Poezi nga Leon Lekaj
Eja sonte Emanuela!
e më fol për heshtjen e “Arushës së Vogël”.
Pse ky fund vere e ka shndërrue në penelopë.
E yjet kanë mbetë të pafjalë.
Ndryshe ajo heshtje ka me na vrà të dyve.
Eja me më pyetë pse
kur shkulmet e dënesës u ligështuen
kohët e derdhuna prej lumtunisë
i mbyllëm qiejve steril,
në truall egërsinash trishtimi.
Eja me më thanë se ndjen
gulçimin e muzgut
dhe pemës, braktisun prej gjinkallës së fundit,
mbi mbramjet e mia të zbrazuna!
Eja sonte Emanuela!
Po nuk erdhe ti
Do të mbes aty!
Përqafue me errësinën e portikëve të dikurshëm.
Amforë e shpërfillun
Nën labirintet e kështjellës
Prej ku treti shpina jote e bardhë.
ObserverKult
Lexo edhe:
LEON LEKAJ: HAKMARRJE
Isha dënue me hakmarrje primitive dhe një ushtri e tanë ishte turrë drejt meje. Shpata të unta prej ndenjes së gjatë formonin rrathë të zjarrtë në ajrin e mesditës. Sa e randësishme ishte me u mshehë?
Vendimi qe i fatit: mundesha me i shpëtue vdekjes, vetëm në kjoftë se e gjithë ushtria do të tregonte mëshirë për mue. Por kalorësit gjithmonë kanë kenë njerëz të shquem dhe fisnikë, e për këtë arsye truni im i alarmuem rreshtonte argumente të buta, regëtinte shpresa të vagëta, me lutje drejt qiellit.
Reja e ndëshkuesve ishte tue mbërritë.
U ula në gjunjë për me pritë vdekjen. Me imitue përgjumjen në një çast të tillë, asht këshillë e vyeme, mbasi nuk ke me u ndie kurrë i qetë në botën tjetër, kur të shofësh se si drejt teje ngulet një shpatë e mprehtë apo një heshtë e gjatë.
Por ç’ andërr komunare kishin pa ata njerëz të hipur mbi kuaj, përderisa në çastin që shpata e tyne kish vu në shënjestër trupin tim, devijonte ajrin e nxehtë? Nuk deshta me besue që ajo shkretëtinë e bardhë, të më dhuronte çast mbas çasti, kalorës mbas kalorësi, ngushëllimin e kohës që copëzohej në mija tmerre dhe imazhe të tërthorta, ku puthitej dyluftimi i supozuar mes asaj që më priste dhe asaj që prisja. Ah!
Tekstin e plotë e gjeni KËTU