Mihail Lermontov: Të dua, moj, të dua!

Nuk i harroj në kraht’ e huaj
Dy sytë magjistarë.
Kur dashuroj, lëngoj e vuaj
Për dashurin’ e parë.
Kujtesa, vashë, më cfilit,
M’i çorri plagët mua,
Po un’ me vetë përsërit:
Të dua, moj, të dua!

Do të martohesh, vashë moj,
S’do t’a kujtosh poetin
Dhe unë më s’do të shikoj,
Se do të zë kurbetin.
Vapori zhduket tej në det
Me syrgjynosën mua,
Po vala valës gjith i flet:
Të dua, moj, të dua!

Dhe s’do t’a marrë vesh rrëmeti
Se kush të dashuroi.
Se sa rënkoi për ty poeti,
Sa vargje të blatoi.
Dhej gjersa barë balt’ e ftohtë
Të më mbulojnë mua
Kjo zemër s’hesht e s’rresht, po thotë:
Të dua, moj, të dua!

Përktheu: Petraq Kolevica


Lexo edhe:

MIHAIL LERMONTOV: JO, UNË ME AQ ZJARR TY NUK TË DUA…

ObserverKult