“Ky është Dritëroi im”: Del libri që nisi bashkëshortja e tij, Sadija

“Dritëroi kishte gjetur tregimet e mia dhe i kishte mbledhur në një dosje. Disa reportazhe që kisha shkruar për artistë të kinemasë e teatrit i kishte mbledhur e thoshte se do vijë koha do t’i botosh. Unë kam qenë edhe bashkëshortja dhe redaktorja e tij. I kam lexuar dhe i kam kaluar të gjitha nëpër duart e mia.

Në këtë interviste të fundit për Top Channel, Sadije Agolli ndër të tjera tha që ishte duke punuar në lidhje me botimin e librit me kujtime nga personalitete të ndryshme për shkrimtarin Dritëro Agolli.

Ja se çfarë shkruante ajo në ditarin e saj më 3 janar të 2013:

“Edhe Lona, edhe unë nuk e kemi marrë në telefon njëra-tjetrën. Ja tani, ora 9.39 fola me Lonën gjerë e gjatë për librin, që mendojmë të botojmë për Dritëroin, me kujtime të miqve, të shokëve, të kolegëve, të bashkëpunëtorëve, që e kanë njohur. Do të jetë libër i vështirë, sidomos për mua që hyra në vitin e 77-të.”

Ky ishte një libër si një ëndërr e prerë. Ajo nuk mundi ta shihte dot ëndrrën e botimit. Megjithatë libri u botua.

Ndërsa mëngjesi vinte dhe drita binte në dritaret e sallonit të tij, ai nuk harronte të thoshte: Hapni pak perden të hyjë drita, sepse do më mungojë shumë në jetën e pafrymë.

Në këto kujtime ka skica dhe dorëshkrime të Dritëroit që i ka ruajtur ndër vite Timo Flloko, Lumturi Blloshmi, Namik Dokle, Luan Rama, Moza Ahmeti, Visar Zhiti, Arta Dade e të tjerë. Po ashtu edhe gjurma e fundit e bojës, kaligrafia e fundit e Dritëroit. Parathënia e pasthënia janë bërë ashtu sic do të donte ai, nga bija e tij Elona.

“Ky është Dritëroi im” është një vepër që e dëshmon më së miri atë që një ndër autorët e këtyre kujtimeve ka shkruar.

‘Jo çdo njeri me zemër të bardhë mund të jetë poet, por që patjetër që nuk ekziston poet pa një zemër të madhe’.