Kur Nexhmije Hoxha fliste për sëmundjen e Hysni Kapos, si e përjetoi Enveri dhe mesazhet që i dërgonte në Paris

Enver Hoxha do të kishte dashur padyshim që pasardhës i tij të ishte Hysni Kapo. Nexhmije Hoxha ishte e bindur për këtë, edhe pse ai nuk e përmendte këtë fakt.

Lidhja e tij me Hysni Kapon ishte shumë e ngushtë, por Kapo do të ndahej nga jeta para tij. Në librin e saj “Përjetime dhe meditime nga jeta ime politike”, Nexhmije Hoxha tregon për sëmundjen e Hysni Kapos, si e përballoi Enver Hoxha, letërkëmbimin që pati me të, gjatë kohës që ai ishte në Paris për t’u operuar, çfarë shkruante në ditarin e tij gjatë orëve të operacionit, pse nisi Ramiz Alinë në Paris etj.

Në verën e vitit 1979, kur ishim me pushime në Pogradec, Enveri u gëzua shumë kur mësoi që gjatë muajit gusht do të vinin edhe Hysniu me Viton, për të kaluar disa ditë pushimi. Ne kishim qenë disa herë bashkë me ta në pushime, sidomos në Vlorë. Hysniu shkonte shpesh atje, se ishte bir i atyre anëve, ishte i dashuruar me vendlindjen e tij. E njihte mirë mjedisin karakteristik dhe psikologjinë e vlonjateve, jetën zakonore dhe historinë e tyre. Kjo bënte që bisedat mes Enverit dhe Hysniut të kishin ngarkesa emocionale, kur secili fliste për vendlindjen e vet.

Bisedat midis tyre ishin përherë të këndshme, nuk mungonin shkatë. Enveri i thoshte Hysniut: “Humorin, kurdoherë e ke një armë të fuqishme”.

Atë verë menduam që, duke pasur pranë Hysniun, edhe këto pushime do t’i kalonim mirë bashkë, por, siç shkruan Enveri në ditarin e tij, më datë 15 gusht 1979, “pushimet na u bënë të hidhura ditët e fundit, pasi në javën e parë të gushtit shoku Hysni, me të cilin banojmë afër e afër, pati një temperaturë, që u ngjit deri në 38 gradë e gjysmë, madje edhe 38.8”.

Mjekët dyshonin se kjo temperaturë e lartë ishte e lidhur me mëlçinë. Meqë gjendja nuk po përmirësohej, Enveri udhëzoi mjekët të merreshin masa që Hysniun ta dërgonin në Paris. Po Hysniu nuk pranonte.

Atëherë, Enveri thirri Viton që ta bindte. Më pas, Enveri më mori edhe mua dhe shkuam që t’ia mbushte mendjen Hysniut. I tha se është e domosdoshme të pranonte, pasi atje ka aparatura diagnostikimi më të përparuara dhe mjekët francezë kanë eksperiencë dhe njohje më të madhe e të rejat në fushën e mjekësisë.

Hysniu sikur u bind (Ai nuk ia kthente fjalën Enverit) dhe u nis për në Tiranë. Ndërkohë u njoftuan shokët tanë në Paris dhe, pas dy ditësh erdhi avioni sanitar, i kërkuar nga qeveria jonë. Hysniu u dërgua atje, por situata e tij shëndetësore po komplikohej edhe më shumë, nga problemet që kishte kaluar më parë, si infarkti i vitit 1978 etj. Nuk kam për ta harruar çastin kur përcollëm Hysniun dhe Viton nga Pogradeci. Enveri e kishte përcjellë Hysniun jashtë shtetit në misione dhe detyra nga më të vështirat dhe gjithmonë kishte qenë i bindur për kthimin e tij me sukses të plotë.

Por kjo ndarje e gushtit 1979 ishte ndryshe. Ai u përqafua me shokun e vet dhe me Viton, u nda me ta buzagaz, duke i mbajtur lotët, brengat njerëzore dhe dënesat i fshehu thellë në shpirt, që të mos shqetësohej Hysniu. Por sa u kthyem në shtëpi, ai nuk u mbajt më, shfreu në dënesa. Enveri, atë kohë nuk tregoi, por unë e di sa i shqetësuar ishte, sepse nisi shokun për ta operuar dhe nuk dihej se çfarë mund të zbulohej.

Më kujtohet që Enveri i priste lajmet për shëndetin e Hysniut me shumë ankth. Radiogramet që vinin nga Parisi për gjendjen e tij 2-3 herë në ditë, e mbanin Enverin në korrent të ecurisë së gjendjes së tij shëndetësore. Ditët e para në Paris, kur Hysniu pati një përmirësim, gëzimi i Enverit qe i madh.

Ja si i shkruante Enveri shokut të tij, më 28 gusht:

“I shtrenjti, shoku im Hysni! Jemi shumë të lumtur dhe të gëzuar që çdo gjë po ecën mirë, siç na e do zemra të gjithëve. Tani do të forcohesh. Temperatura e gjatë të lodhi disi, por edhe ajo, edhe të gjitha parametrat erdhën në normë. Të shoh i kënaqur nga larg, me sytë e zemrës, që më rri në kolltuk dhe më shëtit në dhomë… Të dashur Hysni dhe Vito, ju përqafojmë me Nexhmijen dhe ty të uroj shërim të shpejtë. Të puth, I yti Enver”. Enveri gëzohej edhe më shumë kur merrte letra të shkruara nga vetë Hysniu ose nga Vitoja./panorama.com.al

Lexo edhe:

Letra e Nënë Terezës për Ramiz Alinë dhe Nexhmije Hoxhën: Kam qenë shumë e sëmurë, ndaj lutuni për mua

ObserverKult