Poezi nga Lefter Çipa
Se jetës së gjatë, s’i dihet sekreti,
dhe vdekja më nxiu, po jeta më shkrepi.
Në më mbyttë deti, do më nxjerrë lumi,
zogu sapo vjen, fluturon pëllumbi.
Ata që më duan, dorën më shtrëngojnë,
si një përshëndetje, këngën më kujtojnë.
Nuk jetoj nga buka, kam jetë nga shpirti,
vritem nga të gjitha, por më shumë nga syri.
Me një bastun druri, trokëllij mbi tokë,
toka gjak më vuri, qielli djalë më thotë.
Guri që më deshi, më zgjoi natyra,
kur nata më qeshi, erdh’ më mori dita.
Kur merr këngën fati, dreqi është tërbuar,
me shpatë inati, ëngjëll i copëtuar.
Doni që ta dini: Ligjet janë të serta,
ankohet i miri, i ligu loz letra.
Ç’mban dheu brenda, kush dheun e hapi?
Me lotë qan veç nëna, ati qan i pari.
Kujt i vritet zemra, i pikon dhe gjaku,
vesë po s’hodhi Hëna, nuk rritet zambaku.
Me një bastun druri trokëllij mbi tokë
Nuk jetoj nga buka, jo në këtë botë.
ObserverKult
Lexo edhe:
LEFTER ÇIPA: TANI NUK KA AS BURRA DHE AS FJALË QË PESHON
Nga Aleksandër Çipa
Dialog me tim At, Lefterin, në vitin 2018
Si të duket kjo kohë?
-Kjo kohë, dëgjo mor djalë, nuk bën dot kohë për vete. E kam fjalën, për kohë të jetushme matanë jetës së të gjallëve. Se kjo kohë nuk ka sistem. Kjo kohë ka prishur shkallët e vlerës dhe të peshës. Në kohët normale themi: peshon burri dhe peshon fjala e burrit. Tani nuk ka as burra dhe as fjalë që peshon. Se e kanë prishur dhe fjalën dhe, e kanë humbur edhe peshën e burrit…
Tekstin e plotë e gjeni KËTU