Sheshi “Skënderbej” e ka marrë këtë emërtim në vitin 1937 edhe pse, monumenti i heroit kombëtar u vendos aty shumë vite më vonë, në janarin e vitit 1968, me rastin e 500-vjetorit të vdekjes së Gjergj Kastriotit.
Fillimisht, vendosja e monumentit të Skënderbeut ishte parashikuar të ishte një nga eventet e rëndësishme të programit të ‘Kremtimeve të 25-vjetorit të Vetqeverimit’, që u shtri në periudhën 20-28 nëntor të vitit 1937. Pika 7 e programit parashikonte zbulimin e monumentit të Skënderbeut.
Gazetari Gjergj Bubani e trajton me sarkazëm çështjen e mosvendosjes së shtatores së heroit kombëtar në sheshin e ‘pagëzuar’ nga kryeministri Pandeli Evangjeli, me këtë emër, sikur e sjell dokumentin Scan.
“Sheshi i Bashkisë, i cili pasnesër do të pagëzohet prej Xhaxhait (Pandeli Evangjelit) “Sheshi Skënderbeg” është bërë një bukuri. Splendidi u shemb dhe bashkia po mundohet të mbulojë pak shëmtimin që doli që prapa perdes, në mes të sheshit aty ku ishte fjala të ngrihej shtatorja e Skënderbeut, dora-dorës na doli një shatërvan. Dje mbrëma u bë provimi i parë; një shumicë populli ishte mbledhur rreth e përqark dhe hapte gojën duke u habitur. Uji kërcente herë me forcë, herë me ngadalë, nga të pesë vrimat; një shigjetë drejt përpjetë dhe katër tërthorazi.
Humori, nuk mungonte nga ana e popullit;
-Ore, po si kështu? Ne prisnim shtatore dhe na doli Shatërvan?!
-Jo vëlla, por kur deshin të shtinin themelet e shtatores, kërceu uji përpjetë.
-Ç’thua?! E thonë pastaj që Tirana s’paska ujë!” shkruan Gjergj Bubani në një reportazh të publikuar me 20 nëntor 1937 në gazetën ‘Drita’.
Deri në vitin 1968, ku u pozicionua përfundimisht monumenti i Heroit Kombëtar, në atë vend kanë qenë vendosur monumente e shtatore të ndryshme, edhe pse emërtimi mbeti i njëjtë.
Fillimisht, aty ka qenë një nga monumentet e 25 vjetorit të Pavarësisë, pastaj një Shqiponjë dykrenare me emrin e themeluesit të shtetit shqiptar, Ismail Qemalit. Pas Luftës së Dytë Botërore aty u vendos shtatorja e Stalinit, për t’i lënë më pas vendin monumentit të Heroit Kombëtar, vepër e Odhise Paskalit në bashkëpunim me Andrea Mano dhe Janaq Paçon.
ObserverKult
Lexo edhe:
REXHEP SHAHU: NUK E DI ORËN KUR DO TË VDES
Unë nuk e di orën kur do të vdes
As ditën as muajin nuk e di
Veç di se çasti do verbohet, do t’i dhembë
Do t’i therë çastit brinjë më brinjë
Do të turbullohet, do të lëkundet të shembet përdhe’
Por shpejt do të përmendet
Do të qëndrojë në këmbë të mos turpërohet.
Kur të vdes do të doja të ishte dielli i shndritshëm si sot
Të derdhej kështu si tani mbi flokët e tu
Mbi fytyrën tënde, të ishte si buzëqeshja jote
Tani pasi përkëdhele fytyrën time
Dhe unë u rrëmbeva tek ta puth dorën
Dorën tënde që mban peshë ëndrrat e mia.
Poezinë e plotë mund ta lexoni KËTU:
ObserverKult