Leka Bungo: Ç’janë këto pocaqi me emrin Big Brother e Përputhen, jeni në terezi a jo o popull?

“Profesionisti” është premiera e re e cila do të shfaqet përgjatë fundjavës në teatrin “Petro Marko” në Vlorë.

Me regji të Leka Bungo dhe lojën e shkëlqyer të Viktor Zhustit e Astrit Hasanit, drama është një histori sa e kohës së shkuar aq edhe aktuale.

“Thjesht mesazhi dhe tema çka ajo trajton është shumë e përafërt me problemet e shqiptarëve sot dhe një nga çështjet që autori trajton në vepër, është çështja e persekucionit të shqiptarit gjatë regjimit komunist , persekucionit në të gjitha përmasat, terrori që njerëzit provuan gjatë atij sistemi, përndjekja hap pas hapi, këmbë pas këmbe e njerëzve të ndershëm, për të cilin vetëm dyshohej, kjo është një nga temat kryesore të cilin autori me mjeshtëri e ka sjellë në këtë vepër artistike,” – u shpreh Bungo.

Për herë të parë në teatrin e Vlorës, aktori i madh Viktor Zhusti, vjen me një karakter ndryshe, ndërsa tregon se çfarë e lidh dhe ku ndahet me personazhin.

“Personazhi im është një karakter që nuk e kam vënë ndonjëherë në skenë. Është një karakter që unë e njoh mirë, kam pasur të bëjë me këta lloj njerëzish, sepse janë vërtitur rreth meje, qoftë për marrëdhëniet që kam pasur, qoftë për prindërit që kam pasur jashtë, kam qenë gjithmonë me nië shenjë të kuqe në anën e djathtë të regjistrit,” – tha Zhusti.

Ai shtoi se drama ka shumë për ti thënë Vlorës.

“Është një dramë që do ti thotë edhe Vlorës pas çlirimit, edhe Vlorës së 97- ës, do ti thotë edhe Vlorës sot. Në Vlorë ngjarjet janë përjetuar në mënyrë shumë më intensive sesa në qytetet e tjera,” – tha aktori.

Bungo ftoi jo vetëm vlonjatët, por gjithë shqiptarët, të ndjekin më shumë teatër dhe më pak shfaqje të tipit Big Brother apo Përputhen.

“Ç’janë këto pocaqi me emrin Big Brother e Përputhen, jeni në terezi a jo o popull?

Hajdeni në teatër, se jo vetëm do edukoheni, por dhe do kënaqeni.

Vlerësoni artin e vërtetë, vetëm kështu do bëheni njerëz më të mirë”, tha ai./vjosa.net

ObserverKult


Lexo edhe:

NË GJURMËT E PRINDËRVE: GJERGJ LUCA SFIDON ME TEATRIN E RI

Me gjithë suksesin në biznes, ai nuk mund të shkëputet nga rrënjët. Pa diskutim, njëherësh me të ka lindur edhe dashuria për të bukurën.

Biznesmeni artist, sa edhe artisti biznesmen ka ngritur pranë njëra-tjetrës, nga fabrikat e përpunimit të peshkut, te sallat e kinemasë, në zyrat e administratës e kështu me radhë,.. që u shtohet së fundmi edhe teatri!

Tekstin e plotë mund ta lexoni KËTU:

ObserverKult