Dritëro Agolli: Një letër për Sadijen time…

pas vdekjes dritero agolli

Të jetosh me një shkrimtar, jeta është ndoshta si një poezi dashurie. Një shkrimtar të rrëfen çdo ndjenjë. Të mallëngjen. Të flet me vargun. E ti duhet të dish si ta lexosh.

Sadija e dinte!

Shkronjat kanë sekretet e tyre, ndaj ajo nuk kishte ngut, i shkëputej ashtu pa zhurmë ndonjë presjeje dhe ndizte një cigare.

Të jetosh me një shkrimtar, të humb dhe irisi syrit ndonjëherë, e nuk arrin të shohësh gjë. Një shkrimtar është magjistar. Vetëm ai e di sekretin si i nxjerr nga çanta kur kthehet prapë, ca fiq dhe sytë tok me ta.
E ti qesh… sepse një shkrimtar të zbret hënën në buzë, transmeton ‘konica.al’.

Dritëro Agolli Sadijes së tij i zbriste dhe ca yje mbështjellë me vello resh. Janë të pafundme poezitë për të. Poezi që dhe ne kur i lexojmë, mësojmë se paskemi dy flatra në shpinë dhe pastaj humbim blusë së qiellit.

Dhe i mungonte sa herë s’e kish pranë. E kishte mendjen aty. Sadija të nesërmen do të operohej.

Kështu nxori një letër bashkë me kalemin dhe i shkroi:

“E dashura ime,

Tani në orën 8 jam në mbledhje në Komitetin e Partisë të Rajonit nr.1. Pasi del në analizë organizata bazë e partisë. Këtu gjerat që kërkoje e të tjerat po t’i dërgojmë me Spiron. Unë do të vij pas mbledhjes.
Mos u mërzit dhe mos u tremb se të gjitha do të kalojnë mirë.

Bile për të kaluar mirë e më mirë disa po luten dhe kanë filluar t’i besojnë Perëndisë duke u përpjekur të mos e fyejnë me fjalë ateiste. Edhe ndonjë lypsari i japin ndonjë lëmoshë!

Unë mbrëmë kam ndenjur vonë natën. E kështu, mos u mërzit. Dhe veçanërisht mos u tremb, shko para litarit si një nga 13-të Bilbilenjtë.
Merr shembull nga Çoti që para operacionit këndoi:

” 13-të Bilbilenjtë
Vanë në litari vetë”
Dhe pastaj, tha në këngë:
“Dale, bej, të dredh mustaqet.
Dale,bej,se kam një fjalë
Se nuk jam çanak me dhallë
Po jam bilbilë me pallë.”

Ti thuaj:
” Dale , Glozhen, se kam një fjalë
Dale, Glozhen, të krihem pak
Se nuk jam çanak me dhallë
Po jam Sadija me pallë!”

Kështu duhet të këndosh para operacionit që të çuditen doktorët, me gjithë namin e tyre të madh.

Të përqafoj e të puth,
Dritëroi.

30.9.1982


Lexo edhe:

DRITËRO AGOLLI: KËNGA E DJALOSHIT ROMANTIK

ObserverKult