“Larg dhe mes njerëzve”, dëshmi tronditëse për diktaturën komuniste shqiptare

Posa ka dalë nga shtypi libri i Liri Lubonjës, “Larg dhe mes njerëzve”, botuar nga shtëpia botuese PA, Prishtinë, 2021. Liri Lubonja, në këtë libër autobiografik rrëfen e përshkruan jetën në internim, në Shqipërinë komuniste.

Idealiste që ballafaqohet me dënimet e të shoqit dhe të birit si ‘armiq të popullit’, privimet e përditshme, padrejtësitë, ajo megjithatë arrin të bëjë analizë të thellë objektive, pa rënë në sentimentalizëm, të shumë aspekteve të asaj jete të tmerrshme e njëkohësisht absurde.

Përmes rrëfimit të saj shpërfaqen ngjarje e personazhe të ndryshme, pra Liria nuk përqendrohet vetëm në jetën e saj, por përfshin shumëçka të përjetuar atyre viteve, 1973-1990.

Gjuha e autores është e qartë, e rrjedhshme, ndërkaq teknikat letrare që përdor, dëshmojnë për kulturën e saj të gjerë. Kjo vepër është tronditëse, që e përfshin lexuesin menjëherë në rrjedhën e vet, nga e cila, kur të dalë, do të jetë shumë më i informuar për të vërtetën e diktaturës komuniste shqiptare.

Liri Lubonja ishte partizane, historiane dhe gazetare në Shqipërinë komuniste. Ishte e martuar me Todi Lubonjën, i cili, në vitin 1973, u shkarkua nga posti i drejtorit të televizionit dhe u dënua me 15 vjet burg. Edhe i biri, Fatos Lubonja, u burgos deri në rënien e regjimit komunist.

Me pjesën tjetër të familjes, Liria u internua për 17 vjet në fshatrat e rrethinës së Lezhës. Sot, 95-vjeçare, ajo jeton në Tiranë. Përveç “Larg dhe mes njerëzve. Kujtime internimi 1973-1990“ ka shkruar edhe “Kohët e reja, kujtimet e vjetra“.

ObserverKult

LEXO EDHE: Kur Fatos Lubonja vuante dënimin në Spaç: Kampet tuaja nuk të riedukojnë