Legjendë popullore: Kshtu asht metë dashnia e madhe ndërmjet burrit e grues…

Dashnia mes burrit e grues

(Arllat, Drenicë)

Baba edhe nana e kishin pasë ni djalë për hasret. Djali ish kanë tregue shum azgan edhe kërkujt s’ja lshojke rrugën. Thojke: “Si tutna kërkuj veç zotit”. Ditë mas ditsh i tha t’jatit:
-O babë, du me dalë me shetitë nëpër dynja.

Muer udhën edhe po éc. Kur duel n’ni fushë t’gjanë, qe po vjen ni njeri shum i madh, alamet. Ja nisi e po dridhet djali prej themrave t’kamve n’maje t’kresë. U afrue ai njeri i madh e po i thotë:

-Kush je ti?
-Unë jam trimi i trimave qi s’i tutna kërkuj veç zotit. E ti kush je?
-Une jam Xhebraili qi i marr shpirtnat. Bile edhe ty kam t’a marrë.
-Aha, po!
-Po besa.
-E kur?
-Qat natë qi t’martohesh.
-Po unë s’martohna hiç.
-Ani. N’mos u martofsh hiç, rrno.

At’herë u danë. Djali u nis e po shkon n’ni shehër. Pak para se me hi n’shehër, shka me pa, adalet me sy! Qashtu, nja ni orë para akshami, po ikshin i madh e i vogël pej ati shehri , tuj dalë n’fushë. I dveti djal disa:
-Shka po ikni kshtu?
-Hej, -i thanë-e zezë dita qi na ka gjetë ne, kân s’e ka gjetë.
-Pse?
-Po vjen nifarë murmurime, nifar piskame e kërcime, po bâhet nifar zerzele e krejt shpijat po do me na i rrxue. Insan qi rri mrêna pi trishtimit nuk ka.

Djali kish thanë edhe i kish shti fjalët ngusht: ,,Une s’i tutna kërkujt” e nuk pat si me u kthye mrapa. Shkoi n’sheher. Erdh vakti i akshamit. Ai meniherë u afrue tu çeshmja e muer avdes. Hini n’xhami m’u falë. Taman sa hini m’u falë, ja nisi bubullima, kërcima e madhe sa me u tranue njeri. Mirëpo djali ish zemërfortë. E fali vaktin kadalë edhe u çue. Kur duel, n’dyerek t’xhamisë, ish lidhë ni njeri i shumtuet e për ibret. As n’podvallë s’ish, as n’tavan, veç n’midis dyreki. Djali iu afrue ngat e p’e vet:


-Shka je ti ktu?
Ai s’po ba zâ.
-Fol, more, shka je ti?
Ai hiç. Ta ka pritë djali shuplakë ,,tinjau’’.
-Shka je ti?
-Mos m’sill ma, bre vlla, se po t’kallxoj .
-Hê!
-Une jam ni njeri qi i kam mshehë paret pi vllaut.
-Pse, qysh?


-E kena pasë babën e jena kanë dy vllazni. Para se me dekë, baba m’kallxoi sall mue ku i kishte dukat’. Kur diq baba, unë jetova teri diku me vlla, e dikur u dava e s’ja kallxova aspak vllaut paret e babës. Mirëpo s’mrina me jetue ma shum qi me i harxhitë edhe s’un i kallxova kërkuj. M’mrrini deka, diqa e paret metën t’mshehta n’dhe. Tash, sherri i qatyne pareve , as toka s’po m’le mrêna e po m’gjuen. E jam n’zor shum.


-Ani halli? A ka farë rruge?
-Po, me pasë kush qi shkon te filani, e me i kallxue qi te shelgjja, n’anë t’epër me gropue, aty janë dy kazana me pare, me lira. E m’i nxjerrë njanin kazan e me ja dhanë vllaut, e qerat shka janë t’hises teme, m’i shkepë për sadak, une kishna m’u rahatue.
-Kush âsht ai vllai yt?
Ja kalxoi emnin e t’vllajt edhe n’at dakik u zhduk, hupi.
Mas zerzeles nisen e po kthehen njerzit e ati shehri prej fushe.


Parija e shehrit po do m’e marrë atâ e me i ba muhabet se po menojnë: ,,Ky â’ njeri i mirë që guxoi me hi edhe me nêj n’shehër pa u tutë”. Po e lusin me shkue n’konaqet ma t’mira. Mirëpo djali nuk deshti me shkue tu ata, tha:


-Une du me shkue te filani.
Ata u çuditën.
-Qysh ,e shkue te ai, qi ai s’ka gja mas shpirtit. S’ke ku rri, po hajde te na.
-Jo, te qaj du’ me shkue.


Kur shkoi aty, i tha atí:
-Çu shko e gjâji dy kazana, ni tarrakop edhe ‘i kaci edhe ‘i fener e hajde me mu, po mos ta di’ kush shka po bâjmë.

Shkoi ai edhe bani qysh i tha ky djali. Shkuen tu shelgjja, ja nisën me punue, nxorën dukatin. I muerën ato pare e i pruen n’shpi t’fukarêsë. Njanin kazan ja çoi t’vllajt t’ati t’deknit, dishka i dha fukarês, qi i kish nimue e kusurin e shkepi për sadak. Pak sên nali edhe për veti. Po rrin aty. Nesrit, para akshami, s’po nihet kurrfarë zhurme as kurrfarë kërcime. U pashit, u largue friga e asaj krisme.

U çuen ata parija e shehrit e dashtën m’e nalë se,,…ky njeri qi na hoq kët farë gazepi-thojshin-veç â njeri i mirë”. Edhe po i thonë:
-Hajde se po ta japim edhe ‘i rob m’u martue, me jetue e me pasë mall t’vetin.
-Jo-tha-nuk muj se nana e baba s’kanë tjetër veç mue.
M’presin. Do t’shkoj n’katun.
Lute, lute, s’dashti. I dhanë besa shumë pare. Bani pare t’madhe .
Çoi letër n’shpi: ,,Po vi pej shpije mas ni kohe”. Print e kishin për hasret edhe ja zunë ni nuse e dojshin m’e martue tamam at’herë kur u kish çue letër qi do t’vjen. Djali erdh te shpija. Po nín dajre e zhurmë. Po sheh njerëz shum aty. Po dvét:


-Shka â’kjo?
-Darsëm, dojmë me t’martue.
-Ai…i.-Meniherë i ra n’mên qi ish zatetë n’fushë t’madhe me Xhebrailin edhe i kish thanë: ..Une, qat natë qi t’hish dhanër, kam me ta marrë shpirtin”. E thirri babën:
-Babë?
-Hoj, bir.
-Hej, more babë, me t’kallxue dishka.
-Hê?
-Jam zatetë ni ditë n’Xhebrailin. M’ka thanë: ,,Qat natë qi t’hish dhanër, qat natë ki m’e dhanë shpirtin”.


-Ai….i, hajt, bre bir, se s’âsht gja ajo punë.
-Jo, po besa babo, mos t’u dhimsha, po martohna.
-Jo, se hin baba për ty.
-Mo’ , babë.
-Po, po, do t’hi une për ty.


Djali s’u durue, e thirri edhe nanën e po i kallxo’ krejt fill e për pê. Nana i tha.
-U…u, loke, rri pa vesvese se, kur t’vje Xhebraili, e jap une jetën n’vên tanin.
P’e sheh djali qi s’munet me jau mushë mênen e s’e çoi punën ma larg. U ba darsma . Erdhi koha me hi dhanër. E përcollën edhe e çuen te dera. Kur hini n’gjerdek, shka me pa! Çift me nise ish edhe Xhebraili.


-A je ardhë a? –e veti djali.
-Po, besa. A t’kam pasë kallxue?
-Po.
Duel te dera e gjerdekut e p’e thret t’jatin:
-Babë, hajde se tek â ardh Xhebraili.
-Ani, -tha baba.
Hini baba e po kallxon:
-Unë du me hi për djalë me dhâ shpirt (si bedel).
-Ani, -tha Xhebraili. –Ja ngjiti exhelin e po i shko’ trupit pej kamve përpjetë teri n’shokë. Kur i mrrini exheli teri n’shokë, briti plaku:
-Aman, hiqma exhelin se tuk â shpirti i amël. S’muj m’e bajtë. Munem apet me pasë djelm e vetë me dekë s’po muj.
E lshoi. Edhe u shlirue baba. Djali u detyrue me e thirrë nanën:
-Nanë!
-Hoj loke!
-Hajde, nanë, se shkova, marova.
-Qè nana. –Po do m’e dhanë jetën për djalë.


Ja gjiti exhelin pej kamve edhe po i ngjitet trupit përpjetë. Nana po ban gajret besa-besë. Kaloi shokën teri kah gjini. Kur i mrrini exheli n’gjyks, tha”
-Hiqma se tybe n’muj m’e bajtë. Boll i dhimshëm djali, po shpirti kanka ma i amël.
Ja hoq exhelin edhe nanës Xhebraili. Met e foli nusja. Po e vet plakun tuj nêjtë divan:
-Babë, a mun e flas edhe un’ i fjalë?
-Fol, bre bi, -I tha plaku.


-A m’ipni izë edhe une ta provoj veten. E kam pasë t’shkruene me i ba hyzmet burrit tem e m’e kalue jetën me tâ. Pa tâ s’ka shka m’vyen jeta. Ma mirë po des une se ai.
-Hajt, bre babë, hajt , izë po, po s’po bâjke.
-Ani, po i munohna.
Ja ngjiti exhelin Xhebraili pej kamve e trupit përpjetë e nuk bani za nusja aspak. Bre mrrini n’gojë-hiç, n’hunë-hiç, n’krye, -hiç tekteri n’flokë. Veç po don me dhanë jetë. Zhdripi ni melaqe, i tha Xhebrailit:
-Mos ja nxjerr krejt shpirtin se, paska pasë kaq dashni, masi e paska sosë me e dhanë jetën për burrin e vet, nuk domë m’e lanë me dekë. I ka pas niqin vjet ymer e po jau dajmë për gjysë për ka pesëdhetë vjet e de ta çojnë në veti për lezet.
Edhe Xhebraili e shliroi nusen pej exheli. Jau dha t’dyve me rrnue ka pesdhetë vjet edhe shkoi. Pej atyhit âsht metë dashnija e madhe ndërmjet burrit e grues sa me e dhanë jetën për njani tjetrin.

*Shkëputur nga libri i Anton Çettës: “Nga folklori ynë 1”

Përgatiti: ObserverKult

——————–

Lexo edhe:

ELBASAN, LEGJENDA E DHIMBSHME E TË DASHURUARVE QË I DHA EMËR MALIT TË VASHËS