Nga Lazër Stani
Gjuha shqipe gjithmonë më ka magjepsur në gojën e nënës sime. Ditën fliste pak, merrej me punë, nuk kishte kohë as të merrte frymë.
Po, ndërsa hynte e dilte në dhomën tonë të ndenjes, gjithmonë thoshte ndonjë fjalë, ndonjë shprehje, herë duke m’u drejtuar mua e herë pa iu drejtuar askujt, duke e lënë fjalën ose fjalinë pezull në ajër, në pritje që dikush ta dëgjonte para se fjala ose shprehja shuhej, të varrosej në heshtjen që lëshonin muret e trasha në atë qoshe të humbur të botës ku jetonim.
Por kishte edhe raste kur nëna ulej pranë meje e bisedonte vetëm me mua, ose lëvizte nëpër shtëpi gjithë gjallëri dhe vazhdonte të më fliste, sikur donte të ndante barrën e rëndë të fjalëve me mua.
Edhe pse fëmijë, unë e pata kuptuar se nëna ime fliste më bukur se të gjithë njerëzit që njihja. Përveç zërit të ëmbël dhe pëshpëritës, që në veshin tim vinte si një kompozim mahnitës, ajo vazhdimisht shqiptonte fjalë që unë nuk i dija, ose shprehje që duhej të ishin shumë të vjetra e vinin nga thellësia e kohës, të ngjeshura e të lëmuara, si gurët e zallit të bartur prej larg, nga thellësitë e maleve.
Kjo gjuhë bëhej më e gjallë dhe më e pasur kur ajo më tregonte histori, përralla të dëgjuara apo rrëfime të krijuara prej saj, me përsonazhe që ajo dinte t’i veçonte prej gjuhës që flisnin.
Fjala në gojën e saj sikur gjente vetveten, rikrijohej e shqiptohej, sikur thuhej për herë të parë.
Trupi i imët dhe i brishtë i sime mëje dukej sikur ishte krijuar prej fjalëve dhe sa herë fliste, rrëfente, ose këndonte, mua më dukej se ajo do të shndërrohej e tëra në fjalë, e tëra në gjuhë, do të shndërrohej në gojë të drurëve, gurëve, lumejve, shkëmbijëve, maleve, horizontit, qiellit deri sa të tretej e të shuhej krejt në fjalën e fundit. Ligjërimi i saj ishte i thjeshtë, i butë, muzikor, kumbues, i çlirët, i natyrshëm, magjepsës….
Nga “Instinkti i Fjalës”
ObserverKult
Lexo edhe:
LAZËR STANI: KËSHILLË LEXUESI PËR SHKRIMTARIN
Nga Lazër Stani
Mua më kujtohet një lexues imi, shumë dashamirës, por pak naiv. “Shiko, – më thoshte, – shkrimtarët e mëdhenj merren me personazhe të rëndësishme të historisë: Homeri merret me heronjtë e lashtësisë, Shekspiri me mbretër, Ismail Kadare me ministra, sulltanë, kryetarë shtetesh”.
Mua më vinte për të qeshur me këtë këshillë, por për mirësjellje kafshoja buzën, qëndroja serioz dhe e dëgjoja gjithë vëmendje.
Tekstin e plotë mund ta lexoni KËTU:
ROBERTO BOLANO: SHIU
Nga Roberto Bolano
Bie shi dhe ti thua është sikur do të qajnë retë. Pastaj zë gojën dhe përshpejton
hapat. Po sikur këto re mjerane të vajtojnë?
E pamundur. Po atëherë, ç’ne ky zemërim,
ky dëshpërim që do të na shpjerë të gjithëve në djall?
Natyra i fsheh në mister disa nga proceset,
vëllain e saj.
Kështu këtë pasdite
që do e konsiderosh të ngjashme me pasditen e fundit të botës,
më shpejt se sa pandeh ti, do të duket vetëm
Poezinë e plotë mund ta lexoni KËTU:
ObserverKult