Mendoni se letra e vetme e bukur e dashurisë është ajo e Tatjanës drejtuar Onjeginit? Duhet të lexoni edhe letrën e shkrimtarit Erich Maria Remarque (Erik Maria Remark) drejtuar të dashurës së tij, Marlene Dietrich, dhe me siguri do ta rimendoni edhe një herë se cila është më e bukura. Ndjenjat e pastra dhe fjalët e bukura të Remark të emocionojnë, të depërtojnë në shpirt dhe të rrënqethin. Për më tepër, ju ftojmë ta lexoni letrën e tij :
“Shpirti im, qielli im i dashur, ti më ke shkruar kaq e kaq letra të bukura e, unë përsëris atë që të kam thënë gjithmonë : shkrimtarët nuk duhet të shkruajnë letra dashurie. Sepse ka të tjerë që shkruajnë shumë më bukur se ata.
Ti më quan “Rezonancë që merr frymë” – e si do të mund të arrija unë vallë, të gjeja një figurë të tillë kaq prekëse? Ti arrin dhe kë atë aftësinë magjike që t’i thuash dikujt se sa shumë e si e dashuron atë – kurse unë, unë e di, mund ta arrij atë në mënyrë të plotë. Sa mirë ndjehem kur ti më thua se, edhe pse je vetëm, ndjehesh e qetë dhe e lumtur. Unë këtë kam uruar vazhdimisht për ty.
Nuk kam uruar kurrë që ti të ndjehesh e mërzitur dhe fatkeqe. Kam dashur gjithmonë që ti të jesh e lumtur në formë vezulluese, plot dritë dhe e bukur si kurrë herë tjetër dhe dua që kjo gjendje e jotja të jetë e dukshme edhe së largu, në kilometra, dhe që tit a dish me siguri absolute që dikush tjetër nuk jeton në këtë botë, veçse për ty.
Sot gjeta dhe lexova edhe një herë poemën tonë të Gëtes. E lexova dhe e rilexova vërtet me një emocion të thellë : A s’është e vërtetë që fati po na bashkon? A nuk po na lidh ai përjetë? Nuk e di, ti je motra apo nusja ime? Ti njeh me imtësi çdo pjesë të qenies sime. Ti ndjen tek unë dhe nerving më të hollë. Ti lexon çdo gjë në shikimin tim.
Me gjakun tënd hyn në brendësinë time. Hyn në gjakun tim të ngrohtë që rrjedh në deje dhe ecën si i çmendur në drejtimin tënd e që, me krahët e tua prej engjëlli, gjoksin tim shëron. Po, e dashura ime, a nuk është pikërisht kështu? Nganjëherë më ndodh të eci i vetmuar nën shi e të mendoj e ndiej që lidhja jonë është gjithmonë e fortë, e askush nuk mund ta prishë atë.
Në ato çaste ndiej të vij dikush drejt meje me hapa të lehtë dhe ajo je ti. Atëherë unë jetoj një ndjenjë të veçantë lumturie që asnjë qenie tjetër njerëzore nuk e ka jetuar. E, atëherë, ndiej që së bashku me ty, të kthehen tek unë vitet e rinisë që lufta e dhunshme m’i mori dhe, ato vite je ti që vjen e m’i shumëzon me dy. E kështu ti bëhesh në të njëjtën kohë aventura dhe gruaja ime.
Ti je bërë për mua e unë jam bërë për ty. Nuk mund të jetë ndryshe. Nuk je vetëm ti ajo rezonanca që unë ndiej e thith si ajër, por i tillë jam edhe unë. E di? Unë jam një pasqyrë konkave që kap plot ethe dritën tënde, e mbledh atë plotësisht në gjoks dhe, duke e djegur fort, e dërgoj krejt refleksin në drejtimin tënd. Herë të tjera më duket vetja si një merimangë që end një pëlhurë vezulluese, të trëndafiltë e plot reflekse, – një pëlhurë mendimesh, ndjenjash, pune, fjalësh ngrohtësie, e cila do të të kapë e pastaj të bëhet banesa jote, – e mbushur plot gjëra, të cilat ty të mungojnë.
O drita ime e dashur! E di? Nganjëherë unë nuk mund të ulem për të shkruar librin që kam nisur, të cilin e urrej, sepse ai më largon prej teje. Në atë moment tërhiqem nga studioja, nxjerr fotografitë e tua dhe i vendos në radhë para meje edhe pse e di që kjo gjë nuk më qetëson, përkundrazi, e bën më të rëndë gjendjen.
Por megjithatë, edhe pse këtë e di, nuk ndërroj mendje e, duke i vështruar ato, nis e flas me ty. Pastaj ndiej që gjendja ime shpirtërore bëhet edhe më e rëndë, sepse është një gjest i vështirë ky, i padurueshëm, por edhe i mrekullueshëm. Më pas, unë tërhiqem përsëri aty tek vendi im, ulem aty tek vendi im në tavolinën e shkrimit për të vazhduar librin. Ja, tani ndalova përsëri, sepse ndiej që dora s’po më bindet.
Më duaj! Më thuaj që ti më do. Kjo fjalë më bën mirë, më shëron. Kur ti më thua që më do, unë gjej forcë e shkruaj edhe më bukur e më shpejt. Sepse unë nuk jetoj veçse për dashurinë tënde.
Më duaj, puma (e quante ai me përkëdheli Marlene Dietrich)!
ObserverKult
Lexo edhe: