Kurti: Duke mbrojtur figurën e Bekim Fehmiut nderojmë kombin

Institucionet shtetërore kanë nderuar aktorin shqiptar me famë botërore, Bekim Fehmiun. Me rastin e 85-vjetorit të lindjes së tij, Ministria e Kulturës ka mbajtur një ceremoni, me çrast u përkujtua jeta dhe vepra e aktorit më renome botërore.

Po ashtu me këtë rast u ndan edhe çmimet vjetore për kinematografi.

Kryeministri Albin Kurti, Bekim Fehmiun e vlerësoi si një nga figurat kryesore të identitetit kulturor shqiptar, duke shtuar se me rolet e tij ai shpalosi një talent të rrallë artistik.

Kurti tha se duke mbrojtur figurën e Bekim Fehmiut nderojnë kombin dhe promovojnë vlerat tona kulturore në botë

“Filmat, seritë dhe shfaqjet ku luajti kanë fituar çmime botërore. E ndjej si obligim personal edhe shtetëror nderimin, mbrojtjen dhe dokumentimin e jetës dhe veprës së Bekim Fehmiut. Duke e mbrojtur figurën e tij ne e nderojmë kombin dhe në të njëjtën kohë i promovojmë vlerat tona kulturore në botë. Qeveria e Kosovës në bashkëpunim me institucionet e kulturore me kujdes do të krijojmë një program vjetor dhe të përhershëm për nder të Bekim Fehmiut. Të frymëzuar nga vepra dhe suksesi i tij ndërkombëtar duke u kujdesur për figurën e tij do të ngrisim edhe krijimtarinë filmike në nivelin më të lartë”, tha ai, transmeton ‘kosovapress’.

Në emër të familjes së aktorit Bekim Fehmiu, të pranishmit i përshëndeti, Agoni, i cili falënderoi institucionet shtetërore për përkujdesjen e treguar ndaj axhës së tij.

“Kosova e ka nderuar deri më sot Bekim Fehmiun me themelimin e çmimit për kinematografinë dhe më 5 dhjetor 2013 edhe me lansimin e pullës postale. Sot Kosova ka vendosur të bëjë edhe më shumë për të nderuar emrin dhe veprën e Bekimit tonë dhe për këtë ne si familje jemi falënderues”, tha ai.

Me lot në sy aktorin Bekim Fehmiu e ka kujtuar kolegu i tij, Enver Petrovci.

Ai para të pranishmëve shpalosi kujtime kur vizitonte Bekimin në Beograd.

“Duke e respektuar atë po e respektoni edhe vetën edhe krejt Qeverinë. Kur kemi qenë gjatë Ditës së Flamurit në Beograd ai vinte veshur sikurse mbret, por jo për shkak meje, por për shkak të Ditës së Festës me lule në dorë vinte në banesën time dhe ma uronte Festën”, tha ai me lot në sy.

Në këtë ceremoni u bë edhe ndarja e Çmimit Vjetor për Kinematografi.

Çmimi jetësor për kinematografi “Bekim Fehmiu” iu nda fotografit Afrim Spahiut.

Ndërsa Çmimi Vjetor për Kinematografi iu nda aktores More Raça.

Në këtë ceremoni u kumtua lajmi se ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku ka marr vendim për hartimin e Planit Shtetëror për nderimin, mbrojtjen, dokumentimin dhe promovimin e veprimtarisë së aktorit kosovar me famë botërore Bekim Fehmiut.

Në fund për të pranishmit u shfaq filmi më i famshëm i aktorit Bekim Fehmiu “Mbledhësi i Puplave”.

LEXO EDHE: 85-vjetori i lindjes së aktorit të madh shqiptar, Bekim Fehmiut