Tzvetan Todorov: Letërsia na shpëton kur jemi në rrezik!

Tzvetan Todorov

“LETËRSIA NË RREZIK” shfaq TZVETAN TODOROVIN, dijetarin e Qarkut të Parisit, teoricienin e njohur, në fushën e gjerë të teorive estetike, veçan mbiletërsinë.

Todorovi skicon statusin e teorive në traditën e gjatë të tyre dhe prek letërsinë sot, gjithnjë duke sugjeruar si objekt studimi e mësimi në shkollë Letërsinë, para metodologjisë.

Sipas studiuesit Kujtim M. Shala, “Letërsia në rrezik” nuk është një alarm i sotëm, por një vetëdije përhershme, e cila provon t’i shpie kërkimet letrare e lexuesit drejt natyrës statutore të letërsisë.

“Letërsia ka natyrë dhe funksione të afërta/përbashkëta e të veçanta me domene të tjera. Todorovi do komunikim me Letërsinë, për të ikur nga ideologjitë, por edhe nga formalizmi ose personalizmi total i shkrimit/leximit/kërkimit letrar.”, thekson Shala.

Tzvetan Todorov

Në vazhdim ObserverKult ju sjell një fragment nga ky libër.

Tzvetan Todorov: Çfarë mund të bëjë letërsia?

Tek Autobiografia, botuar të nesërmen e vdekjes së tij, më 1873, John Stuart Mill-i e shpjegon dëshpërimin e rëndë objekt i të cilit ishte në moshën njëzetvjeçare.
Ai u bë “i pandieshëm ndaj çdo kënaqësie, si dhe ndaj çdo ndjenje të këndshme, në një nga këto mjerime, në të cilat çdo gjë që të pëlqen, në momente të tjera bëhet e pashije dhe indiferente”.

Të gjitha barnat që i përdori u treguan joefikase dhe melankolia e tij zuri vend për një kohë të gjatë. Ai vazhdon të përmbush në mënyrë mekanike gjestet e zakonshme , por pa ndier asgjë. Kjo gjendje e dhimbshme zgjati dy vjet. Pastaj, pak nga pak, u zhduk.

Një libër që Mill-i e lexoi rastësisht në atë kohë, luajti një rol të veçantë në shërimin e tij: ishte kjo një vepër me poema të Wordsworth-it. Ai gjeti aty shprehjen e ndjenjave të veta, të fisnikëruara nga bukuria e vargjeve. “M’u dukën ato si një burim prej ku nxirrja gëzimin e brendshëm, kënaqësitë e simpatisë dhe të imagjinatës, që të gjitha qeniet njerëzore mund t’i ndanin. Kisha nevojë që të më bënin të ndieja se ekziston, në kundrimin e qetë të bukurive të natyrës, një lumturi e vërtetë dhe e përhershme. WordsWorth-i ma mësoi këtë jo vetëm duke mos më larguar nga konsiderimi i ndjenjave të rëndomta dhe nga fati i përbashkët i humanitetit, por duke ma dyfishuar interesin që kisha pët to.”

Gati njëqind e njëzet vjet më vonë, një grua e re gjendet e mbyllur në burg, në Paris: ajo kishte bërë komplot kundër pushtuesit gjerman dhe u arrestua. Charlotte Delbo është e vetmuar në qelinë e saj; e nënshtruar ndaj regjimit të “Natës dhe mjegullës”, ajo nuk ka të drejtë të ketë libra. Por, shoqja e saj mundi të huazojë vepra nga biblioteka. Kështu, Doelbo e endi një gërshet me fije të nxjerra nga mbulesa e saj dhe arriti që ta ngre librin përmes dritares.

Nga ky çast, Fabrice del Dongo banon gjithashtu në qelinë e saj. Ai nuk flet shumë, por megjithatë i mundëson asaj ta ndërpresë vetminë. Disa muaj më vonë, në vagonin për kafshë që e drejtonte për në Auschwitz, ai zhduket, por Delbo e dëgjon një zë tjetër, atë të mizantropit Alceste, i cili i shpjegon se çfarë është ferri drejt të cilit po shkonte ajo dhe i shfaq solidaritet.

Në kamp, heronj të tjerë të djegur nga e pakuptimta fillojnë ta vizitojnë: Electre-a, Don Juan-i, Antigone-a. Përjetësisht më vonë, me t’u kthyer në Francë, Delbo ka vështirësi të kthehet në jetë: drita verbëruese e Auschvitz-it i ka fshirë çdo iluzion, i ka ndaluar çdo imagjinatë, ia ka bërë të rreme fytyrat dhe librat…deri në ditën kur Alceste-i kthehet sërish dhe e entuziazmon me zërin e tij.

Përballë ekstremit, Charlotte Delbo e zbulon se personazhet e librave mund të bëhen shokë të besueshëm. “Krijesat e poetit, shkruan ajo, janë më të vërteta se krijesat e mishit dhe të gjakut, ngase ato janë të paharxhueshme. Për këtë arsye ata janë miqtë e mi, shokët e mi, falë të cilëve ne jemi të lidhur me njerëzit të tjerë, në zinxhirin e qenieve dhe në zinxhirin e historisë”.

Nuk kam përjetuar asgjë aq dramatike sa Charlotte Delbo-ja, bile as që i kam njohur vuajtjet e molisjes të përshkruara nga John Stuart Mill-i, megjithatë nuk mund t’iu ik fjalëve të poetëve, rrëfimeve të romancierëve. Ata më mundësojnë t’u jap formë ndjenjave që i ndiej, të drejtoj lumin e listave të ngjarjeve që e përbëjnë jetën time. Ata më bëjnë të ëndërroj, të dridhem nga shqetësimi ose të dëshpërohem. Kur jam i zhytur në hidhërim, mund të lexoj vetëm prozën e zjarrtë të Marina Tsvetaeva-s, gjithçka tjetër më duket e pashijshme.

Një ditë tjetër, e zbuloj një dimension të jetës së ndier vetëm më parë dhe e njoh megjithatë përnjëherë si të vërtetë: e shoh Nastassia Philipovna-n përmes syve të princit Mychkine, “idiotit” të Dostoíevski-t, eci me të nëpër rrugët e shkreta të Saint-Petersbourg-ut, i shtyrë nga afshi i një sulmi të afërt të epilepsisë.

Dhe, nuk mund ta ndal veten së pyeturi: përse Mychkine-i, më i miri i burrave, ai i cili i do të tjerët më shumë se veten, ai duhet t’i japë fund ekzistimit të vet të reduktuar deri në debilitet, i mbyllur në një strehimore psikiatrike?

Letërsia mund të bëjë shumë gjë. Ajo mund të na e shtrijë dorën atëherë kur jemi thellësisht të dëshpëruar, të na drejtojë nga qeniet e tjera njerëzore përreth nesh, të na bëjë të kuptojmë edhe më mirë botën dhe të na ndihmojë të jetojmë.

Nuk do të thotë se ajo është, para së gjithash, një teknikë e shërimit të shpirtit; megjithatë, si zbulim i botës, ajo mundet gjithashtu, pas një cope rruge, ta transformojë nga brenda secilin prej nesh. Letërsia ka një rol jetësor për të luajtur; mu për këtë duhet ta marrim në një kuptim të gjerë dhe të fortë, që ka dominuar në Evropë deri në fund të shekullit XIX, i cili sot është margjinalizuar, kur po triumfon një pikëpamje pakuptimësisht e reduktuar.

Lexuesi i rëndomtë, i cili vazhdon të kërkojë në veprat që i lexon gjëra për t’i dhënë kuptim jetës së tij, ka të drejtë përballë profesorëve, kritikëve dhe shkrimtarëve që i thonë atij se letërsia flet vetëm për veten, apo se ajo e ligjëron vetëm dëshpërimin. Po të mos kishte të drejtë, leximi do të dënohej me zhdukje në një afat shumë të shkurtër.

Si filozofia dhe shkencat humane, letërsia është mendim dhe njohje e botës psikike dhe shoqërore të cilën ne e jetojmë. E vërteta se letërsia ka si aspiratë të kuptuarit është thjesht (por që në të njëjtën kohë asgjë nuk është më e komplikuar) përvojë njerëzore. Për këtë edhe mund të themi se Dante apo Cervantès-i na mësojnë së paku po aq mbi gjendjen njerëzore, sa edhe sociologët dhe psikologët më të mëdhenj dhe se nuk ka papajtueshmëri në mes dijës së parë dhe të dytës.

E tillë është “gjinia e përbashkët” e letërsisë; por ajo ka edhe “dallime specifike”. Posa e pamë se mendimtarët e epokës së iluminizmit, sikurse edhe ata të kohës romantike kanë provuar që t’i identifikojnë ato; t’i marrim sërish këshillat e tyre-duke i plotësuar me të tjera.
Një dallim i parë e ndan të veçantën dhe të përgjithshmen, individualën dhe universalen. Qoftë ajo përmes monologut poetik apo përmes tregimit, letërsia u jep jetë përvojave të veçanta; filozofia, ajo, përdor koncepte.

Njëra e ruan pasurinë dhe llojllojshmërinë e të jetuarit, tjetra e favorizon abstraksionin, që i mundëson të formulojë ligje të përgjithshme. Kjo bën që një tekst të jetë pak a shumë i lehtë për t’u kuptuar. Idioti i Dostoîevsk-it mund të lexohet dhe të kuptohet nga lexues të panumërt, që vijnë nga epoka dhe kultura fare të ndryshme; një koment filozofik i të njëjtit roman ose të njëjtës tematikë do të ishte i kapshëm vetëm prej pakicës së mësuar të takojë një lloj të tillë të tekstit.

Megjithatë, për ata që i kuptojnë ato, fjalët e filozofit kanë përparësinë të paraqesin propozime pa dyshime, kur në anën tjetër peripecitë e jetuara nga personazhet e romanit apo metaforat e poetit u rreken interpretimeve të shumta.
Duke e paraqitur një objekt, një ngjarje, një karakter, shkrimtari nuk e godet një tezë, por e nxit lexuesin që ta formulojë atë: ai më parë propozon, sesa që imponon, ai e lë pra të lirë lexuesin e vetë dhe në të njëjtën kohë e nxit atë që të bëhet me aktiv.

Përmes një përdorimi ndjellës të fjalëve, duke kaluar përmes historive, shembujve, rasteve të veçanta, vepra letrare prodhon një drithmë kuptimi, ajo e vë në lëvizje aparatin tonë të interpretimit simbolik, i zgjon aftësitë tona të asociacionit dhe provokon një lëvizje, valët e përplasjes të së cilës vazhdojnë për një kohë të gjatë pas kontaktit fillestar.

E vërteta e poetëve apo ajo e interpretuesve të tjerë të botës nuk mund të pretendojë në të njëjtin prestigj, sikurse ajo e shkencës, ngase, për të qenë e konfirmuar, ka nevojë për miratimin e një numri të madh të qenieve njerëzore, të së tashmes dhe të së ardhmes; në fakt, pëlqimi publik është i vetmi mjet për të legjitimuar kalimin në mes, të themi, “e dua këtë vepër” dhe “kjo vepër vërtet flet”.

Në të kundërtën, ligjërimi i dijetarit, që ka aspiratë një të vërtetë të komunikimit dhe paraqitet si një pohim, mund të jetë i nënshtruar në verifikimin e menjëhershëm-ai do të jetë i mposhtur apo (përkohësisht) i konfirmuar. Nuk kemi nevojë të presim me shekuj, për të pyetur lexuesit e të gjitha vendeve për të ditur nëse autori e thotë apo jo të vërtetën. Argumentet e përmendura thërrasin kundërargumente: angazhohemi në një debat racional, në vend që ta admirojmë dhe të ëndërrojmë. Lexuesi i këtij teksti rrezikon më pak që ta ngatërrojë mashtrimin dhe përpikësinë.

Në çdo çast, pjesëtari i një shoqërie është i zhytur në një tërësi ligjërimesh, që i ofrohen si prova, dogma, të cilave duhet t’u bashkohet. Janë këto vende të përbashkëta të një epoke, idetë e marra që e përbëjnë mendimin publik, zakonet e të menduarit, shabllone dhe stereotipe, që mund t’i quajmë gjithashtu “ideologji dominonte”, paragjykime apo klishe. Që nga epoka e iluministëve, mendohet se prirja e qenies njerëzore kërkon që të mësojë, të mendojë nga vetja, në vend që të kënaqet me vegimet e gatshme të botës që i gjen përreth. Por, si t’ia arrijmë kësaj?

Në Emili-n, Russeau e emërton këtë proces të të mësuarit përmes shprehjes “edukatë negative” dhe këshillon që të mbahet adoleshenti larg librave, për t’i evituar përpjekje për të imituar mendimet e të tjerëve. Mund të gjykojmë megjithatë ndryshe, ngase idetë e marra, sidomos në ditët e sotme, nuk kanë nevojë për libra për t’u vendosur të banojnë te subjekti i ri: televizioni ka kaluar tashmë atypari!

Librat që i përvetëson, në të kundërtën, do të mund ta ndihmonin t’i braktiste provat e rreme dhe të lirojë shpirtin e tij. Letërsia ka një rol të veçantë për të luajtur: për dallim nga ligjërimet fetare, morale apo politike, ajo nuk formulon një sistem të urdhërave; për këtë arsye, ajo u ikën censuraveqë ushtrohen mbi tezat e formuluara pa shkurtime. Të vërtetat e pakëndëshme –për gjininë njerëzore, të cilës i përkasim ne, apo edhe për ne vetë-kanë më shumë gjasa që të arrijnë dhe të dëgjohen në një vepër letrare, sesa në një vepër filozofike apo shkencore.

Në një studim të vonshëm, filozofi amerikan Richard Rorty propozon të karakterizohet ndryshe kontributi i letërsisë në kutimin tonë të botës. Ai e hedh poshtë përdorimin e termave si “e vërtetë” apo “njohje” për ta përshkruar këtë kontribut dhe pohon se letërsia më pak na shëron nga mosdija jonë, sesa që e bën atë me “egotizmin” tonë, i dëgjuar si një iluzion i një vetëmjaftueshmërie.

Leximi i romaneve, sipas tij, i afrohet më pak atij të veprave shkencore, filozofike, apo politike, sesa të një tipi krejt tjetër të përvojës: asaj të takimit me individë të tjerë. Të njohësh personazhe të tjera, është sikur të njohësh persona të rinj, me një dallim se mundemi pa vështirësi t’i njohim edhe nga brenda, çdo veprim nga pikëvështrimi i autorit të vet. Sa më pak që na ngjajnë këto personazhe, aq më shumë e zgjerojnë horizontin tonë, pra e pasurojnë universin tonë.

Ky zgjerim i brendshëm (të ngjashëm në disa pikëpamje me atë që na e sjellin artet figurative) nuk formulohet në propozime abstrakte dhe mu për këtë kemi aq vështirësi për ta përshkruar atë; ai përfaqëson më parë përfshirjen në ndërdijen tonë të mënyrave të reja të të qenit, përballë atyre që i kemi tashmë. Një mësim i tillë nuk e ndërron përmbajtjen e shpirtit tonë, por vetë përmbajtësin: më parë e bën me mekanizmin e perceptimit, sesa me gjërat e perceptuara.

Atë që na e japin romanet , është, jo një dije e re, por një kapacitet i ri i të komunikuarit me qenie të ndryshme nga ne; në këtë drejtim, ata i përkasin më shumë moralit sesa shkencës. Horizonti i fundit i kësaj përvoje nuk është e vërteta, por dashuria, si formë supreme e raportit njerëzor.
Atëherë a duhet ta përshkruajmë të kuptuarit e zgjeruar të botës njerëzore, në të cilën marrim pjesë përmes leximit të një romani, si përmirësim të egocentrizmit tonë, ashtu siç e kërkon përshkrimi sugjestiv i Rorty-it?

Apo ndoshta si një shpikje e një të vërtete të re të zbulimit, e vërtetë domosdoshmërisht e ndashme prej njerëzvetë tjerë? Pyetja terminologjike nuk më duket të jetë e rëndësisë së parë, me kusht që të pranohet lidhja e fortë që krijohet në mes të botës dhe letërsisë, ashtu si edhe kontributi specifik i kësaj të fundit në raport me ligjërimin abstrakt.

Kufiri, sikundër edhe e vëren Rorty, e ndan tekstin argumentues jo nga teksti i imagjinatës, por nga çdo ligjërim narrativ, qoftë ai fiktiv apo që e thotë të vërtetën, dallohet që nga çasti që e përshkruan një univers njerëzor të veçantë, tjetër nga ai i subjektit: historiani, etnografi, gazetari gjenden këtu në të njëjtën anë, sikurse edhe romancieri.

Që të gjithë marrin pjesë, siç e konsideronte Kant-i, në një kapitull të njohur të Kritikë aftësisë për të gjykuar (Critique de la faculté de juger), në një hap të obliguar të ecjes drejt një qëllimi të përbashkët, bile ta themi drejt humanizmit tonë të plotë:

“Të mendosh duke u vënë në vendin e çdo qenie tjetër njerëzore. Të mendosh dhe të ndiesh duke adoptuar pikëvështrimin e të tjerëve, persona realë apo personazhe letrare, është mjeti i vetëm që të shtrihesh drejt tërësisë, dhe na mundëson pra të përmbushim prirjen tonë.

Për këtë arsye edhe duhet trimëruar leximin me të gjitha mjetet-edhe atë të librave që kritikët letrarë profesionalë e konsiderojnë me zemërbutësi, por me përbuzje, që nga Tre musketarët (Les Trois Mousquetaires) deri tek Hari Poteri (Harry Potter): jo vetëm pse këto romane ia kanë kthyer leximit miliona adoleshentë. Për më shumë, u kanë mundësuar atyre që ta ndërtojnë imazhin e parë koherent të botës, që, të jemi të sigurt, leximet që do të vazhdojnë do ta bëjnë më të nuancuar dhe më kompleks.”

Tzvetan Todorov

* Teksti është shkëputur nga libri “Letërsia në rrezik”, Tzvetan Todorov, përkthyer nga Mehdi Halimi dhe botuar nga “Buzuku” në vitin 2007, Prishtinë.

Tzvetan Todorov

Tzvetan Todorov (1939, Sofje) ëshë eseist, historian, filozof dhe teoricien i letërsisë. Me origjinë bullgare, Todorov nga viti 1963 do ta ketë “atdheun” e ri, Francën, dhe nënshtetas i saj qysh më 1973, tri vjet pasi qe bërë doktorant.

Fillimisht teoricien i letërsisë, nga 1980 do t’iu përkushtohet historisë së ideve, çështjeve të kujtesës, ndryshimeve të mëdha të njerëzimit që nga pushtimi i Meksikës deri tek kampet e përqendrimit të totalitarizmave.

Kontribuoi në përkthimin e formalistëve rusë (1965), të cilët kishin ndikuar aq shumë në poetikën e kohës. Eseja “Letërsia dhe shenjat” (1967) e bëri atë një pioner të rilindjes së retorikës, ndërsa tek “Hyrje në letërsinë fantastike” (1970), ai do të analizojë në mënyrë shteruese gjininë letrare: letërsinë fantastike.

Reflektimet e mëvonshme të Todorovit përqendrohen kryesisht në shkarjet, sidomos të çështjeve midis “neve” dhe “të tjerëve” në diskutimet e humanistëve të Europës nga koha e zbulimeve të Botës së Re, gjatë procesit të kolonizimit apo në rrjedhat e shekullit XX. Tzvetan Todorov është ftuar në cilësinë e profesorit nga shumë universitete amerikane: Nju – Jorkut, Harvardit, Kolumbias, Jelit, Kalifornisë.

Përgatiti: T.K/ ObserverKult

Lexo edhe:

SHKRIM PREKËS I ÇUN LAJÇIT: U BANA DHÉ E ZBRITA N’GROPË, T’IA MBULOJË ESHTNAT BIJËS SIME…