Larg dhe afër, saga e një familjeje

Nga Nevila Nika

Thonë se mësimi i historisë fillon në vatrën familjare, kur të rriturit nisin e tregojnë të kaluarën e familjes, e natyrisht edhe atë të të afërmve e më gjerë të krahinës. Rrëfenja e tregime që të vegjlit fillimisht i dëgjojnë pa vëmendje, por më pas papritur kuptojnë se kanë mësuar jo pak nga historia e familjes dhe fisit të tyre, po dhe më gjerë. Unë u takoj pikërisht këtyre fëmijëve.
Fati e deshi të lindja në një familje jo dhe aq të madhe në numër, por mjaft të njohur për shkak të pjesëmarrjes tejet aktive në zhvillimet politike, shoqërore e kulturore të vendit. Me origjinë nga krahina nga të katër skajet e trojeve shqiptare (Prishtina, Shkodra, Leskoviku e Progonati), të vendosur në Tiranë prej tashmë gati një shekulli, të parët e mi kurrë nuk i harruan vendlindjet e tyre.

Në fëmijëri, nëpërmjet fjalëve që në shtëpi në shumicën e rasteve thuheshin me gjysmë zëri, kisha krijuar një përfytyrim jo shumë të qartë të asaj çfarë kishte ndodhur shumë vjet më parë në familjen e nënës sime. E ajo që asokohe nuk e vija shumë re ishte se gjyshja ime e shtrenjtë dhe e paharruar ishte pothuaj e heshtur kur flitej për bashkëshortin e saj jetëshkurtër. Vetëm kur po diskutohej emri që do t’i vinin djalit të dajës ajo kundërshtoi fuqishëm që emri të mos ishte Ismet. Ndoshta kishte të drejtë, sepse jeta kishte rezervuar për Ismetin e parë një fund tejet tragjik.

Viti 1937 kishte sjellë në familjen Toto kob, zi, gjëmë. Et-hemi, djali i madh i familjes Toto, pas një karriere të suksesshme në administratën e kohës, i zhgënjyer nga paaftësia dhe korrupsioni që kishte kapluar vendin, kishte vendosur të ngrinte krye. I rrethuar nga vëllezërit e tij, të afërm, miq, shokë e sidomos i mbështetur fort në reputacionin që ai dhe familja e tij gëzonte në mbarë vendin, nga Veriu në Jug, në maj të vitit 1937 ai udhëhoqi një kryengritje të armatosur. Duke qenë e paorganizuar siç duhej dhe për shkak të tërheqjes në minutën e fundit të disa prej përkrahësve të tij, kryengritja u shtyp egërsisht brenda një kohe të shkurtër.

Gjyshi im, Ismeti, u dënua me vdekje dhe u ekzekutua me varje më 12 korrik 1937 në kalanë e Gjirokastrës, ndërsa dy vëllezërit e tij, Et-hemi e Tahsimi dhe xhaxhai i tyre, Arifi, ishin vrarë ditë më parë. Shtëpinë e Totove e kaploi zija. Mbrapa kishin lënë babanë e moshuar, bashkëshortet, atë të Et-hemit dhe Ismetit, që ishin edhe motra, dhe 6 fëmijë nga më i madhi 10 vjeç e deri 1 vjeç. Shtëpia e Totove u bastis nga xhandarmëria zogiste. Humbën gjatë kësaj bastisje mjaft sende e objekte të çmuara të familjes. Me këtë rast humbën ose më troç u rrëmbyen letra origjinale që Mustafa Kemal Ataturku i kishte dërguar Ismetit së bashku me penën e kallamarin e bojës prej ari në shenjë falënderimi për librin që ai kishte shkruar për të. Nuk u gjetën kurrë. E vetmja shenjë e kontaktit të Ismetit me Ataturkun është një kopje e librit “Gaziu” dërguar atij nga vetë Ismeti dhe që ndodhet në bibliotekën e tij në Ankara.

Gjirokastra e përcolli Ismetin me të gjitha nderimet. Dyert e familjeve gjirokastrite Çuçi e Hajro u hapën për kësollë, populli e vajtoi me ligje e xhandarmëria vëzhgonte e njoftonte Tiranën zyrtare. Gjesti i padëgjuar më parë i Ismetit para ekzekutimit, kërkoi krehër për të rregulluar flokët e tij të dendur e të dredhur, rregulloi xhaketën dhe u ngjit vetë në stol. E pikërisht aty ai kreu aktin e fundit heroik, nuk pranoi që xhelati t’i hiqte stolin, por duke thënë … “nuk ka mbetur Ismet Toto që t’i heqë fronin xhelati i kalasë së Gjirokastrës”, e largoi vetë atë.

I dënuar me vdekje nga një gjykatë, që pasi nuk mundi të vërtetonte dot se ai kishte vrarë apo tentuar të vriste qoftë edhe një njeri e aq më tepër vetë Mbretin, se nuk vërtetoi dot se lëvizja apo kryengritja e Delvinës kishte qenë komuniste, por vetëm e drejtuar kundër një administrate, e cila vazhdonte të kishte pothuaj të njëjtin mentalitet të trashëguar nga Perandoria Osmane, Ismeti me këtë akt të paprecedentë gjithë përbuzje dëshmoi rebelimin e kundërshtinë e tij ndaj “fitimtarëve të përkohshëm”. Ishte i bindur se nuk do të vononte dhe rinia apo siç atij i pëlqente ta quante Djalëria, do t’ia dilte mbanë për të hedhur tutje “rreckat e vjetra”, të cilat po “i merrnin frymën Shqipërisë”.

I vetmi faj apo mëkat i tij kish qenë padyshim fjala e shqiptuar dhe e shkruar prej tij. Gjithçka që ai kish nxjerrë nga dora e goja e tij kishin pasur ndikim jo të vogël në opinionin publik, por sidomos te të rinjtë. Ndoshta kjo kishte qenë edhe arsyeja kur në sallën e gjyqit prej akuzuesve habitshëm shqiptohen fjalët: “… ai kur flet i hipnotizon turmat, që i shkojnë pas, e kjo është një arsye më tepër që ai meriton dënimin më të ashpër”. E pra ndoshta nuk gaboj kur mendoj se ky gjyq shënon në Shqipëri edhe fillimin e dënimeve, të cilat qenë pjesë e të përditshmes sonë në regjimin komunist, kundër fjalës e mendimit të lirë, kundër individëve që potencialisht rrezikojnë regjimet autoritare, për shkak të ndikimit që ata ushtrojnë në masat e gjëra të popullatës. I papërkulur në idealin e tij, se atdheu meritonte çdo sakrificë, qoftë edhe jetën e tij, ai shkroi një letër të titulluar “De profundis”. Letra u shpërnda si rrufe në të gjitha shkollat e vendit, edhe pse autoritetet policore e arsimore bënë të pamundurën ta ndalonin. “Bota është e atyre që digjen dhe jo e atyre që ngrohen”, kjo thënie e Ismetit, që sapo i kish kaluar të 30 vjetët e jetës, u bë frymëzim për rininë e kohës.

Por fatkeqësitë nuk kishin të mbaruar për këtë familje. Në vitin 1947 ekzekutohet edhe vëllai i fundit, Selahudini 34-vjeçar, deputet i Kuvendit Popullor. Si ish-nxënës i Shkollës Teknike, pra i Harri Fulcit, u akuzua nga regjimi komunist se “kishte pasur lidhje me Misionin Aleat Anglo-Amerikan, se ishte kundër marrëdhënieve tejet të ngushta me Beogradin zyrtar, se donte që Shqipëria të ishte pjesë e pandarë e Europës Perëndimore”. Por me siguri mbi të rëndonte edhe një akuzë tjetër, e cila kurrë nuk u tha botërisht, shqipërimi i veprës së Edith Durham-it “Njëzet vjet ngatërresa në Ballkan”, përbënte për udhëheqësit komunistë një tjetër arsye të fortë që, sipas tyre, vërtetonte veprimtarinë e tij “antikombëtare” e kundër “Bashkim-Vëllazërimit” me Jugosllavinë titiste.

Trajtimi që iu rezervua pjesëtarëve të kësaj familjeje pas mbarimit të luftës, sidomos gruas dhe fëmijëve të Ismetit, më ka intriguar gjatë. Pjesëmarrja tejet aktive e gjithë familjes në vitet e Luftës së Dytë Botërore në radhët e qëndresës antifashiste, në ilegalitet e me pushkë në mal, e që kulmoi me zgjedhjen e bashkëshortes së Ismetit, Enveres, zëvendëspresidente të Bashkimit të Grave Antifashiste, u fshi me një të rënë të lapsit. Të them të drejtën, nuk arrija ta kuptoja këtë lloj trajtimi, si për të gjallët, ashtu dhe për ata që ishin larguar tragjikisht nga kjo jetë. Ata kishin kundërshtuar me armë mbretin Zog, por nga propaganda e regjimit komunist ky veprim konsiderohej “lëvizje profashiste”, gjë që binte ndesh me etiketimin “komuniste” që kishte përdorur Tirana zyrtare e vitit 1937.

Por vetëm pas rënies së regjimit komunist, zoti Mentor Çoku, pinjoll i familjes të njohur të Iliaz pashë Dibrës, dha një dëshmi që davariti çdo lloj hamendësimi të bërë në mjedisin tonë familjar në dekada. Ngjarja e treguar prej tij kishte ndodhur në mesin e viteve ’30, ndoshta më 1935-n. Asokohe zoti Mentor, mik shumë i afërt me Ismetin, gjatë një takimi të zhvilluar në një prej lokaleve më në zë të Tiranës, ku merrnin pjesë të rinj intelektualë, përfshihet në një debat të ashpër me Enver Hoxhën. Ky i fundit, duke folur me përçmim për shqiptarët e mbetur jashtë kufijve politikë të shtetit shqiptar, shkakton reagimin e ashpër të zotit Çoku, i cili përpiqet edhe ta godasë. “Pikërisht në atë çast, – kujton zoti Çoku, – miku im i mirë Ismeti ndërhyn dhe më qetëson duke më thënë: “Mentor, nuk ia vlen ta qëllosh. Ai është aq maskara, sa edhe nëse ti e pështyn në fytyrë, ai ngre sytë lart dhe thotë se po bie shi”. Nuk është e vështirë të merret me mend reagimi i të pranishmëve. Enver Hoxha nuk e harroi kurrë fyerjen dhe u hakmor ndaj gruas e fëmijëve të Ismetit, si edhe vajzës së vetme të Mentor Çokut, zonjës së nderuar, Valbona Çoku-Miraka.

Në vitin 1947, prof. Selahudin Toto, asokohe deputet dhe titullar i Institutit të Shkencave, kishte përgatitur, e me sa kemi dijeni ndoshta edhe shtypur, të parën përmbledhje të punëve të vëllait të tij, Ismetit. Por fati tragjik i tij u shoqërua edhe me hedhjen në zjarr të veprave të tij, si shqipërimin e mrekullueshëm të veprës Njëzet vjet ngatërresa në Ballkan të Edit Durhamit apo të librit biografik për Ismet Toton, Bota e një djaloshi revolucionar. Humbja e këtij punimi dhe mjaft dorëshkrimeve, librave, koleksioneve të revistave e gazetave të kohës, si edhe e fotove të familjes pas arrestimit të Selahudinit e vështirësoi mjaft punën për identifikimin e shkrimeve të Ismetit në shtypin e viteve ’20 – ‘30 të shekullit të kaluar. Ishte e dyta bastisje që i bëhej familjes, njëherë nga xhandarët e Mbretit dhe kësaj here nga policia sekrete e regjimit komunist të E. Hoxhës. Humbja e dorëshkrimeve të grumbulluara nga Selahudini, i cili njihte të gjitha pseudonimet e përdorura nga i vëllai, e vështirësoi mjaft punën. Gjithsesi, disa vjet më parë dy zotërinj të nderuar, Ibrahim Gani dhe Halil Qendro, punuan me shumë përkushtim dhe ia dolën mbanë të botonin për herë të parë një përmbledhje të shkrimeve të Ismet Totos me titull Bota e një djaloshi kryengritës, për të cilën familja Toto do t’u jetë për jetë mirënjohëse. Emri i gazetarit, shkrimtarit, shqipëruesit dhe shtetarit Ismet Toto, që pothuaj ishte harruar, papritur u shfaq fuqishëm përpara publikut.

Nisur nga ky interesim e vlerësim, që vjen krejt natyrshëm nga lexuesit, e sidomos nga studiuesit e fushës, e këtu do të përmendja prof. Ernest Koliqi, prof. Odhise Paskali, prof. Vedat Kokona, prof. Nasho Jorgaqi, Anton Logoreci etj., vendosa të ribotoj krijimtarinë e tij, por kësaj here duke e plotësuar me të tjera shkrime të pabotuara më parë nga z. Ibrahim Gani e z. Halil Qendro. Falë ndihmës së pakursyer të kolegëve bibliotekarë e në veçanti të prof. dr. Etleva Domi Pepo, z. Maksim Gjinaj, ish-titullarit prof. dr. Aurel Plasari e natyrisht edhe të titullares aktuale të këtij institucioni, prof. dr. Persida Asllani, ia dola mbanë të rizbuloja pothuaj tërësisht krijimtarinë e Ismet e Selahudin Totos.
Në këtë përmbledhje të re mendova se nuk bëja gabim nëse bashkëngjitja edhe krijimtarinë e vëllait më të vogël, Selahudinit, si edhe disa dokumente zyrtare nga veprimtaria e vëllait të madh, Et-hemit, si shtetar.

Tre vëllezër të një gjaku, shumë të ndryshëm nga njëri-tjetri si karaktere e formim, por të lidhur pazgjidhshmërisht në idealin e tyre për lartësimin e atdheut dhe të kombit. Et-hemi ushtarak e shtetar i rrallë për nga përkushtimi e ndershmëria; Ismeti nxënës i shkollës amerikane e më pas përfundon studimet për statistikë në Itali, nëpunës i devotshëm, gazetar me një penë të rrallë, polemist për t’u marrë shembull edhe sot, autor i të parit libër biografik për Mustafa Qemal Ataturkun, shqipërues i mrekullueshëm; Selahudini nxënës i shkollës amerikane dhe i diplomuar për fizikë e matematikë në Itali, deputet i Kuvendit të Shqipërisë, drejtor i Institutit të Shkencave, edhe ai autor shkrimesh letrare e shqipërimesh.

Ndihem krenare dhe e përkëdhelur nga fati që jam mbesa e tyre, por në të njëjtën kohë edhe nën trysninë e faktit nëse kam mundur të eci në gjurmët e tyre.
Në këtë vit përkojnë dy ngjarje të hidhura për familjen tonë, 80 vjet nga largimi tragjik prej kësaj jete të katër burrave të fisit Toto, Arif, Et-hem, Ismet e Tahsim, si dhe 70 vjet nga humbja po ashtu tragjike e djalit të fundit të familjes, Selahudinit.
Uroj që lexuesit e këtij libri të mos i ligështojë fati tragjik i kësaj familjeje, por përkundrazi, të besojnë në idealin, forcën, përkushtimin dhe atdhedashurinë e tyre se ky komb e ky vend meritojnë çdo sakrificë tonën për të qenë në krah të popujve europianë me ballin lart e krenarë që jemi shqiptarë./Gazeta Liberale

LEXO EDHE: Historia e dhimbshme e familjes Numani: Komunistët ja vranë burrin dhe djalin, por s’u ndalën me kaq