumë sepse mendimet e kundërta hapin udhën e kritikës që ka një vlerë të madhe. Në Shqipëri siç e dini dhe vetë rallë mund të gjejmë një kritikë, e cila të jetë analitike edhe pa paramendim. Zakonisht për të mos prishur qejfin e njerit e tjetrit, çdo gjë që botohet kritikohet jo në bazë të veprës, po të personit që shkruan duke i shtuar një barë lavdime. Letërsisë s’onë që sot po bje poshtë ose po humbet dal-nga-dal i mungon kritika letrare, nga shkaku se nuk ka patur as rymë as kundërshtim mendimesh.

Njerëzit që nuk më pranojnë i çmoj po aq sa ata që më pranojnë. Të dy palët më bëjnë një të mirë, se me përpjekjet e tyre do të kuptoj kur shkruaj mirë dhe çfarë më mungon, duke pasur parasysh që çdo vepër ka pjesën negative që i jep vlerë asaj positives.

Më lejoni të mbaroj me kaq.

Nafijes shumë të fala.

Me respekt Musine Kokalari/kujto.al