Nga Mustafa Greblleshi
Më 13 të Shëndreut 193…
Të nesërmen e vizitës që i bamë Andreas, ngjanë shumë sende të çuditëshme. Dhe shka asht mâ tepër, u lehtësova mâ prej asaj brenge që më randonte keqas në shpirt. Tash s’kam pse dyshoj mâ. Gjithshka u zbulue. Dhe ja se si ndodhi. Fjalët e Pandit më ndejtën gozhdë në zemër për gjatë gjithë asaj nate.
E ndjeva vehten të mbushun plot me afsh ahmarrjeje. Por mëngjesi, më gjeti mâ të qetsuem dhe shka ma këtheu të tanë idhnimin në gëzim, qè letra e Margeritës. Ajo nuk erdhi atë ditë në shkollë. Andrea dhe Pandi u munduen me më marrë me të mirë, deshën të pajtohen me mue; por unë isha akoma i zemruem.
U mundova të gjejë shkakun e mungesës së saj, por krejt më kot. Ma në fund, kur isha tamam në ankthin e tmerrit, ndërmjet pushimit të mësimit të dytë, u duk Loni i vogël, i cili më kishte sjellë edhe nji letër. Nuk pata kohë me e pyetë as për mungesën e së motrës, mbasi ai u zhduk fluturimthi.
Menjiherë e njofta kaligrafinë e Margeritës dhe sa fort u mahnita sepse për të parën herë, ajo më drejtonte nji letër. Me kërshërin që ka njeriu kur përgatitet me pamë ndokend të dashun që e ka pasë mbajtë për të humbun, e hapa plikon. Letra fillonte kështu:
“I dashun Memli,
Siç e din, asht i dyti vjet që njifemi bashkë. Gjatë kësaj kohe-me të thanë të drejtën-shoqnimi tand më ka vu shpesh herë në pozitë të keqe. Jam mundue orë me radhë për me të studjue. Kurr nuk munda me konstatue ndonji të metë në ty.
Karakteri tand shëmbëlluer i pasqyronte të tana virtytet e botës sate të mbrendëshme. Ndërsa ti vazhdojshe të jeshë indiferent-vetëm në pamje natyrisht-për sa i përket problemit tonë, unë bluejsha plot djallzina, por që ishin mbëhí për mue. Dhe po kjo mospërfillje m’impononte që ta zgjanoj miqsìn në mes tonë, deri atëherë kur zemra ime nisi të rrafi vetëm për ty.
E dij se nuk asht sjellje e pëlqyeshme për nji vajzë që vepron kësisoji , por unë bazohem kryekëput në sinqeritetin tim, cilsì kjo që mund ta keshë pikasë edhe ti vetë. Ti tashmâ, kujtoj se më njef mirë, Memli, dhe mbassi karakteret tona puthisen krejtësisht, m’u duk dishka absurd që të heshtësha. Guximin që të mungoi ty, e mora unë.
Flas në këtë mënyrë, tue qenë e binduen, mâ se e sigurtë, se edhe ti je në gjendjen time. Përndryshe, të kërkoj ndjesë. Dhe po qe se gjykimi im asht i drejtë, atëherë na asht e domosdoshme të mirremi vesht. Margerita asht shum ma idelae se sa ç’e kujton ti, Memli! Ajo asht gatì me iu përveshë çdo sakrifice, mjaft që të ketë ty për krahu.
E marrë me mend se ti mund të trembesh prej pengesës me të cilën na kërcnohet feja. Por jo, mos u druej mâ, Memli, sepse unë nuk due të dij fare për tè. Unë jam e pasun dhe ti jo; nuk më hyn fare në punë. Për mue pasuna nuk ka asnji vlerë. Ajo që m’intereson mbi të gjitha asht shoku im, i cili due që të më përshtatet mue në çdo pikëpamje, dhe ai që unë kërkoj, je ti, Memli!
Asht e vërtetë se unë për të parën herë u gremisa në humnerën e dashunìs, por kjo më dha nji eksperiencë mjaftë të gjatë. Munda me konstatue se nji dashunì e vërtetë ideale nuk don të dij aspak për pengesa e andrralla. Edhe unë pra e zjermueme prej këtij prushi, vendosa me shtegtue me ty gjatë rrugës së jetës dhe vendin tand, asnji tjetër nuk mund ta zajë.
Zemra nuk shitet, ajo falet, prandaj edhe unë nji herë ta dhuroj ty, që ta mbajsh peng përgjithmonë; ashtu si Lirija e adhurueme që fitohet me gjak e jo me…ar!
Zemrimi që t’u shkaktue në vizitën e Andreas, më gllabroi dhe mue po aq. Gjithë atë natë nuk munda me mbyllë sy, ndonse shfreva tue i qortue e shà keqas të dy. Dhe munda me u qetsue vetëm atëherë kur mbarova së shkruemi këtë letër. Pagjumsija më ka dobsue pak dhe po për këtë shkak vëndosa të mungoj sot. Sidoqoftë, pres me padurim përgjegjen tande, për të cilën kam me të dërgue prap Lonin, mbas dreke.
“Margerita“
Në fillim nuk u besova syvet të mij. Por letra fliste kjarët. Ma në fund ishin hapë edhe qiejt e lumnìs sime. E urova atë orë të bekueme që u ba shkaktarja e këtij gëzimi të madh. I kërkova ndjesë Pandit, i cili tue kundrue ndryshimin e tiparëvet mij, kujtoi se jam trenue. U mallëngjye për së tepërmi dhe s’prani tue më përqafue përmallshëm si vëllà dhe tue më kërkue prap të falun për fyemjen që ai e kishte ba për të qeshë.
-E dijsha se do të më falish, Memli-thonte herë mbas here, ndërsa unë mundohesha me u arsyetu tue i vu si shkak nervozitetin.
Kur profesori ia nisi predikimit, unë s’e kisha fare mendjen ke ai. Nxora nji copë letër dhe nisa t’i përgjigjem asaj:
“Engjëllusha ime,
Asnji gëzim tjetër që-ndofta-fati mund të ketë destinue për mue, nuk ka me ia përgjasë këtij që më dhuruen rreshtat e tu. Kur ndonji herë zemra ime –përveç ditës së realizimit të qëllimit tonë-s’ka me u mbushë me harèn e sotshme!
Shikimi im rrëshqiti shumë herë mbi letrën tande, Margeritë! Ato shprehje t’ambla më treguen haptas shpirtin tand të pastërt. Ato më shtynë me notue për mjaft çase bë valët e zemrës sate. Ti, po , je ma se e përsosun, Margeritë, ideali tandë kapërcen çdo cak hamendjeje. Vetëm nji gja nuk jam në gjendje të dij me sigurì : a jam vallë i denjë për ty?
Edhe unë, Margeritë jam mundue me hy në botën tande, mësheftë, por kurrë nuk ua mbërrina përfundimit të dëshiruem. Asnjiherë nuk u sigurova për dashunín që reflektojshin zemrat tona.
Vetëm për nji send mundem me të sigurue: në qoftë se ti më ke dashunue, unë të kam adhurue si Perëndeshën time, prej ditës së parë që u njoftëm. Siç e din, unë s’kam qenë kurrë sentimental, Margeritë. Natyra ime e ka kundërshtue gjithmonë këtë jetë,. Por tash që zemra u ba prona tande të patundëshme dhe e përherëshme, të jeshë mâ se e bindun se ajo ka me rrafë vetëm për ty në botë.
Përse nuk ta shfaqa dashunìn qysh me kohë?
Mund të pyesish. Sepse e shifsha të pamundun, Margeritë, nga që nuk isha në dijenì të dëshirës sate. Po tashti që u sigurova për këtë, pengesat nuk janë mâ të pakapërcyeshme. Përveç fesë mund të kalojmë edhe ate që ka me na vu përpara yt atë, për të cilën jamë mâ se i sigurtë.
Besoj se mjaftojnë këto pak radhë për ta zbulue tanësisht zemrën time të zhuritun.
I yti
Memli”
E palosa me kujdes letrën dhe e mbylla në nji pliko. Mandej ia dhash Lonit, i cili po më pritte n’oborr.
*Shkëputur nga romani i Mustafa Greblleshit: “Gremina e dashunis”
Përgatiti: ObserverKult
——————-
Lexo edhe: