Nga Leon Lekaj
Përshtypje rreth vllimit poetik “MURANË FJALËSH” të Majlindë Sinani Lulaj.
Para pak kohëve, në adresën e shtëpisë sime mbërriti postieri. Në raste të tilla, kur ai bjèn me vedi nji pako dhe kur kurreshtja të shtyn me ditë pak mà tepër rreth saj, duket sikur ajri i rreth e qarkut ka me shkrì sapo kurioziteti t’ ketë lëshue at’ avullin e nxetë n’ kohën kur ajo bièn në kontakt me atë çka kà mbrenda.
Sigurisht ju gzova faktit që kjè nji libër, por ky gzim u dyfishue kur pashë që vëllimi poetik vinte prej Kosovës së martirizueme dhe akoma mà shumë kur në krye të kapakut ishte emni i nji poeteje, e cila e ka ndie deri në palcë at’ martirizim.
Ka kohë që horizontit të poezisë i shfaqet nji “rozë” e tejpashme, e cila prej vitit në vit, vjen e zmadhohet për me krijue nji identitet të vetin, të dukshëm e mbresëlanës. E veshun me nji tunikë të hollë ndjenjash kjo shfaqe e dukshme, jo fort prezente për deri para viteve ’90, vjen si nji zgjim shpërthyes prej gjinisë tjetër. Poetet, e të dy krahëve të kufirit kërkojnë shtrëngueshëm vendin e tyre në aradhën e pafundme të krijuesëve, që i shtohen me shpejtësi gjuhës shqipe.
Të tillë do ta konsideroja Malindë Sinani Lulaj në vëllimin poetik “Muranë Fjalësh”.
GJUHA
Gjaja e parë që vren, kur ke bà shfletimin e fillestar të librit àsht fakti që autorja kërkon me i ndenjë larg shenjave të piksimit. Në logjikën gjuhësore ato, tue formatue në mnyrë sintaksore tekstin, munden me lehtësue perceptimin dhe kuptimin vizual të tij.
Por Majlinda e shkapërcen lehtësisht ktë barrierë dhe duket se ajo çlirohet prej saj dhe guxon të na japë nji tekst, i cili àsht i xhveshun prej tyre.
Dhe thotë:
FATI I NYJTË
“veku i gjyshes
m’diftohet andrrave
ani pse kurr nuk e kam pa
i harruem qyshkur s’asht ma
s’ka pushue me end
fatin e lidhun nyje…”
(ps:thonjëzat dhe tripikëshi janë shënimi im)
Edhe tek poezitë e tjera që i bashkëngjiten vllimit, vren se në krye të rreshtit teksti nuk fillon asnjëherë me shkronjë të madhe, diafragma nuk lehtësohet prej presjeve dhe mendimi nuk mbyllet asnjëherë me pikë. Majlinda këtu len shteg për interpretim, tue ja lanë në dorë lexuesit, dhe thrret nën zà se, ai që kërkon me lexue poezinë e saj, duhet me ditë me zbërthye mesazhin, vetëm tue përdorë shkallën e naltë të njohjes së kodeve të poezisë. Ndryshe do të mbetet jashtë tyne, si nji i paaftë që rrin mbas nji dere mistike, sepse nuk àsht i zoti me përdorë çelësin e saj.
Qysh në krye të vllimit të saj, poetja na ban të ditun se do të bajë nji përjashtim. Nuk mundem me thanë se përdorimi i apostrofit asht nji veprim i qëllimshëm i autores për të eleminue sa ma shumë të jetë e mujshme zanoren “ë”, të cilën gegnishtja nuk e ka fort për zemër. Ai asht nji fenomen, që gjindet shpesh në libër dhe arsyeja e saktë për ne mbetet e panjoftun.
Me nji gegnishte të shkrueme bukur, tue respektue qartësisht evoluimin e gjuhës shqipe, Majlinda bahet në ktë mnyrë nji shembull i pastër, apo nji “institucion” gjuhësor, i cili kishte me ndihmue mjaftueshëm në kristalizimin e drejtshkrimit të gegnishtes së nëpërkambun.
TEMATIKA
Mendoj se ma shumë se çdo kujt, Majlinda i drejtohet vedit. Dialogjet me “personin e dytë” apo alter ego-n që rrin brenda saj, që flen e që zgjohet, që rrëmbehet e qetohet, që gzohet e idhnohet, që dashunon dhe urren, dialogjet me veten tjetër, krijojnë mes vargjeve atmosfera të ndryshme dhe të larmishme në poezinë e saj.
dhe shprehet…
“…bahem si nji që s’i di
humbun rrjedhës
i ngjaj përditshmënisë
e vetja m’sheh përbri”
(Nga poezia “Kanga e asaj që s’jam”)
Kurse tek poezia “Përditë e ma shumë” autorja sheh thellë brenda vedit dhe na dhuron këto vargje:
“…e unë sjam tjetër pos uji
Që me ujna tjera s’di e s’do me u përzie”
Sigurisht që autorja e ka pasë të pa mujtun të mos cikë në tematikat e saj edhe përjetime nga lufta për çlirimin e Kosovës. Por në poezitë që rrokin këtë temë, ndihet kjartë nji gulç i brendshëm, i cili asht shumë larg deklamacionit dhe patetikës, që zakonisht i ndeshim në kto poezi.
Asnji emën, asnji ngjarje, por thjesht emocionet që kanë shoqërue ato, enden nëpër vargjet e poezive, tue dëshmue edhe nji herë se qëllimi i autores nuk asht ngjarja, por arti i dhimbjes që kullon prej saj.
Dhe tek poezia “Dimni i Marsit” autorja kumton:
“dimni i kësaj nate
nuk asht rit rrëfimi
hapave t’numëruem
n’koridorin e ngushtë
t’mbamendjes…”
Mendoj se këtu klithma që fillon e çohet prej shpirtit të saj, ka brenda nji domethanie të madhe. Bahet fjalë për “dimën të kësaj nate”, që pasqyron artistikisht nji bashkësi gjamash, të cilat janë tue ndodhë brenda perimetrit të zemrës së nji poeteje, aq më tepër, që ajo i trembet të ardhmes kur e perifrazon me fjalët “n’koridorin e ngushtë t’mbamendjes…”
Sigurisht që brenda vëllimit poetik endet edhe linja e ekzistencializmit, raporti i saj me rretheqarkun, impresione të çastit, fragmente jete, e shpesh emocionet e tyre kulmojnë në vargje të shndritshme si tek poezia “Letra t’vjetra”, në finalen e së cilës thotë:
“…jeta
vit për vit nis lojë të re
me letra të vjetra”
Janë vargje të përgatituna gjatë rrugës së poezisë dhe lindja e tyne i ngjet lindjes së nji fëmije, i cili ka plotësue tashma ciklin e vet dhe kërkon me dalë në jetë.
FIGURACIONI LETRAR
Ato çka nji lexues i kujdesshëm mund të shohë tek vllimi “Muranë Fjalësh” janë harmonizimet e termave, të cilat kondensohen konsiderueshëm prej autores për të mbërritur në nji bërthamë me konotacione të larmishme. Sigurisht që në ktë fushë, përveç figuracionit letrar që e veçon Majlindën prej krijuesëve të tjerë, ashtu siç ka ndodhë edhe prej shumë autorëve brenda apo jashtë vendit, autorja ka kodet e veta të trevës ku asht lindë dhe rritë, të cilat në raste të veçanta edhe pse e veshin tekstin me nji bukuri të çmueshme, në zbërthim të mesazhit i japin atij nji koeficent të naltë vështirësie. Gjithësesi, i ndamë në shtatë kapituj, vëllimi poetik i saj mbart vlera të mirëfillta artistike. Majlinda ka mbërritë me shkri unin e vet brenda nji heshtjeje që dhemb.
DEKË E BLEME
“kësaj ore nis e pafoluna
me ngjyrën e duhmës t’qymyrit
djegun furrash
që dritën e dekën i shesin si pa t’keq…”
ose
HESHTJE QË S’LEN ME PA
“…asht krejt qetësi
aq qetësi sa s’mbërrihet me u pa
a ka nji gur t’vetëm kambën me e vu
a thue lumi ka kund va”
Majlinda guxon. Ajo përpiqet me çlirue figura, emocione të ndrydhuna me i veshë ato me krahët e fantazisë që të mbërrijnë tek lexuesi si nji nocion e lirë, me të cilin ai mund të bashkëbisedojë krejt natyrshëm, për ta vendosë ma mbrapa në nji hapsinë midis tij dhe autores.
Ka metafora, të cilat lexuesi mund me i shijue thjesht, tue u futë në thellsinë e tyre, në atë thellsi, të cilën poetja e përgatit me shumë dashuri dhe me shumë kujdes. Dhe thotë:
“ …e zvetnimi gurgullon
damarëve të vjetër”
ose “…zani i syve asht krejt i imtë”
ose “…e copash t’zeza dhimbjesh”.
Natyrisht, me analizue imtësisht nji vëllim poetik si “Muranë Fjalësh” kërkohet një hapsinë ma e madhe, e ma e gjanë, si dhe një gamë krijuesish, të cilët të japin mendimet e tyne. Ky shkrim le të mbetet thjesht nji hap, i cili ma vonë mund të shërbejë si zanafilla e analizës së ktij libri.
Athinë, Qershor 2022
ObserverKult
Lexo edhe: