Lëngim në trotuar

E shoh çdo ditët ulur mbi një karton të vjetër të kutive të ambalazhit. Aty në trotuar, pranë portës anësore të godinës së Presidencës. Nuk e di nëse e sjell dikush në mëngjes, apo mbërrin aty duke u zvarritur. Ai nuk ngjet aspak me lypsat që kërkojnë lëmoshë, madje dhe duke fshehur njerën këmbë që të ngjasojnë si të gjymtuar. Asgjë manipuluese nuk ka në qëndrimin e tij.  Eshtë për të ardhur keq.

Nga Alma Lico

Ndoshta nuk i ka mbushur ende të dyzetat. Disa rroba të rreckosura mbulojnë trupin e drobitur, që tretet dita ditës. Ndërsa gjysmën e fytyrës e ka të mbuluar me një maskë prej cope të çngjyrosur.Herë pas here mbështet kokën në murin rrethues të presidencës. Duket sikur i vjen rëndë për situatën në të cilën ndodhet. Me sytë e lodhur dhe të pashpresë veshtron kalimtarët që kalojnë indiferentë para tij, madje nuk ja hedhin as sytë. Disa qindarkave të hedhura kuturu mbi karton, u shtoj dhe unë herë pas here ndonjë të tillë. Me dhimbje has vështrimin e tij të shuar. Nuk mundet as të belbëzojë ndonjë falenderim të mekur. Madje dhe sytë mezi përcjellin një mirënjohje të veshur me petkun e pamjaftueshmërisë. E ç’mund të bëjë me aq pak tëholla? A mund ta zgjidhin hallin e … shumë shumë  mund të mjaftojnë për ndonjë kothere bukë.

…Jam me kancer…një tabelë e shkruar nga një dorë e dridhur varet në gjoksin kockë e lëkurë…Jam me kancer.

E shoh mëngjeseve, ndonjëherë dhe pasditeve. Rruga për të shkuar në punë kalon pikërisht aty. Ndonëse nxitoj për të kapur autobusin e për të mbërritur në orar në institucionin ku punoj, në mënyrë të pashmangshme përjetoj trishtimin e një jete të re që po shuhet, pa përpjekjen më të vogël për ta shpëtuar. Dhe pamundësia për ta ndihmuar atë të gjorë përplaset çdo ditë në vetëdijen time të lënduar. Nuk di si të jem e dobishme për të. Nuk e ndihmoj dot. Ata mbase po. Ata të pushtetshmit, ata të fortët që kalojnë çdo ditë me makina luksoze para syve të tij, ata të kollarisurit…Por ata nuk shohin. Xhamat e errët dhe xhepat e fryrë ua kanë zënë pamjen. Janë kaq të verbuar dhe të pashpirt.

As ato të pispillosurat nuk munden ta ndihmojnë. Madje as t’i hedhin sytë. Të trukuara e parfumuara, permes të qeshurash të shtirura dhe bajate, kalojnë me qesëndi para tij dhe rendin për t’u ulur në Baret e ish-bllokut, për të zvarritur atje orë të tëra, pa asnjë kuptim, në kërkim të ndonjë të dashuri të pasur. Ehhh…veshjet firmato janë të shtrenjta, edhe bizhuteritë, edhe gjithçka tjetër që lidhet me jetën e tyre parazitare, të shndërruar në një parade të gënjeshtërt dhe boshe.

E shoh çdo ditë, në pritje të jetës. Instikti i mbijetesës, me instrumentat e tij të mëshirshëm, e ndikon dhe atë të ngratë. Ai nuk flet. Gojën e ka të mbuluar nga maska. Poshtë saj arrij të dalloj shkatërrimin dhe shfytyrimin që i kish shkaktuar kanceri. Dhe ai vazhdon e pret…stoik, i mbledhur grusht…Por çfarë pret ai i gjorë? A është shtruar ndonjëherë në spital e më pas është flakur prej andej për mungesë të hollash?…E shoh të shuhet dita -ditës.

Një muaj më pas,  ai karton në rrëzë të atij trotuari ishte bosh. Vallë ku është ai i mjerë? Ndoshta ka mbyllur sytë për të udhëtuar drejt një vendi më të mirë se ai që i rezervoi kjo botë e pandjeshme dhe cinike. Njeri nga pastruesit e rrugëve nxitoi për ta palosur me neveri atë ambalazh, për ta flakur më pas në një kazan mbeturinash. Ai dëshmitar i dhimbjes dhe indiferencës u bashkua me plehrat e tjera. Nuk mbeti më asnjë gjurmë nga ai lëngim i gjatë në trotuar.

…U largua nga kjo botë cinike, i braktisur nga të gjithë, mbuluar nga një batanije e rreckosur, aty, ngjitur me selinë e Presidentit, në shi dhe në diell…aty ku flitet për humanizmin dhe  të drejtat e njeriut, aty ku jeta ’’vlen’’ me shumë se gjithçka. Askush nuk do ta ndjejë ikjen e tij, as mungesën e atij qyqari të paemër. Nuk e ndihmova dot. E për çfarë vlen keqardhja ime?  Ajo nuk më bën më të mirë se të tjerët…

ObserverKult