Poshtë nënkresës, në spitalin e burgut, Mirash Ivanaj mbante një poezi që ia kishte dhënë dikush dhe që ai donte të shihte dritën e botimit.
Një prej intelektualëve më të shkëlqyer që pati Shqipëria në vitet ’30, Mirash Ivanaj, u burgos për 7 vjet, edhe pse nuk kishte kryer kurrë një shkelje ligji, ndërkohë që po u afrohej të 60-ave. Megjithatë nuk u përkul deri sa ndërroi jetë, pak ditë para se të lirohej, më 22 shator 1953. Historia e jetës së një personaliteti të rrallë…
Nga: Arta Çano
Poshtë nënkresës, në spitalin e burgut, Mirash Ivanaj mbante një poezi që ia kishte dhënë dikush dhe që ai donte të shihte dritën e botimit. Porositi Agron Çarçanin, të dënuarin me të cilin ndante dhomën, që, në do mundej, ta nxirrte që andej dhe ta botonte. Në titull kishte përshëndetjen “Lamtumirë o botë! Lamtumirë o jetë!” dhe në mbyllje, kishte pyetjen që mundonte shumë shqiptarë prej rreth 9 vitesh tanimë: “O Zot qysh i duron këto batërdi që bëjnë veprat e krijuara nga ti? Kush sundon, më thuaj: këta apo ti?!”
Ditët e fundit
Mirash Ivanaj minutat e fundit të jetës ia kushtoi bisedës për atë poezi dhe pastaj dha frymë. Kishte ardhur pak ditë më parë në spitalin e burgut. Lazër Radi, shoku i qelisë dhe i dhomës së punës së përkthimeve në Burgun e Ri të Tiranës, dëshmon që muajt e fundit shëndeti i Mirashit sa vinte e keqësohej: ai kishte dhimbje të vazhdueshme dhe thuajse nuk hante më asgjë.
Megjithatë, nuk ankohej kurrë dhe punën nuk e ndërpriste. Ishte e pamundur ta shkëpusje Mirash Ivanajn nga puna, kjo do të ndodhte vetëm kur shpirti të shkëputej nga trupi i tij. Kur ky çast u afrua dhe gjendja u rëndua shumë, Mirashin e morën me autoambulancë për ta çuar në spital.
“E mora në krah. Ishte krejt i lehtë si frymë”, shkruan në librin e tij “Ministri i hekurt Mirash Ivanaj“, Lazër Radi.
Burrin shtatlartë, të ligur e tretur, e pa të hynte në dhomën e spitalit të burgut, pak minuta më vonë, Agron Çarçani. Oficerët porositën mjekët të bënin çmos për ta shëruar sepse kishin shumë nevojë për të. Fakti që ish-ministri i Arsimit u la të tretej në qeli ndërkohë që gjendja e tij e rënduar shëndetësore ishte shumë e dukshme, të bën të mendosh që Ndue Gëziqi, i dënuari tjetër i asaj dhome spitali, kishte të drejtë kur mendonte që “këto urdhëra jepeshin për ta përdorur spitalin si dëshmitar se qeveria ka bërë çmos për ta shpëtuar, por nuk qe e mundur”.
Dhe, siç i thoshin edhe infermierët që Agroni i pyeste vazhdimisht, ndërhyrja në atë fazë ishte e pamundur. Mirash Ivanaj kishte ngatërrim zorësh, por gjendja e dobësisë në të cilën ndodhej nuk e lejonte ndërhyrjen. I jepeshin ilaçe dhe serume, i bëheshin kontrolle të vazhdueshme dhe në konsulta vinin edhe mjekë që të dënuarit e tjerë nuk i kishin parë kurrë. Megjithatë gjendja sa vinte e rëndohej, derisa më 22 shtator 1953, Mirash Ivanaj u nda nga jeta. Mbesës dhe gruas së vëllait do u mbërrinte letra e fundit nga burgu i Tiranës, ku shoku i afërt i Mirashit, Demir Vila, u jepte lajmin e hidhur.
Nga një vend në tjetrin
Mirashi kishte lindur në Podgoricë, të Malit të Zi, në vitin 1981, në një familje patriote shqiptare. Marrëdhënien më të ngushtë familjare, e kishte me vëllanë, Martinin, me të cilin ishin më shumë sesa vëllezër.
Ata, megjithëse të dy të zotë, të kualifikuar e të suksesshëm: Martini u bë kryetar i Gjykatës së Kasacionit në Shqipëri, ndërsa Mirashi ministër Arsimi, pra pa ndonjë interes të ngushtë që t’i bënte të varur nga njëri-tjetri. Nuk u ndanë kurrë, sepse i bashkonin fijet shpirtërore që pozitat shoqërore nuk ua tjetërsuan. Studiuan bashkë në Serbi e më pas në Romë, ku të dy u doktoruan në Drejtësi, ndërkohë që Mirashi mori një doktoraturë edhe në Letërsi.
Pas kthimit në Shqipëri, Mirashi u vendos në Shkodër, ku bashkë me kushëririn e tij, Nikollë Ivanaj, themeloi gazetën “Republika”. Nga viti 1925-1930 ishte drejtor i Gjimnazit të Shtetit në qytetin verior. Më pas nisi punë në gjimnazin e Tiranës, ku sërish njohuritë e tij të gjëra, aftësitë e mësimdhënies dhe përkushtimi vetëmohues që të gjithë nxënësit të përvetësonin në maksimum dijet, e bënë një emër të njohur, ndaj në vitin 1933, kur Pandeli Evangjeli formoi qeverinë e re, për ministër Arsimi u propozua Mirash Ivanaj.
Ministri i ri mori përsipër të reformonte me rrënjë sistemin arsimor në Shqipëri. Në atë kohë funksiononin shumë shkolla private: të huaja dhe fetare, në ndonjë prej të cilave nxënësit ushqeheshin me frymë antishqiptare. Nuk ishte e lehtë t’i mbyllje këto shkolla të kontrolluara nga fqinjët me shumë ndikim në Shqipëri, por Mirashi e mori përsipër dhe e realizoi duke synuar themelimin e shkollës së njësuar kombëtare dhe laike.
Reforma mori emrin e ministrit, ndërsa ministri fitoi mbështetës e kundërshtarë bashkë. Më të fuqishmit ishin përfaqësuesit e klerit dhe të shteteve fqinje. Ndikimi i tyre, pas ca kohësh, bëri që mbreti dhe qeveria të kërkonte lëshime, por Mirash Ivanaj nuk mund të shkelte mbi parimet e tij. Nëse reforma e tij kundërshtohej, atëherë ai nuk mund të vazhdonte të ishte më ministër. E kishte pranuar atë post me kushtin që të mos i ndërhynin në punën e tij dhe kur kjo ndodhi ai u dorëhoq.
Pas ca kohësh, doktori në shkencën e drejtësisë, u emërua anëtar i Këshillit të Lartë të Shtetit që hartonte projektligje për aparatin shtetëror dhe shqyrtonte aktet e ministrive para se ato të kalonin për miratim në Parlament. Pjesë e atij institucioni ishte dhe i vëllai, Martini, me të cilin kishin ndërtuar një shtëpi në Tiranë të Re duke vazhduar të ishin të pandarë. Në janar të 1937-ës, Mirash Ivanaj u caktua kryetar i Këshillit të Shtetit duke qenë njëkohësisht edhe këshilltar i mbretit.
Pasojat e luftës
Gjithçka u përmbys në prill të 1939-ës. Pasi e panë që përpjekja për të organizuar një rezistencë ndaj pushtuesve nuk dha fryt, vëllezërit u larguan nga Tirana, si shumë nëpunës të mbretërisë. Vajza dhe bashkëshortja italiane e Martinit, pas pak kohësh, gjithashtu u larguan për në Itali, duke marrë me vete edhe një flamur shqiptar që sot shpërfaqet mes objekteve të tjera në muret e Fondacionit “Martin dhe Mirash Ivanaj“, të themeluar nga mbesa e Mirashit, Drita Ivanaj. Filli i vetëm që do i bashkonte dy copat e ndara të familjes ishin letrat.
Në vitin 1940, Martini ndërroi jetë në Stamboll duke i dhënë Mirashit, goditjen më të rëndë të jetës, ku kishte provuar humbje të tjera familjare, por edhe humbjen e së dashurës italiane, së cilës i qëndroi përjetësisht besnik.
Në 1945-ën, pas një ftese të mikut të tij Gjergj Kokoshi, ministrit të Arsimit në qeverinë e re komuniste, ai u kthye në Tiranë, pa pranuar megjithatë asnjë post dhe as kandidaturën për deputet me argumentin që nuk i takonte përderisa nuk kishte marrë pjesë në luftë. Kërkoi vetëm një vend si mësues dhe iu përkushtua mësimdhënies, ndërkohë që banonte në një dhomë të shtëpisë së tij, ku e gjithë pjesa tjetër ishte zaptuar dhe biblioteka mijëravëllimëshe ishte zhdukur.
Korrespondenca me mbesën dhe kunatën vazhdonte rregullisht, derisa në vitin 1947, filli që i bashkonte u këput. “Për tetë-nëntë muaj nuk patëm asnjë komunikim. Nuk e dinim çfarë kishte ndodhur. U interesuam edhe pranë organizatës së Kryqit të Kuq të Zvicrës, por përsëri asnjë informacion”, thotë Drita Ivanaj për kujto.al. Shqetësimi i ndërprerjes së komunikimit do të përfundonte me mbërritjen e letrës së parë nga Mirashi, e cila do të ngjallte një shqetësim tjetër: Ai shkruante nga burgu.
Në burgun e pamendueshëm, me duar të lira
Kur erdhi në Shqipëri, Mirashi u prit me dashamirësi të shtirë edhe nga Enver Hoxha, i cili e dinte mirë që Ivanaj, kur ishte ministër, i kishte ndërprerë bursën e studimeve në Francë. Për disa, kjo ishte arsyeja e arrestimit, por nuk mund të thuash me siguri që ishte e vetmja.
Mirash Ivanaj ishte arsimuar në Perëndim, kishte kontakte me të huaj dhe mbi të gjitha kishte një personalitet të papërkulur që nuk i pranonte kërkesat e qeverisë së re, si puna vullnetare e detyruar apo kurset e marksizmit ku banka e tij ishte gjithmonë bosh. Ai kishte profilin e një elementi me ndikim të keq, ndaj duhej izoluar.
U arrestua në maj të vitit 1947, një vit e gjysmë që nga dita kur ishte rikthyer në Shqipëri. Pas rreth një viti paraburgim, doli para gjyqit të Garnizonit të Tiranës, ku prokurori Petrit Hakani rreshtoi akuzat, që u morën për bazë nga gjykata në vendimin e saj më 7 prill 1948:
“Gjatë kohës që ka qëndruar jashtë ka pasur lidhje me Zogun dhe me klikën tjetër të tija dhe agjentë të tjerë të S.B.S si konsulli i Zogut, Xhaxhuli, englezi Sterling.
Është munduar për të formuar komitetin për të punuar në favor të anglo-amerikanëve…Mbas çlirimit të Shqipërisë, i pandehuri kthehet në Shqipëri dhe simbas udhëzimeve të marra nga reaksioni anglo-amerikan vepron kundra pushtetit popullor duke u lidhur dhe bashkëpunuar me Gjergj Kokoshin, Ali Bakiun, etj.
Është vënë në dijeni mbi ekzistencën e organizatës së deputetëve tradhtarë, ka propoganduar kudo e ka axhituar kudo kundra pushtetit popullor”…Pavarësisht që Mirash Ivanaj nuk i pranoi akuzat, vendimi i gjykatës, i cili, pas ankesës së Ivanajt, mbeti në fuqi edhe nga Gjykata e lartë ishte: 7 vjet heqje lirie, punë e detyruar, konfiskim i pasurisë së luajtshme dhe të paluajtshme dhe humbja e të drejtave civile dhe zgjedhore për 5 vjet. Një vendim i pakuptueshëm për këdo, por veçanërisht për Mirashin, të cilit, në çdo funksion që kish pasur, ishte e vështirë t’i kërkoje edhe “nderin” më të vogël sepse ai nuk pranonte kurrë të shmangej nga ligji dhe rregullat, qoftë edhe në një pikë të padukshme apo të parëndësishme.
-A e more vesh mor ti?-iu drejtua prokurori pasi u mor vendimi.
-Jo mor zotni, ç’ka me marr vesh?
-Je dënuar me 7 vjet burg!
-Po për ç’ka jam dënue mor zotni?
-Për agjitacion e propagandë kundër pushtetit popullor.
-Po unë sa kam ardhë prej Turqie, s’kam folë me njeri, përveç punës mësimore.
-Po me atë mendim ke ardhur që të bësh propagandë.
-Po pse a ka ligjë në botë zotni, që të dënojë mendimin?
Ky besim te e drejta që nis e duket naiv në mjedisin ku drejtësia kishte marrë rrokopujën dhe ky vetëkontroll mbinjerëzor e shoqëroi Mirashin edhe gjatë viteve të burgut, kur gëlltiste në heshtje fyerjet e kapterëve injorantë dhe vazhdonte i palodhur punën që i ishte caktuar në mesagjeri.
Veç përkthimit, që, pavarësisht rrethanave, mbetej një punë intelektuale që i jepte kënaqësi, e gëzonin edhe letrat që shkëmbente çdo muaj me mbesën dhe kunatën, të cilat tashmë ishin zhvendosur në Shtetet e Bashkuara. “Kishim një korrespondencë të rregullt, por nuk mund të thoshim shumë në ato letra: lejohej vetëm një faqe në muaj”, tregon Drita Ivanaj.
Gjithashtu në burg e vizitonte një grua e vjetër, Novka, shërbyesja e familjes, së cilës Mirashi i jepte çdo herë një autorizim për të tërhequr të holla nga fondi i të ardhurave të fituara nga përkthimet. Kur Mirash Ivanaj ndërroi jetë, trupi i tij u përdor për praktikat mësimore të fakultetit të Mjekësisë, por Novka besnike me këmbëngulje arriti që një ditë ta tërhiqte e t’i jepte një vend prehjeje në varrezat e Sharrës.
Kur komunizmi ra dhe urat e komunikimit u rivendosën, miku i Mirash Ivanajt, Lazër Radi, zbuloi rastësisht varrin e ish-ministrit dhe lajmëroi të mbesën, Drita për vendndodhjen. Kur erdhi në Shqipëri, ajo u kujdes që të silleshin edhe eshtrat e babait të saj dhe të dy vëllezërit prehen në të njëtin memorial, bashkë, siç qenë dhe në jetë.
Emrin e të dyve mban edhe fondacioni me degë në New York dhe Tiranë, që ka themeluar Drita Ivanaj, i cili, ndër të tjera, synon të nxisë interesin publik për kulturën dhe arsimin shqiptar dhe të bëjë të njohur historinë e këtij vendi, e cila ka ende shumë për të treguar. Pjesë e kësaj historie është edhe periudha e diktaturës, e cila mbuloi me hije shumë personalitete, nga vlerat dhe veprimtaria e të cilëve e tashmja dhe e ardhmja e vendit mund të përfitojë jo pak. Një prej tyre është pa mëdyshje, Mirash Ivanaj./kujto.al
* Ky shkrim është mbështetur në librat “Ministri i hekurt Mirash Ivanaj” nga Lazër Radi, Durrës 2018 dhe “Mirash Ivanaj Personalitet i shquar i universit shqiptar” nga Iljaz Gogaj, Tiranë 2004.
ObserverKult
Lexo edhe:
NGJARJA MAKABRE: NËNA IME E KISHTE DJALË XHAXHAI ENVERIN, POR AI NA EKZEKUTOI VËLLANË…