Letër dashurie: Si munda ta kërkoj këtë nga ti…

Milena Jesenska ishte e martuar kur, në vitin 1920, i shkroi Franz Kafkës një letër ku i kërkonte të përkthente një nga librat e tij. Ajo letër ishte pikënisja e një korrespondence sa filozofike, aq edhe pasionante. Kafka vendosi t’i jepte fund marrëdhënies së tyre pasi Milena nuk pranoi të linte të shoqin. Pas vdekjes së Kafkës, letrat që shkrimtari i kishte dërguar Milenës ia dha Max Brod-it, i cili i botoi në vitin 1952 me titullin “Letra Milenës”. Por letrat që Milena i dërgoi Kafkës nuk u gjetën, me shumë mundësi i kishte shkatërruar.

Më poshtë është një prej letrave që Kafka i ka shkruar Milenës:

(Pragë, 6 korrik 1920)
E martë edhe më vonë)

Kur sapo e kisha dërguar letrën, mendova: si munda ta kërkoj këtë nga ty. Pavarësisht se është veç detyra ime të bëj atë që është e duhur dhe e nevojshme, ndoshta për ty është e pamundur t’i shkruash një përgjigje të tillë dhe t’i hapesh një personi të panjohur. Atëherë, më fal për letrat dhe telegramet. Milena, m’i justifiko me dobësimin e arsyes nga ndarja prej teje; nuk prish punë nëse nuk i përgjigjesh, duhet të gjendet një zgjidhje tjetër. Mos u merakos për këtë. Vetëm se jam kaq i lodhur nga këto shëtitje, sot në rrëpirën Vyšehrader, kjo është. Për më tepër, nesër vjen xhaxhai, nuk do të kem mundësi të qëndroj vetëm.
Që të flasim për diçka më të mirë: A e di se kur je veshur më bukur, ama vërtet bukur në Vjenë? Dhe për këtë nuk ka diskutim: të dielën.


*Shkëputur nga libri i Franz Kafkës: “Letra e Milenës”