Laura Olldashi: Vetja ime që shkon te vetja tjetër e imja!

laura olldashi

Bie shi…
Pikat njomin sipërfaqe të panjohura dhe rrinë mbi to.
Gjërat lëvizin ngadalë.
Edhe kur mendojnë se duhet të shkojnë drejt tjetrit, i ndalin më shumë hapat dhe e bëjnë ardhjen me imagjinatë.
Ashtu hyj në qytetin tënd me pjesë të ndrojtura.
Prek me sy vendet e njohura, duke përkëdhelur një dorë që nuk është.
Rrugë që ecet në dy…
Shkallët i ngjis vetëm.
Trokas te dera e apartamentit.
Nga ana tjetër ka heshtje.
Komshiu zgjat kokën dhe më thotë se nuk jeton më aty.
Zemra zmbrapset dhe qetëson imagjinatën: “Ti e bëre tënden”.
(sikur për kaq kishim nevojë…!)
Ndërsa mendja bën të njëjtën lojë:
Vetja ime që shkon te vetja tjetër e imja.
Dyshimet janë.
A do më pranojë ajo?
A do më njohë?
Apo do t’më trajtojë si e huaj, ashtu si ky qytet?
Jam vetja jote, jam Ti, – do t’i them. Dhe nuk do e fus këmbën në asnjë vrimë për t’u identifikuar.
Hapma derën! – do t’i thërras lehtas.
Porta do të kërcasë thatë.
Nga ana tjetër do të prezantohet askushi!

ObserverKult

Lexo edhe:

PYETËSORI I PRUSTIT/ LAURA OLLDASHI: UNË NDJEJ, PRANDAJ EKZISTOJ!