Sikur tërë bota të prishet,
Rrafsh me detin të vithiset,
Mua pa këngë s’më rrihet,
Dhe brenda dheut, ku flihet.
Dua, nga të gjithë të dihet,
Amaneti të mos fshihet,
Mua pa këngë s’më rrihet,
Dhe brenda dheut, ku flihet.
Dhe dasma në mes të lihet,
Dhëndrit kurora t’i digjet,
Mua pa këngë s’më rrihet
Dhe brenda dheut, ku flihet.
Djali i vetëm të më vritet,
Zvarrë, pas mushkës të hiqet,
Mua pa këngë s’më rrihet,
Dhe brenda dheut, ku flihet.
Dhe të shahem, të përflitem,
Ta di që babai s’më ngrihet,
Mua pa këngë s’më rrihet
As brenda dheut ku flihet.
Shpirti s’blihet, por as shitet,
Ikën, dhe në qiell ngjitet,
Mua pa këngë s’më rrihet
As brenda dheut ku flihet.
Dhe Brenda dheut ku flihet,
Them, nga kënga do më pihet.
Kënga ime do më njihet,
Kudo shpirti do më shihet.
Mua pa këngë s’më rrihet,
Them, nga kënga s’do më flihet!