Leon Lekaj: Shoh shpesh drejt së ardhmes, sepse jam mërzitë tue pâ gjâna të përdòruna

Në rubrikën Personale, në ObserverKult, mysafir yni është shkrimtari Leon Lekaj.

-Si ndodhi takimi i parë me letërsinë?

-Nuk due me mendue se ai ishte nji takim i befasishëm. “Panorama” e shtëpisë, po due ta quaj kështu, m’pat detyrùe me u ndeshë përditë me librat e bibliotekës së bâbës tem dhe èmna të mdhenj të letërsisë botnore për fmijë tërhjeknin për herë e mâ shumë vëmendjen. Princi dhe i varfëri, Aventurat e Pinokut, Dinpaku dhe shokët e tij, Aventurat e Çipolinos, Djemtë e rrugës “Pal” etj. ishin disa prej tyne, që m’ joshnin çdo ditë, e më ftonin me zbulùe kureshtjet, që mshehnin brenda kopertinave të lakmueshëm.

-Kur ratë në “grackën” e saj?

-Kisha shkrue edhe më parë, ndoshta gjâna jo fort të randsishme, por “gracka” e vërtetë e letërsisë u “zhgreh” mbi mùe kur kishin kalue vetëm pak muej prej arrestimit të bàbës tem. Edhe mùe, me një mospërfillje të skajshme, më kishin flàkë prej profesionit të msùesit të muzikës. Pushteti kishte “burgosë” padrejtësisht edhe të ardhmen time. Në këto kushte kërkoja nji hapsinë, që ndjenjat e mia “të ndrydhuna” brenda autocensurës, të derdheshin diku. Letërsia ta jep këtë “luks”. Rashë me dëshirë në “grackën” e saj.

-Kur nisët të ndiheshit shkrimtar?

-Nuk jam renditë kurrë tek ata që kërkòjnë me u vetëdeklarùe dhe nuk besoj që kjo, ka me ndodhë për pjesën e mbetun të jetës.

-A ja keni shtruar ende atë pyetjen shumëdimensionale vetes “Pse shkruaj”?

-Më pëlqen me mendùe, se prania e alter egos âsht nji prej arsyeve që njeriu mund t’i japë përgjigje kësaj pyetjeje. Nâ të gjithë, e kemi atë brenda vedit. At’ çast që dishrojmë me komunikùe me të, nâ lind dëshira që ato diaologje t’i arkivojmë. Pothuejse të gjithë njerëzit përpiqen me shkrùe. Niveli dhe cilësia, nuk mund të jenë pjesë e kësaj përgjigjeje.

-Çka ju bënë të veçantë si shkrimtar?

-Mâ parë, mendoj se duhet me meritùe fjalën e fundit. Në romanin tim, “Murana” shfaqet nji “ngrehinë letrare”, po e quej kështu, si dhe nji mnyrë rrfimi, e cila nuk ekzistòn në letërsinë shqipe. Por që të vërtetohet kjo, mâ parë duhet të shtrohet pyetja: a ekzistòn tek nâ nji kritikë e mirfilltë letrare?

-Çka keni thënë me shkrimet tuaja?

-Mâ shumë realitete artistike, që janë të bartuna nga e kalùemja jonë e afërt. Unë them jo rrallë që “…shoh shpesh drejt së ardhmes, sepse jam mërzitë tue pâ gjâna të përdòruna”, por para ksaj, fshihet thània tjetër “…Nji popull që harron të shkùemen e vet të hidhun, nuk duhet me u çuditë kur ajo t’i përsëritet”.

-Çfarë u ka mbetur ende pa thënë?

-Kam mendùe shpesh, se çdo njeri që shkrùen tundohet prej “malit” të gjânave të pathâna. Ky mal, kur ai nxjerr në dritë nji vepër, nuk ulet, por naltësohet. Në vitet e fundit të jetës së tij, shkrimtarit, sipas meje, në proporciòn të zhdrejtë me mundësitë, i shtohen idetë. Këto formojnë, nji majë të pambërritshme, të cilën ai e merr përfundimisht me vedi, atje, ku askush nuk do të mundet me e zbulùe mâ.

-I besoni muzës apo përvuajtnisë së punës së pareshtur?

-Muza âsht ajo që mundet me tronditë qenien e artistit, ajo që din me hapë rrugën për tek shinat e nji krijimi. Puna e përvuejtun, apo ajo e pareshtun, siç thoni ju, në rastin e shkrimtarit, vetëm sa perfeksionòn përvojën e tij në sintaksën e të shkruemit, apo në përdorimin e elementeve të tjerë teknikë, që përbajnë nji vepër letrare.

– Sa jeni sistematik në të shkruar?

-Krejt pak dhe për këtë nuk mburrem. Por faktet janë kryefortë. Mjaftòn me ju thânë se për tre-katër vite, unë kam shkrue gjysat e të gjitha poezive të mia.

– Sikur t’fillonit nga e para, do t’bëheshit sërish shkrimtar apo jo?

-Gjithmonë kam qenë, jam dhe kam me qenë në kërkim të vedit, me qëllimin e mirë që krejt qenia ime shpirtërore, të jetë sa ma afër fjalës shkrimtàr. Çdo kush, mundet me bindë lehtë dikë tjetër, për çka thâmë mâ nalt, por nuk e ka kurrë të lehtë me bindë vedin. Sigurisht që do ta pranoja, por do të përpiqesha shumë mâ tepër, që unë vetë, ta meritoja atë fjalë.

ObserverKult


Lexo edhe:

LEON LEKAJ: NANË, PO VIJ ME TA PUTHË VENDIN QË S’JE MA…

LEON LEKAJ: KOHA E PARË – PRANVERA

LEON LEKAJ: SHOKUT TIM