Kur “Le Figaro” më 1940 shkruante për shqiptarët dhe Shqipërinë

Botuar në gazetën e mirënjohur franceze “Le Figaro”, më 4 dhjetor 1940, “Njerëz nga Shqipëri” është artikulli nga Lucien Romier (1885-1944) – historian, gazetar e politikan frëng.

Gjatë pushtimit nazist të Francës, Romier ishte ministër shteti për më shumë se dy vjet dhe i konsideruar si eminenca gri e marshallit Petain, duke ndikuar tek ai, që Franca e pushtuar të mos i shpallte luftë Shteteve të Bashkuara dhe duke mbajtur qëndrim kritik ndaj qeverisë kolaboracioniste të Pierre Lavalit. Vdiq nga një krizë kardiake në janar 1944, në çastin kur do të arrestohej nga Gestapoja.

Artikulli kalon tërthorazi mbi realitetin e kohës; atij nuk i intereson aspak fakti që Shqipëria, ndodhej e pushtuar që prej një viti nga Italia fashiste, në një kohë kur vetë autori, analizonte përditë situatën strategjike të zhvillimit të Luftës së Dytë Botërore. Pushtimi fashist i Shqipërisë dhe qëndresa antifashiste shqiptare, nuk kishin të bënin aspak me ndonjë konflikt rajonal shqiptaro-italian, përkundrazi, Shqipëria ishte viktima e parë e nazi-fashizmit, një fakt ky i pamohueshëm.

Artikulli i plotë, botuar në shtypin francez “Njerëz nga Shqipëria”:

“Qyteti i vogël i Koricës (Korçës), që lufta italo-greke sapo ia bëri botës së njohur, ndodhet në mes të një fushe të vlerësuar nga shqiptarët për pasurinë që ka. Emri i saj do të thotë ‘dardhë e egër’ (gorricë). Qendër shumë e lashtë tregtimi, thuhet se ka lindur si qytet falë pasurisë së një çobani të rrethinës, i cili, pas rrethanash pak a shumë legjendare, ishte bërë intendenti i përgjithshëm i mirëmbajtjes së kalorësisë së sulltan Mehmetit, ngadhënjimtarit të Kostandinopojës. Gjë që do të thotë, se Shqipëria ka nxjerrë njerëz që kanë ditur të bëjnë karrierë. Dihet, për më tepër që ajo krenohet se ka lindur Aleksandrin e Madh. I ka dhuruar personazhe të shquar si historisë së Perëndimit, ashtu dhe historisë së Lindjes: Francesco Crispi, kryeministri italian i kohës së Treshes, e kishte prejardhjen, thuhet, nga një stërgjysh shqiptar.

Në shërbim të sulltanëve të Kostandinopojës, shqiptarët morën famën e të qenit po aq trima sa turqit, por më mendjemprehtë në politikë, më të hedhur e më të guximshëm.

Nga gjiri i fshatit të Pojanit, në breg të liqenit të Maliqit, jo larg Korçës, doli, në fillim të shekullit të shkuar (shek. XIX) themeluesi i dinastisë sunduese të Egjiptit, i famshmi Mehmet-Aliu. Ai i përkiste një prej familjeve të bejlerëve shqiptarë që rekrutonin mercenarë për llogari të sulltanit.

Pas tërheqjes nga Egjipti të Bonapartit dhe trupave franceze, sulltanit iu desh t’i bënte thirrje trupave shqiptare mbledhur nga bejlerët e Pojanit, për të nënshtruar mamlukët që pretendonin të ushtronin pushtet të pavarur në brigjet e Nilit. Strehuar në Kavalla buzë detit Egje për t’iu shmangur pasojave të një zënke klanore, djaloshi Mehmet-Aliu nxitoi t’u bashkohet me një trupë të tij bejlerëve të tjerë të Pojanit në luftë kundër mamlukëve, duke u vendosur kështu në Egjipt. Ia doli mbanë jo vetëm për të shfarosur mamlukët, për të shmangur bejlerët e tjerë, por edhe për të vendosur forcën e tij apo dredhinë, duke u emëruar nga sulltani si nën-mbret i Egjiptit.

Dihet se Mehmet-Aliu nuk do kufizohej me kaq. Si formoi një ushtri dhe flotë të fuqishme, nisi luftën ndaj kryezotit të tij dhe më 1831, pushtoi Sirinë, shpartalloi trupat e sulltan Mahmudit dhe gati do hynte në Kostandinopojë sikur të mos kishin ndërhyrë rusët. Fuqive të mëdha iu desh të bombardonin me flotat e tyre Bejrutin dhe Akrën, për të detyruar ushtrinë egjiptiane të largohej nga Siria. Mehmet-Aliu fitoi kështu njohjen dhe garancinë për të ruajtur nën-mbretërinë e tij, gjë që i siguronte faktikisht zotërimin absolut të Egjiptit. Vdiq më 1849, pas dyzet e tre vjetësh mbretërimi.

Historia e këtij ngadhënjyesi të çuditshëm është zbukuruar me legjenda prej shqiptarëve, që u jep një kënaqësi të tillë që tregon më së miri se ata rigjejnë tek ai karakteristikat për të cilat është krenare raca e tyre, transmeton ‘konica.al’.

Në traditën shqiptare, fjala ‘pavarësi’ pati një kohë të gjatë më shumë një kuptim feudal se kombëtar. Bëhej fjalë për autonominë e familjeve kryesore dhe të klientelës së tyre, pa një referencë shumë të qartë për idenë e kombësisë, ashtu siç e kuptojmë ne. Dhe, pikërisht këtej rrodhën që prej tridhjetë vjetësh shumica e vështirësive për të përcaktuar kufijtë zyrtarë midis vetë Shqipërisë dhe Epirit verior. Më 1913, një komision evropian i përbërë nga oficerë apo funksionarë të krejt Fuqive të mëdha u përpoq të bëjë në vend një hetim të paanshëm. Por, pasoi një trazirë e tillë lokale sa komisionerëve iu desh të tërhiqeshin. Vendosën për një zgjidhje në distancë, të cilën të krishterët e Epirit e hodhën poshtë me guxim dhe askush nuk arriti ta zbatojë.

Parimi i pavarësisë politike të Shqipërisë, ishte në fakt rrjedhojë e rivalitetit të vjetër të Italisë me Austrinë për Adriatikun: bëhej fjalë për një nga këto dy rivale të pengonin shoshoqin për të mbajtur çelësat e Kanalit të Otrantos. Kanali i Otrantos midis bregut italian dhe gjirit të Vlorës në Shqipëri është i gjerë jo më shumë se njëqind kilometra, nga ku dhe këmbëngulja e italianëve për t’u vendosur në Vlorë dhe më pas, tek u shtrënguan të largohen që andej nga Fuqitë e tjera, apo nga vetë shqiptarët, për t’u kthyer përsëri. Më në Jug, rrugët e komunikacionit të Epirit e të Shqipërisë jugore, si përshkojnë Pindin, përfundojnë në Sarandë, port i vogël, që e ndajnë nga Korfuzi vetëm disa lega detare: e kush mund të thotë se bombarduesit që ndodhen aty janë thjesht, sa për të prishur syrin ndaj një piktoresku të zhveshur prej metalit”?