Leon Felipe: Do të ikim kur…

Foto ilustrim

Të pashë që erdhe, o vdekje, të pashë.
Por bëj durim edhe mos u mërzit.

E di që ora është tre pas mesnate.
Do të ikim tok kur yjet të zveniten,
kur gjelat tek oborri të këndojnë,
kur prapa maleve drita të dalë,
bririn të ngrerë, t’i bjerë si e harbuar,
dhe dielli ta zgjerojë plasën ngjyrë alle
atëherë kur t’ia lejojnë qielli e toka,
të cilët, pasi të kenë fjetur bashkë,
ta kenë harruar befas njëri-tjetrin.

Do të ikim jo kur ti të urdhërosh,
do të ikim jo kur unë të vendos.
Do të ikim tok kur yjet të davariten ,
do të ikim tok kur të mbaroj së shkruari
të gjitha vargjet që duhet t’i shkruaj.
Do të ikim, por do të ikim veç atëherë
kur vetvetiu shkrimi të këputet,
kur vetvetiu pena të rrëzohet,
kur vetvetiu shisheza e bojës
nga dora të më bjerë në dysheme,
kur vetvetiu njolla mavi të hapet
dhe vetvetiu kanatash të çelet dera.

Do të ikim…Gjer atëherë mos u mërzit,
një varëse rrobash ke në korridor,
një vend të lirë gjej dhe kosën vare.
Ulu në korridor…e aty prit.

Përktheu: Aurel Plasari

*Titulli i origjinalit: “Dialog i poetit me vdekjen”