Lasgush Poradeci: Dremit liqeri

lasgush poradeci liqeri

Dremit liqeri, poezi nga Lasgush Poradeci

Mi zall të pyllit vjeshtarak,
Dremit liqeri pa kufi,
Ay ndaj fundesh u përflak
Posi me zjarr e me flori.

Posi me flakë-u ndes e kroj,
E vetëtiti plot magji,
E yll´ i ditës perëndoj
Në qetësi dhe dashuri.

Tashi po shuhet nënë mal
Qytet´ i ngrysur në të zi.
Po ndizen yjtë dal-nga-dal
Plot bukuri! plot fshehtësi!

Në këtë ças perëndimor,
Ndaj po më dehen sytë-e mi,
Kuptoj si shpirtin vjershëtor
M’a frymëzon një mall i ri.

ObserverKult

——————————–

Lexo edhe:

LASGUSH PORADECI: PORADECI

lasgush poradeci liqeri gjarpërushe

Perëndim i vagëlluar mi Liqerin pa kufir
Po përhapet dal-nga-dale një pluhúrë si një hije.
Nëpër Mal e nër Lëndina shkrumb’ i natës që po bije,
Duke sbritur që nga qjelli përmi fshat po bëhet fir…

E kudó krahin’ e gjërë më s’po qit as pipëlim:
Në katund kërcet një portë…në Liqer heshtë një lopatë…
Një shqiponjë-e arratisur fluturon në Mal-të-Thatë…
Futet zemra djaloshare mun në fund të shpirtit t’im.

Tërë fisi, tërë jeta, ra… u dergj… e zuri gjumi…
Zotëroj më katër anë errësira…
Po tashi:
Dyke nisur udhëtimin mes-për-mes nër Shqipëri,
Drini plak e i përrallshëm po mburon prej Shëndaumi…

ObserverKult

Lexo edhe:

ME ZJARR JU FLAS… ME ZJARR, POEZI NGA LASGUSH PORADECI