Ledi Shkreli: Letër nxënësve e studentëve për sa po nis

Fort të dashur djem e vajza që po gatiteni me nxënë e që po gatiteni me studju, kam dëshirë ta flas edhe me ju atë çka fola me fëmijët e mi para ca ditësh; e madje qe ime bijë që pas bisedës, më nxiti t’ju shkruaja për sa vijon.
Po shtyhem pak thellë në kohë e po shkoj te Platoni, te libri i tij “Fedri”, ku ka ca dialogje me Sokratin. Fragmenti që kam zgjedhë si shkas për bisedë është ai i Thamusit dhe Theuthit. Thamusi ishte një faraon i ditur dhe shpirtlirë. Theuthi ishte ai që shpiku shkrimin, një zbulim i rrallë, ndaj i ngazëllyer, shpikësi rendi te Thamusi duke i thënë se kishte shpikur ilaçin e kujtesës – shkrimn që do të nguliste ngjarjet në kohë.
Thamusi i mençur nënqeshi dhe i tha butë: O Theuth, unë e kuptoj shendin që ke për krijesën tënde. Veçse dije se në të vërtetë ke shpikur ilaçin e harresês! Shkrimi yt rrezikon t’i bëjë njerëzit harraqë e dogmatikë nëvendse të vëmendshëm e të urtë”.
Si ka mundësi që shkrimi të nxisë harresën?! Le ta zbëthejmë këtë paradoks me çelësat e gjuhësisë!
Gjuha e shkruar dhe gjuha e folur janë dy regjistra që dallojnë shumë për nga natyra (nga struktura thonë gjuhëtarët, por po jua thjeshtoj).
Kur shkruajmë, gati gjithnjë na lexojnë më vonë a shumë më vonë e nuk kanë mundësi të na pyesin çfarë donim të thonim; fjala vjen unë nuk e pyes dot Platonin. Ndaj shkrimi është shumë më i përpunuar e i plotë, për të qenë i qartë në mungesë. Të folurit mund të jetë më pak i plotë, se plotëhet nga mimika, toni i zërit dhe pyetjet e dëgjuesit. Porse të folurit ka një kërkesë jetike: ai duhet të bëjë ÇMOS që të ngulitet në kujtesë, pasi dëgjuesi nuk kthehet dot mbrapsht një a dy paragrafë siç ka fatin ta kthehet lexuesi, i cili edhe po nuk mbajti mend se ç’lexoi, i kthehet fletës nga e para. Të folurit është mbresë akusrike në vesh, ndaj edhe gjuha e folur thjeshtohet dhe ndërtohet enkas për t’u mbajtur mend. Ndaj Të folurit ka përsëritje (gjuhësia i quan redondanca), në mënyrë që të ngulitet në mendje, e mandej të folurit ka fjali të ndara më dysh, fjala vjen shkrimi thotë: “Ledi luante para pallatit”, ndësa zëri thotë “Ishte Ledi që luante para pallatit”. E kuptoni? Zëri e ndan fjalinë në dy monoblloqe më të vogla dhe i përforcon që të ngulitet në kujtesë. Zëri e bën këtë mrekulli qyshse lindi gjuha: thjeshton dhe ngjyros me emocion vetëm e vetëm që të ruhet në kujtesë, ngaqë rrugë tjetër nuk ka. Shkrimi nuk e ka kujtesën si nevojë jetike, se është aty e nuk tretet si zëri. Shkrimi aktivizon kujtesën pamore, e cila rron më pak se kujtesa dëgjimore.
E dini pse jua bëra këtë sqarim të gjatë? Se dua t’ju ftoj në këtë fillim të ri që t’i ndiqni me vëmendje leksionet, t’i dëgjoni me kujdes shpjegimet, ta dëgjoni gjithmonë zërin e kujt ju shpjegon. Mos shkoni me mendjen “hajt po mungoj se aty e kam librin, e lexoj me nge në shtëpi”.
Nuk është njësoj, nuk është aspak njësoj! Libri është gjuhë e shkruar dhe Thamusi kishte të drejtë: nuk e ka aspak kujtesën si diçka jetike! Libri i mësuar mbahet mend aty për aty por harrohet më lehtë. E kush ju shkruan këtë letër, lakmon që ju t’i mbani mend dijet edhe pasi ta kryeni shkollimin. Dëgjimi dhe Studimi ju bëjnë siç do donte Thamusi e Theuthi bashkë: të plotë!
Të dashur djem e vajza, për ju e jo veç për ju, po nis një vit aspak i thjeshtë, me vështirësi, epidemi, masa e ndalesa, por e dini si e mendoj unë? Jemi qenie njerëzore dhe si të tilla kemi aftësinë e madhe për t’u përshtatur falë inteligjencës që kemi. Le ta marrim si sfidë historike përshtatjeje, le të kallxojmë se nuk jemi dinosaurë por talente të natyrës.
Po e mbyll me një urim dashnie: Qofshi sy e veshë, e sidomos veshë! E ju dëgjofsha të gjithëve zërin e mirë!
Ju du!
Ledi

ObserverKult