Jerina Dushmani, ishte princesha më e bukur shqiptare, sipas rrëfimeve të historianëve.
Të paktën, shkrimet e shekullit XV apo dhe më pas, tregojnë për një bukuri të rrallë, duke e krahasuar atë me Helenën e Trojës.
Në fakt, edhe historia e tyre është paksa e ngjashme. Jerina ishte e bija e princit shqiptar Lekë Dushmani.
Bukuria dhe historia e saj, që prej shekujsh u përcoll brez pas brezi, ka edhe tragjedi brenda saj. Bukuria e saj, ishte shkaku e konfliktit mes dy princave më të fuqishëm shqiptarë: Princit Lekë Dukagjini dhe Princit Lekë Zaharia.
Princesha Jerina u dashurua me princin Lekë Zaharia, por kjo zgjedhje e saj nuk u pranua nga Lekë Dukagjini.
Duke dashur që të hakmerret, Lekë Dukagjini, vrau Zaharinë. Pas vdekjes së princit Lekë Zaharia, Jerina e Dushmanëve nuk pranoi të martohet me Lekë Dukagjinin. Princesha jetoi e mbyllur si murgeshë në ishullin e Sardenjës në Itali.
Para vdekjes ajo la amanet, që trupi i saj të sillet në Danjë, pranë varrit të dashurisë së sajë të përjetshme, Princit Lekë Zaharia.
Kush ishte Lekë Zaharia?
Data e lindjes e Lekë Zaharisë nuk dihet, ndërkohë që ai vdiq më 1445. Ai ishte një fisnik shqiptar nga familja Zaharia. Ai ishte biri i vetëm i Koja Zaharias.
Lekë Zaharia ishte pjesë e fisnikërisë arbërore, një nga themeluesit e Lidhje e Lezhës dhe bashkëluftëtar i Skënderbeut. Ai mori pjesë në Kuvendin e Lezhës dhe ishte anëtar i Lidhjes Shqiptare. Vrasja e Lekë Zaharisë, i cili nuk kishte trashëgimtar, ngriti çështjen e trashëgimit të qytetit të rëndësishëm dhe zotërimeve të tij të Dejës. Venediku, duke bërë për vete nënën e të vrarit, u përgatit për të vënë dorë mbi këtë qendër të rëndësishme doganore. Skënderbeu dërgoi pranë saj Vrana Kontin për ta bindur që ta vinte qytetin në mbrojtje të Lidhjes Shqiptare të Lezhës. Pushtimi i qytetit nga venedikasit dhe lajmet diskredituese që kishin përhapur ata se Skënderbeu kishte gisht në vrasjen e Lekë Zaharisë, u bënë shkak për shpërthimin e luftës që ndërmori Lidhja e Lezhës kundër sundimit të Venedikut mbi qytetet shqiptare.
Sipas Marin Barletit, në 1445 gjatë ceremonisë së martesës së motrës së Skënderbeut Mamica Kastriotit, ai pati një grindje me Lekë Dukagjini. Arsyeja e kësaj grindjeje ishte një grua me emrin Irenë Dushmani, nga familja fisnike e Dushmanëve.
Si duket ajo preferoi Zaharian, gjë e cila nuk u pranua nga Dukagjini. Në një luftim të ndodhur në dasmë Lekë Dukagjini mbeti i plagosur, dhe shpëtoi vetëm me ndërhyrjen e Vrana Konti. Më pas, Lekë Zaharia u vra në një pritë dhe Lekë Dukagjini u akuzua për këtë vrasje.
Lexo edhe: