Letër dashurie e Dritëroit për Sadijen: Tani do të pajtohemi, se tërë këtë javë jemi grindur

Një dashuri e dokumentuar po me kujdesin që kishin për njëri-tjetrin. Dritëroi dhe Sadija e tij, shkëmbenin letra të shpeshta, në pritje për t’u bashkuar në të njëjtën çati.

Janë fjalë shumë të sinqerta dhe shprehen, herë me drojë e herë, me guximin nga malli për njeriun që do të doje ta kishe pranë, përballë, teksa mendimet shkojnë veç aty.

Në vazhdim mund ta lexoni një letër që Dritëro Agolli ia dërgoi Sadijes:

(17.X.1964)

E dashur Sadije,

E kështu, tani do të pajtohemi, se tërë këtë javë jemi grindur. Edhe unë nuk jam sjellë mirë. Për atë që më thua ti në letrën tënde të rreptë se gjoja unë gabohem po të mendoj që nuk ka njerëz të mirë nga punëtorët, është një paralajmërim krejt i kotë. Unë kurrë nuk mund të mendoj një gjë të tillë, po gjithëmonë pikërisht punëtorët më janë dukur më të mirë edhe nga vetja ime.

E në përgjithësi unë për njerëzit kam mendim të mirë. Unë kur u njoha me ty nuk të thashë që më merr mua, se jam më i miri dhe të tjerë s’ka të mirë. Kjo duhet të të bënte ty jo të më duanje, por të më neveritnje.
Pastaj në dashuri nuk ka kontratë: në qoftë se unë t’u bëra i mërzitshëm dhe i lik, ti mund t’më thuash lamtumirë. Sikur të mendonja se tani Sadija iku nga unë e mbaroi puna e saj, s’ka njerëz të tjerë të mirë, do të isha jo vetëm budalla, por edhe qen bir qeni.

Tërë këtë javë nuk e kam ndjerë vehtën mirë. Këtë letër po ta shkruaj në fund të javës, të shtunën. Kam qënë edhe i lodhur, edhe shpirtërisht i sëmurë. Letra jote më ka bërë shumë përshtypje. Unë e di që ti më do edhe se shkruan kështu, bile këtë e bën nga dashuria, po mua më çqetëson diçka tjetër. Ndonjë sjellja ime mjaft e lirë dhe e çkujdesur bën shumë përshtypje tek njerëzit që më njohin.

Atëherë sjellje të tilla të mijat ekzagjerohen, kalojnë nga goja në gojë e vijnë deri te veshët e tu. Ti mërzitesh nga këto thashetheme, vuan shpirtërisht, mundohesh me vetëvehten. Prandaj këtej e tutje unë në Shkodër do të mundohem të sillem krejt si zyrtar, edhe në kafene kur të jem, do të pij limonadë, kafe dhe do ha një karamelkëzë.

Këtë të shtunë më ka marrë malli më tepër se çdo herë tjetër. Mirë thonë që grindjet rastis që ta shtojnë më shumë dashurinë.

Librin e daktilografova. Të hënën e jap në ndërmarrje të botimit. Sonte do t’i gjej një titull. Kam ca tituj në kokë, po nuk më pëlqejnë.

Ç’të bëj tani? S’më mbetët gjë tjetër veçse të të puth me mall e dashuri kësaj të shtune të ftohtë.

Dritëro.

Një letre që të dërgova me Janin mos i vër shumë rëndësi, se isha i nxehur.

ObserverKult


Lexo edhe:

DRITËRO AGOLLI: NJË LETËR PËR SADIJEN TIME…